Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar ka ashpërsuar tonet ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar këtë të fundit për dhunë ndaj opozitës, korrupsion dhe bllokim të procesit të integrimit europian. Në fjalën e tij, Berisha u ndal fillimisht te protesta e 17 prillit, duke e cilësuar reagimin e policisë si një ‘sulm të organizuar’ ndaj opozitës. ‘Sulmi brutal ndaj deputetëve tanë është një akt primitiv i Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë’, deklaroi ai, duke shtuar se ndaj protestuesve dhe deputetëve ‘u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj toksik, plumba gome dhe pompa uji’. Ai përgëzoi protestuesit e arrestuar, të cilët i quajti ‘heronj të protestës’, ndërsa theksoi se ‘burgosja e tyre politike do kthehet në një ndëshkim të padiskutueshëm ndaj regjimit’.
Kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për përshkallëzim të aksionit opozitar, duke e konsideruar situatën si kritike për vendin. ‘Duhet të pranojmë se në kushtet aktuale, kurrë ndonjëherë protesta nuk ka qenë më e domosdoshme dhe më jetike për vendin’, u shpreh ai. Sipas tij, opozita duhet të organizojë një reagim më të fortë: ‘Të përgatitemi për kryengritjen e radhës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria’. Ai paralajmëroi se menjëherë pas mbledhjes do të nisin përgatitjet për protestën e ardhshme, data e së cilës do të shpallet së shpejti.
Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi sërish Edi Ramën se, ‘e mbylli dosjen e tij me Ballukun’, duke shtuar se kjo është bërë në bashkëpunim me organet e drejtësisë. ‘Edi Rama e nxori veten mbi ligjin, nuk pyet më për Kushtetutë, nuk pyet më për drejtësi’, deklaroi Berisha, duke e cilësuar situatën si një devijim të rëndë nga shteti ligjor. Ai solli në vëmendje edhe çështje konkrete, si inceneratori i Tiranës dhe aeroporti i Vlorës, për të cilat pretendoi se janë abuzuar fonde të mëdha publike. ‘130 milionë euro janë vjedhur në djegësin e Tiranës, 130 milionë euro u vodhën edhe në aeroportin e Vlorës’, tha ai.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur zhvillimet nga publiku. Ai deklaroi se ‘shqiptarëve u fshihet fakti se sot duhej të ishte mbajtur konferenca ndërqeveritare me BE-në’. Sipas tij, në takimet e zhvilluara në Bruksel, është diskutuar për ‘shkarjen e rëndë mbrapa’ të Shqipërisë në raport me standardet europiane, ndërsa kërkesat ndaj vendit janë shtuar. ‘Ne jemi për një proces të bazuar në meritë dhe jo kurrë për një proces të bazuar në lobim korruptiv’, theksoi Berisha, duke kërkuar më shumë transparencë nga institucionet europiane dhe autoritetet shqiptare.
Kreu i PD-së, Sali Berisha publikoi një sërë pretendimesh për pasuri të zyrtarëve dhe personave të lidhur me qeverinë. Ai përmendi raste konkrete, duke ironizuar deklarimet për mungesë pasurie. ‘Kjo është e varfëra e Edi Ramës’, u shpreh ai në lidhje me një prej rasteve, ndërsa për persona të tjerë deklaroi se zotërojnë prona të shumta, llogari bankare dhe mjete luksoze. Berisha e cilësoi situatën si alarmante dhe një arsye më shumë për reagim qytetar: ‘Çdo ditë aferat korruptive të kësaj qeverie janë flagrante dhe kjo është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë’.
Gjatë fjalës së tij me deputetët, kryetari i PD-së Sali Berisha ngriti edhe shqetësimin për rritjen e çmimeve dhe ndikimin te qytetarët, duke akuzuar qeverinë për përfitime nga kriza. ‘Qeveria ka mbledhur 2.4 miliardë lekë më shumë nga xhepat tuaj… Nuk është kompensuar një qindarkë asnjë qytetar’, deklaroi ai. Në përmbyllje, Berisha ritheksoi se opozita do të vijojë aksionin e saj politik dhe protestat, duke i konsideruar ato si rrugën e vetme për ndryshim.
