Kryetari i Partisë Demokratike, Prof, Dr. Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe mashtrim të publikut lidhur me vizitën e fundit në Spanjë. Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha deklaroi se Rama ka fshehur pjesëmarrjen si klandestin në një samit ndërkombëtar për demokracinë në Barcelonë, duke e paraqitur vizitën si takim zyrtar me homologun spanjoll Pedro Sánchez.
Berisha tha se, Rama shkoi në samitin e ekstremistit të majtë Aleks Soros, ku u mbajtën qëndrime të qarta anti-amerikane, sikur të ishte një prostitutë politike. Lideri demokrat e cilësoi këtë sjellje si dëmtuese për imazhin e Shqipërisë dhe në kundërshtim me interesat kombëtare.
Në vijim të konferencës, kryetari i PD komentoi edhe një denoncim të bërë nga përfaqësues të Partisë Demokratike lidhur me licencimin e një banke digjitale, Jet Bank. në vend. Ai ngriti dyshime për lidhje të kësaj banke me aktivitete kriminale, përfshirë mashtrime përmes call center-ave dhe qarkullim të parave përmes kriptomonedhave, duke akuzuar institucionet shtetërore për neglizhencë dhe ndërhyrje politike në procesin e licencimit.
Berisha u ndal gjithashtu te aksioni opozitar, duke theksuar se protestat do të vijojnë të jenë paqësore, por më të fuqishme në vijim. Ai akuzoi policinë për përdorim të tepruar force ndaj protestuesve dhe paralajmëroi mobilizim më të madh qytetar kundër qeverisë.
Në planin politik, ai bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare në një front të përbashkët, me synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.
Në fund, lideri opozitar, Sali Berisha komentoi edhe një rast të raportuar në mediat britanike për një shtetas shqiptar që kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri për shkak të rrezikut për jetën. Ai deklaroi se nuk ka informacion konkret për rastin, por përsëriti akuzat për lidhje mes zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale, duke përmendur edhe emra konkretë në këtë kontekst, si Taulant Balla për porositje vrasjesh.
