Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Divizionit Financiar dhe Dixhital të Kërkimeve të Xhandarmërisë së Pau (Francë) zhvilluan më 22.4.2026, kontrolle në një qendër thirrjesh dhe në katër banesa në Tiranë, lidhur me një hetim të përbashkët për veprën penale të “Mashtrimit Kompjuterik”.
Nga shkëmbimi spontan i informacionit, i dërguar nga Eurojust, seksioni i kërkimeve të xhandarmërisë në Pau i ka përcjellë Prokurorisë së Posaçme të dhënat mbi hetimin për mashtrimin e disa qytetarëve franceze për investime në kriptomonedha. Mbi bazën e këtij informacioni është regjistruar procedimi penal nr. 39/20255 për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 143/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Sipas të dhënave hetimore, Prokuroria e Pau po zhvillon hetime paraprake për mashtrim përmes investimeve në kriptomonedha, të kryera në kuadër të një grupi të organizuar, përmes shoqërisë “UNIVERSAL TRADE” (https://universaltrade.io), si dhe për pastrim parash në rrethana rënduese, pas disa kallëzimeve të paraqitura nga katër shtetas francezë.
Dëmi i shkaktuar katër shtetasve francezë është në vlerën e 845,400 euro, ndërsa ndaj 9 kallëzuesve të tjerë, tashmë të identifikuar, dëmi ka arritur shifrën e 1.1 milionë eurove për periudhën shkurt 2023 – maj 2023.
Viktimat kontaktoheshin nga agjentë me identitete të rreme franceze, të cilët i udhëzonin qyetarët francezë të investonin në kriptomonedha, përmes platformës https://universaltrade.io.
Hetimi i përbashkët ka mundësuar gjurmimin e fondeve të transferuara në kriptovaluta nga viktimat, duke çuar në identifikimin e mbajtësve të portofoleve, mes të cilëve edhe disa shtetas shqiptarë. Sipas dyshimeve të arsyeshme, të bazuara në prova, këta shtetas kanë hapur portofole kriptovalutash me qëllim transferimin e fondeve drejt autorëve të mashtrimit.
Shtetasit e identifikuar janë:
- A. B.,
- E. Sh.,
- B. Z.,
- F. B.,
- G.P.,
Pas kontrolleve dhe marrjes në pyetje të shtetasve A. B., E. Sh. dhe B.Z., rezulton se shtetasi G.P. ka qenë personi kryesor i përfshirë në hapjen e portofoleve të kriptovalutave, i cili ka bërë edhe transferimin e fondeve të viktimave. Në këto kushte, urdhri i ndalimit i lëshuar nga prokurori i posaçëm është ekzekutuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar dhe kontrolleve të ushtruara, janë sekuestruar; njësi kompjuterike, pajisje elektronike memorizuese, telefona celularë, katër portofole “cold wallet”, një automjet luksoz, dokumente të ndryshme të lidhura me viktimat dhe personat e përfshirë, vula të subjekteve ekonomike, dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, pajisje për numërimin automatik të parave, si dhe shuma monetare në dollarë amerikanë, dollarë kanadezë, euro, paund dhe lekë, me një vlerë totale rreth 5,000,000 lekë.
Lidhur me personat dhe subjektet e përfshira në këtë veprimtari kriminale, vijon analiza e hollësishme e të dhënave hetimore me qëllim dokumentimin e plotë të përgjegjësisë penale.
Kontrollet e kryera më 22.4.2026 u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
