E hënë, 20 Prill, 2026

Dështon marrëveshja VV-LDK për presidentin! Abdixhiku heq dorë nga bisedimet, Kurti: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja

Share

Përplasja mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit në Kosovë arriti pikun e saj mesditën e së hënës, teksa të dy palët sinjalizuan se një marëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për çështjen e presidentit duket tashmë e mbyllur.

I pari që “i vuri vizën” ishte Abdixhiku. Pas takimit, ai foli hapur dhe tha LDK nuk mund të bëjë më shumë. Abdixhiku i la topin në derë Kurtit, duke e akuzuar se nuk ka ofruar alternativa reale për postin e presidentit dhe se LDK nuk mund të pranojë një president që kontrollohet nga qeveria.

“Presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë qeveri që të ketë të tre institucionet. U përpoqa, provova dhe nuk arrita fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem misionit të bashkimit të së djathtës. Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet Vetevendosjes. Unë besoj që me kaq në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. E lë të hapur për partitë e tjera, kemi bërë përpjekje për 53 ditë. Nga ky moment LDK e konsideron të përmbyllur këtë çështje. U dakorduam që të mos takohemi më”, tha ai.

Sipas tij, problemi kryesor ishte këmbëngulja e Kurtit që posti i presidentit t’i mbetej Vetëvendosjes, konkretisht me emrin e Glauk Konjufcës.

Por reagimi i Kurtit erdhi menjëherë dhe ishte po aq i fortë. Kryeministri zbuloi detaje nga oferta që, sipas tij, u refuzua nga LDK.

“Ne patëm një ofertë që pozita e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rrokadë. Që ose nënkryetari i LDK-së të zë pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe Haxhiu të bëhet nënkryetare e kuvendit. Në këtë mënyrë ne do ta kishim dhe më tej qeverinë, s’do të kishim zgjedhje të panevojshme. LDK do ta kishte kryetarin e kuvendit” tha  Kurti.

Ai tregoi për mediat se kishte propozuar edhe ndryshime në Kuvend, përfshirë rotacionin e posteve, ku LDK do të merrte drejtimin e Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu do të kalonte në pozicion tjetër.

“Refuzuan gjithçka. Nuk kemi më oferta. Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejtë zgjedhjeve të reja, të panevojshme. Së paku 10 milion euro kushtojnë zgjedhjet, që do të sjellin rezultate të përseritura dhe s’do të sjellin zgjidhje”, tha Kurti.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Detyra e presidentit po ushtrohet përkohësisht nga Albulena Haxhiu, pasi më 4 prill Vjosa Osmani dorëzoi funksionin.

Te tjera

Lajme te tjera