Nga Rigels Seliman
Elisa Spiropali është socialiste më shumë se ty! Ajo është qyetare dhe patriote më shumë se ty! Elisa është diplomate dhe intelektuale më shumë se ty! Ajo është familjare, nënë, motër dhe bashkëshorte më shumë se ty! I theksova këto për shkak se ndodhemi përballë një klime të mbushur me zhurmë, reagime të nxituara dhe interpretime të sforcuara, ku figura e ish-ministres së Jashtme dhe deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali po vendoset padrejtësisht në qendër të një vale denigrimi që më shumë flet për ata që e prodhojnë sesa për vetë atë. Është e lehtë të ndezësh zjarrin e histerisë kolektive, por shumë më e vështirë është të ruash kthjelltësinë, maturinë dhe drejtësinë në gjykim.
Spiropali nuk ka thënë asgjë që të justifikojë këtë stuhi reagimesh se gjasme ajo ka dalë kundër Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj. Përkundrazi, qëndrimi i saj ka qenë i matur, i menduar dhe në përputhje me momentin. Nuk ka pasur as sfidë ndaj strukturave, as protagonizëm të panevojshëm, vetëm një reagim institucional, i përgjegjshëm dhe në kohën e duhur. Interpretimet që tentojnë ta paraqesin ndryshe janë më tepër produkt i dëshirës për konflikt sesa i analizës objektive.
Të harrosh kontributin e zonjës Spiropali ndër vite është një padrejtësi që nuk mund të kalojë pa u vënë në dukje. Me mbi dy dekada angazhim në PS, Spiropali nuk është një figurë e rastësishme në politikë. Ajo është formuar dhe rritur brenda një tradite politike, duke ndërtuar profilin e saj si një socialiste e bindur, një politikane me përvojë, një diplomate me finesë dhe një qytetare që ka ditur të mbajë një standard të lartë etik e intelektual. Këto nuk janë cilësi që ndërtohen brenda natës, as që zhbëhen nga zhurma e disa debateve televizive dhe getarëve e analistëve të njëanshëm.
Është shqetësuese të shohësh se si një pjesë e analizës publike ka rrëshqitur në sipërfaqësi, madje në banalitet. “Analistët e banaqeve të drekave dhe darkave televizive” dhe komentuesit e përhershëm shpesh zgjedhin sensacionalizmin mbi faktin, insinuatën mbi argumentin. Në vend që të kontribuojnë në një debat të shëndetshëm, ata ushqejnë përçarje dhe deformojnë perceptimin publik. Kjo nuk i shërben as demokracisë, as së vërtetës.
Koha, gjithmonë, është filtri më i drejtë. Ajo ndan zhurmën nga substanca, propagandën nga realiteti, dhe mbi të gjitha, nxjerr në pah vlerat e vërteta të individëve. Në këtë kontekst, nuk ka nevojë për mbrojtje të tepruar apo glorifikim artificial, mjafton një vështrim i ndershëm dhe i balancuar për të kuptuar se kush është Elisa Spiropali dhe çfarë përfaqëson ajo.
Prandaj, në vend që të ushqejmë zjarrin e përçarjes, ndoshta është momenti të rikthehemi te përgjegjësia qytetare: të gjykojmë me mendje të ftohtë, të flasim me fakte dhe të respektojmë figurat publike për atë që janë realisht, jo për atë që dikush dëshiron t’i paraqesë. Sepse në fund të fundit, dinjiteti në debat është po aq i rëndësishëm sa vetë debati.
