E diel, 9 Gusht, 2026

Leo Messi humb të atin, babai i ikonës argjentinase ndahet nga jeta në moshën 68-vjeçare, zbulohen detajet e sëmundjes së tij: ‘Pleshti’ mendoi të largohej nga Botërori

Share

Ylli argjentinas, Leo Messi po përjeton një nga momentet më të vështira të jetës së tij dhe familjes.

Babai i yllit argjentinas, Jorge Horacio Messi, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, më 8 gusht 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat agjentinase por edhe ato spanjolle, të cilat raportojnë se babai i kapitenit të Argjentinës ishte shtruar në një spital në Rosario, në Argjentinë, pasi prej kohësh po përballej me probleme delikate shëndetësore.

Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar gjatë dhe pas Botërorit, duke shkaktuar shqetësim të madh edhe te Lionel Messi. Situata raportohet se kishte arritur deri në atë pikë sa kapiteni argjentinas kishte menduar të largohej nga grumbullimi i kombëtares për t’u kthyer pranë të atit.

“Në një moment gjatë turneut, Messi madje mendoi të largohej nga ekipi për të shkuar e për të parë babain e tij, Jorge”, raporton gazeta argjentinase Diario Olé.

Pas finales ndaj Spanjës, Messi udhëtoi me urgjencë drejt Rosarios për të kaluar kohë pranë babait. Sipas raportimeve, futbollisti nuk kishte mundur ta takonte Jorge Messin për rreth dy muaj.

Në këtë kontekst, edhe emocionet e forta të shfaqura nga Messi gjatë Botërorit marrin një tjetër dimension. Lotët e tij pas golit të parë ndaj Algjerisë u konsideruan fillimisht si pjesë e emocioneve të ndeshjes, ndërsa në prapaskenë argjentinasi po përballej edhe me shqetësimin për shëndetin e të atit.

Jorge Messi kaloi një periudhë në spital dhe më pas qëndroi në banesën e tij në Rosario. Pranë tij ishte vazhdimisht bashkëshortja, Celia, e cila gjatë kësaj kohe nuk udhëtoi, duke zgjedhur t’i qëndronte pranë.

Edhe fëmijët e tjerë të çiftit, Rodrigo, Matías dhe María Sol, e vizitonin vazhdimisht të atin. Lionel Messi, ndërkohë, mbante kontakte të shpeshta me familjarët për t’u informuar mbi ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore.

Pavarësisht momenteve kur dukej se shëndeti i Jorge Messit po përmirësohej, gjendja e tij raportohet se mbeti e rëndë gjatë muajve në vijim, duke e kthyer situatën në një periudhë të gjatë dhe të dhimbshme për familjen.

Jorge Messi ka pasur një rol të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e Lionel Messit. Duke preferuar përgjithësisht të qëndronte larg vëmendjes mediatike, ai ka qenë një prej njerëzve më të afërt të yllit argjentinas gjatë rrugëtimit të tij në futboll.

Figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me historinë personale dhe profesionale të Lionel Messit, të cilin e ka shoqëruar dhe mbështetur gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme.

Te tjera

Lajme te tjera