Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar reformën e re territoriale të qeverisë Rama si një projekt politik dhe elektoral, që sipas tij synon të thellojë shpopullimin dhe centralizimin e pushtetit vendor. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, ai theksoi se opozita do ta vendosë reformën territoriale në qendër të betejës së saj politike dhe do të zhvillojë një debat të gjerë me qytetarët.
‘Ne absolutisht e shndërrojmë këtë çështje në çështje kryesore’, tha lideri i demokratëve Sali Berisha, duke akuzuar mazhorancën se reforma synon të kontrollojë edhe ato bashki që aktualisht nuk janë nën drejtimin socialist. Sipas tij, projekti i ri nuk lidhet vetëm me administrimin territorial, por me një strategji më të gjerë të qeverisë. ‘Ky është një projekt për të thelluar më tej shpopullimin, për të fshirë nga faqja e dheut njësitë, bashkitë, shërbimet, dhe për të detyruar shqiptarët të largohen sa më shumë nga vendet e tyre’, deklaroi kreu i PD-së.
Lideri i opozitës, Sali Berisha tha se kanë paraqitur një hartë me 100 njësi vendore, por theksoi se propozimi mbetet i hapur për konsultime dhe për shtimin e bashkive të tjera të vogla. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se reforma territoriale e vitit 2014 ka dobësuar decentralizimin dhe ka dëmtuar shërbimet në zonat rurale. Sipas Berishës, reduktimi i njësive vendore nga 373 në 61 bashki ka sjellë një përqendrim të jashtëzakonshëm të pushtetit. ‘Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa Shqipëri rurale të zhvilluar’, tha ai, duke argumentuar se administrata vendore duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo vetëm e përqendruar te punësimi administrativ.
Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përshëndetur edhe zgjedhjen e ambasadorit të ri Amerikan në Tiranë, Eric Wend. Ai deklaroi se, ndan të njëjtat qëndrime me ambasadorin e ri lidhur me kartelet e drogës, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. ‘Unë ndaj plotësisht pikëpamjen se trafikantët e drogës janë terroristë të egër. Dhe kur ata janë miliarderë, ata ngjiten në nivelet më të larta në klasifikimin si terroristë. Ata përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për kombin e vet, por dhe për kombet e tjera. Krimi shqiptar është një krim shumë i rëndë.’, theksoi Berisha.
Në bashkëbisedim me qytetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha e cilësoi protestën që sot është futur në ditën e 70 të saj, si ‘protesta më e fuqishme rinore qytetare në historinë e këtij vendi’ pas viteve ’90 dhe u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që ta mbështesin. Berisha deklaroi se, PD nuk duhet të përpiqet të marrë nën kontroll protestën, por ta mbështesë atë.
Kreu i PD-së Sali Berisha sulmoi edhe mënyrën se si, sipas tij, Edi Rama mazhoranca po ushtron kontroll mbi institucionet dhe zgjedhjet. Duke folur për SPAK-un, Berisha përsëriti akuzën se ky institucion është bërë ‘gardian i krimit kushtetues elektoral’ dhe se nuk ka hetuar në mënyrë të mjaftueshme, sipas tij, shkeljet e pretenduara zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e lidhi reformën territoriale me një betejë më të gjerë politike për decentralizimin, zgjedhjet dhe të ardhmen e zonave rurale. ‘A është e drejtë kauza e saj? Dhe në përgjigjen e kësaj pyetje çdo qytetar të marrë të gjithë vendimet e tij’, u shpreh lideri i demokratëve Sali Berisha, duke iu referuar protestës qytetare dhe duke i ftuar shqiptarët ta mbështesin.
