E diel, 9 Gusht, 2026

Romani britanik që parashikoi “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri

Share

Nga Hannah Burfield

Si një lexuese e rregullt e veprës së shkrimtarit Matt Haig – me “Biblioteka e Mesnatës” që mbetet libri im i preferuar – ishte krejt e natyrshme të lexoja edhe romanin e tij më të ri, The Life Impossible (Jetë e pamundur).

Botuar në vitin 2024, romani rrëfen historinë e Grace Winters, një mësuese matematike në pension, jeta e së cilës ndryshon papritur pasi trashëgon një shtëpi në Ibiza nga një ish-kolege.

Në përpjekje për të zbuluar misterin e vdekjes së saj të supozuar, Grace përfshihet në një rrëfim ku ndërthuren misteri, fantazia dhe lufta për mbrojtjen e natyrës. Si në shumë prej veprave të Haig, edhe këtu elementi fantastik luan një rol qendror.

Grace zbulon se ish-pronarja e shtëpisë kishte aftësi të mbinatyrshme dhe, pas kontaktit me një forcë misterioze të quajtur “La Presencia”, fillon të përjetojë të njëjtat fuqi.

Megjithatë përtej fantazisë, romani trajton një konflikt shumë real: një projekt luksoz ndërtimi që kërcënon ekosistemin e Es Vedrà-s në Ibiza. Aktivistët përballen me interesa të mëdha ekonomike dhe me politikanë që kanë braktisur premtimet e tyre për mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë pikë, ngjashmëritë me Shqipërinë bëhen të pamohueshme. Një investim i madh që rrezikon një zonë të mbrojtur. Leje të posaçme të dhëna nga autoritetet. Akuza për mungesë transparence. Dhe mbi të gjitha, një komunitet që refuzon të heshtë.

“Revolucioni i Flamingove”

Prej muajsh, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Shqipërisë për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz pranë Lagunës së Nartës, një nga habitatet më të rëndësishme të flamingove në Mesdhe.

Projekti, i lidhur me investitorë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”, pavarësisht kundërshtimeve të ambientalistëve dhe ekspertëve.

Që nga maji, protestat janë shndërruar nga një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit në një mobilizim më të gjerë qytetar. Pankarta me mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga Narta” janë bërë simbol i rezistencës.

Për shumë protestues, çështja nuk lidhet më vetëm me mbrojtjen e një lagune, por edhe me transparencën, mënyrën e vendimmarrjes dhe kufijtë që duhet të ketë zhvillimi ekonomik.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka argumentuar se projekti do të sjellë investime dhe vende pune, kundërshtarët vazhdojnë të këmbëngulin se përfitimet ekonomike nuk mund të justifikojnë dëmtimin e një ekosistemi të pazëvendësueshëm.

Kur letërsia i afrohet realitetit

Kur e lexova “Jetë e Pamundur” në fillim të këtij viti, fundi i romanit më dukej tepër fantastik. Në kulmin e historisë, natyra vetë ngrihet kundër shkatërrimit: kafshë të të gjitha llojeve bashkohen për të ndalur projektin që kërcënon ishullin.

Në atë moment, skena më dukej më shumë simbolike sesa e besueshme. Por ndoshta pikërisht ky ishte mesazhi që Haig dëshironte të përcillte. Përballë interesave të mëdha ekonomike, fuqia e një komuniteti të bashkuar mund të jetë më e madhe sesa duket.

Në Shqipëri nuk ka magji dhe as forca të mbinatyrshme. Ka qytetarë që organizohen, protestojnë dhe kërkojnë të mbrojnë atë që e konsiderojnë pasuri të përbashkët. Ndoshta Matt Haig nuk parashikoi “Revolucionin e Flamingove”.

Por përmes letërsisë, ai arriti të tregojë një histori që po përsëritet në vende të ndryshme të botës: përplasjen mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës. Dhe në këtë kuptim, romani i tij tingëllon sot më aktual se kurrë./“London Daily”/

Te tjera

Lajme te tjera