E mërkurë, 22 Prill, 2026

Rama pritet në Greqi nga Mitsotakis: Zgjidhim çështjet e mbartura, brenda vitit me marrëveshje të re partneriteti

Share

Pas vitesh marrëdhëniesh që duket se prekën nivelet më të ulëta në dekada në 2023 pas arrestimit të Fredi Belerit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Greqisë Kyriakos Mitsotakis kanë zhvilluar takimin e parë zyrtar në Athinë pas disa vitesh.

Krerët e qeverive të dy vendeve thanë se shohin vetëm rritje të marrëdhënieve mes dy vendeve në të ardhmen, me fokusin e zgjidhjes së çdo çështjeje të mbetur pezull.

“Besoj se ende kemi një mundësi të rëndësishme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të vendosur miqësi të vërtetë midis dy popujve tanë”, tha Mitsotakis.

“Jemi shumë të etur të vazhdojmë dhe të përfundojmë atë për të cilën kemi rënë dakord së bashku, një dokument të guximshëm partneriteti strategjik ku të gjitha çështjet adresohen dhe nuk ka më çështje të pazgjidhura midis nesh, ndërsa duam të bashkohemi me Bashkimin Evropian dhe ta bëjmë këtë rajon shumë më të rëndësishëm edhe në këtë nivel”, tha Rama.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë në një postim e pranon se dy vendet kanë kaluar periudha jo të mira, por lidhjes mes Tiranës dhe Athinës i quan një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët për të modernizuar dy vendet. Rama shkruan se të dy qeveritë po punojnë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik.

“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama. 

Në “Pallatin Maximos”, nuk munguan edhe batutat mes dy liderëve për veshjen e Kryeministrit Rama, me kreun e qeverisë shqiptare që kërkoi mirëkuptimin e mediave greke.

Kryeministri Rama ndodhet në Greqi për të marrë pjesë në forumin ndërkombëtar të Delfit.

Te tjera

Lajme te tjera