E mërkurë, 22 Korrik, 2026

‘Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën’, Prishtina shpall ‘Non Grata’ ministren serbe! BE dhe Shqipëria dënojnë deklaratën: E papranueshme! Hoxha: Pajtimi s’ndërtohet mbi mohimin e krimeve

Share

“Po të isha në vend të Sllobodan Milloshevicit, në 1998-ën do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën” kjo ishte deklarata më e fortë e lëshuar ndonjëherë nga një zyrtar i lartë i Shtetit Serb e që ka ngjallur reagime të ashpra në Shqipëri, Kosovë e nga Bashkimi Europian.

Këtë deklaratë Minstrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale Snezhana Paunoviç, e bëri të shtunën për televizionin Kurir në Serbi. Prishtina zyrtare reagoi duke e shpallur ministren serbe person “të padëshirueshëm” dhe i ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin në vend. Po ashtu., ky qëndrim është dënuar ashpër nga Bashkimi Europian i cili përmes zvëdhënes së saj Anitta Hipper thotë se ato janë nxitëse të destabilitetit në rajon.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.

Për qeverinë në detyrë të Kosovës këto nuk janë thjesht deklarime por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”. Për Radio Evropa e Lirë Prishtina zyrtare tha se “problemi është se shteti i Serbisë nuk është distancuar kurrë në asnjë mënyrë nga politikat e Millosheviqit”.

Reagim erdhi edhe nga Tirana zyrtare përmes Ministrit të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, i cili e konsideroi fyerje për viktimat e luftës së Kosovës. Ndërsa e cilësoi deklaratën të papranushme, Hoxha shkruan se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës”,- thuhet në reagimin e Hoxhës.

Duke e cilësuar një deklaratë raciste, Partia Demorkatike kërkoi që ministrja serbetë shpallet non-grata nga Shqipëria.

“Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton”, thuhet në një deklaratë. 

Ministrja serbe iu referua Sllobodan Millosheviçit, president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i ka cilësuar drejtuesit e atëhershëm si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova me qëllimin  për të “ndryshuar balancën etnike e për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Paunoviç është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024. Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiç, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres. Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviçin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, prej disa vitesh, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t’i mbështesnin këto pretendime. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Te tjera

Lajme te tjera