E enjte, 16 Prill, 2026

Kosovë/ Osmanit i përfundon mandati, i dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu! Thirrja e përbashkët: Kuvendi ta zgjedhë sa më parë Presidentin

Share

Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares, Albulena Haxhiut.

Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës u mbajt në Kabinetin e Presidentes. Në fjalën e saj, Osmani uroi që Kuvendi ta zgjidhë sa më shpejt çështjen e presidentit. Gjithashtu, ajo tha se ardhja e një tjetër gruaje si presidente e vendit ka qenë një prej dëshirave të saj dhe shpresoj se kjo do të vijojë.

“Gjithnjë ka qenë një prej dëshirave të mia më të mëdha që kurdo që të dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë, siç thotë populli, që edhe ju ta tërhiqni këmbën zvarrë që edhe pas jush, të vijë një grua këtu, me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe qytetarëve. Faleminderit të gjithëve, ju uroj shumë suksese përgjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Unë i kam provuar të dyja në vitin 2020 edhe si kryetare e Kuvendit, edhe si presidente. Të jesh kreu i shtetit, të udhëheqësh politikën e jashtme dhe ushtrinë janë përgjegjësi e jashtëzakonshme. Shpresoj shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta zgjedhë Presidentin/en e re me shpresë që të kemi stabilitet institucional. Sot po lëmë pas një punë të jashtëzakonshme”, tha Osmani.

Osmani gjithashtu i shprehu gatishmërinë Haxhiut për t’i dhënë mbështetje të plotë në çfarëdo momenti.

“Ne do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë, çdo ditë, 24/7 për çfarëdo që duhet për këtë shtet, për çdo informatë, çdo mbështetje që ka nevojë vendi ynë sepse angazhimi ynë për shtetin asnjë herë nuk është lidhur me pozitat që mbajmë, kështu për çfarë keni nevojë, jemi vetëm një thirrje larg”, tha Osmani.

Haxhiu iu bashkua thirrjes së Osmanit që grupet parlamentare të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë për çështjen e presidentit.

“Rrethanat kushtetuese imponojnë që kryetari i Kuvendit të jetë ushtrues detyre i presidentit. Zotohem se do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ky ushtrim nuk mbahet më shumë se m uaj dhe uroj që Kuvendi ta zgjedhë sa më parë presidentin ose presidenten e Republikës së Kosovës. Unë sërish i bëj thirrje grupeve parlamentare, deputetëve të Kuvendit të Kosovës të kenë sa më parë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Deri atëherë unë do të angazhohem maksimalisht që përgjegjësitë që ka presidenti t’i kryej me seriozitetin dhe profesionalizmin më të lartë”, tha Haxhiu.

Osmani, e cila mori detyrën pesë vite më parë me përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë, ndonëse kishte shprehur publikisht dëshirën për ta vazhduar atë.

Te tjera

Lajme te tjera