Sfidën më të vështirë të procesit të anëtarësimit, e konsideroi kryeministri Edi Rama sigurinë ushqimore në një takim me operatorë të biznesit ushqimor.
Dy janë sektorët që Rama sheh si më problematikët e ku duhet të punohet intensivisht:
“Për thertoret problemi më i tmerrshëm është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum. Dhe garantimi i ndarjes sipas standardit të BE dhe patjetër procesi i trajtimit sipas BE për të shmangur çdo rrezik kontaminimi dhe ndikimi. Asnjë thertore sot, edhe ato që janë shumë të mira nga mënyra sesi funksionojnë, nuk e kanë këtë proces. Qumështi… kam parë ato që janë me makineri të fjalës së fundit, por zinxhiri është i mangët,, nevoja për standarde… unë nuk i trembem kohës që kemi në dispozicion, është e mjaftueshme, i trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarcce që hajde se ka kohë”, tha kryeministri.
Edhe për pikat kufitare, ku hyjnë e dalin produktet ushqimore, Rama tha se qeveria ka një plan konkret për të përforcuar kontrollet.
“Pikat e kontrollit kufitar, pikë e dobët për të zhdërvjelltësuar shtetin… kemi një plan konkret akredimi të laboratorëve”, u shpreh ai.
Thirrjen për operatorët e biznesit ushqimor, e pati të drejtpërdrejtë:
“Keni detyrën t’u shisni produkte të sigurta qytetarëve… do jemi krah për krah me ju, jo ballë për ballë, ballë për ballë kemi objektivin”, tha kryeministri.
Në takim, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato që tha se për këtë sektor, BE ka ofruar 12.5 mln euro mbështetje ndërsa për integrimin kërkoi vullnet politik e lidership të fortë.
