Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar zgjatjen e armëpushimit me Iranin, vetëm pak orë para skadimit të afatit, duke hapur një mundësi të re për vazhdimin e negociatave dhe shmangien e një përshkallëzimi të menjëhershëm ushtarak.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se vendimi erdhi në një moment kur situata politike në Iran mbetet e brishtë dhe e fragmentuar. Ai theksoi se shtyrja e veprimeve ushtarake u bë edhe pas kërkesës së udhëheqjes së Pakistanit, e cila po luan rol ndërmjetësues në këtë krizë.
“Bazuar në faktin se qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, dhe me kërkesë të Field Marshal Asim Munir dhe kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të pezullojmë sulmin ndaj Iranit deri në momentin kur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të paraqesin një propozim të unifikuar”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur se i ka dhënë udhëzim ushtrisë që të vazhdojë bllokadën ndaj Iranit dhe të mbetet në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mundshëm.
“Kam udhëzuar ushtrinë amerikane të vazhdojë bllokadën dhe, në të gjitha aspektet e tjera, të mbetet e gatshme dhe e aftë”, theksoi ai.
Sipas Trump, armëpushimi që pritej të përfundonte në orët në vijim do të zgjatet deri në momentin kur pala iraniane të paraqesë një propozim dhe bisedimet të përfundojnë.
“Prandaj, armëpushimi do të zgjatet deri në dorëzimin e këtij propozimi dhe përfundimin e diskutimeve, në një mënyrë apo në një tjetër”, shtoi ai.
Vendimi për zgjatjen e armëpushimit vjen në një moment kritik, kur tensionet në rajon kishin arritur kulmin dhe sinjalet për një përplasje të re ushtarake ishin shtuar, përfshirë lëvizjet e forcave dhe retorikën e ashpër nga të dyja palët.
Zhvillimi i fundit krijon një hapësirë të re për diplomaci, por situata mbetet e paqëndrueshme, pasi SHBA vazhdon presionin përmes bllokadës, ndërsa pritet të shihet nëse Irani do të paraqesë një ofertë konkrete për të shmangur rikthimin e konfliktit.
