Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të eurodeputetit çek Tomas Zdeçovski, i cili akuzon kryeministrin Edi Rama lidhur se me anë të familjarëve të tij, po transporton para jashtë vendit. Gjatë konferencës së sotme për mediat, Berisha deklaroi se heshtja e Ramës dhe e mediave shqiptare për këtë çështje është një tregues i kontrollit që, sipas tij, kryeministri ushtron mbi informacionin publik. ‘Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë’, tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD-së, eurodeputeti Zdeçovski ka përdorur një nga parimet kryesore të hetimit të krimit të organizuar, atë të ndjekjes së parave. ‘Rikujton pra parimin e kapjes së mafies duke ndjekur paratë. E pashembullt! E paprecedent!’, u shpreh Berisha. Ai akuzoi Edi Rama se nuk ka dhënë asnjë përgjigje për deklaratat e eurodeputetit. ‘Kanë kaluar 24 orë dhe Edi Rama nuk ka hapur gojën. Ka heshtur si fija e barit për intervistën e dhënë gazetarit Flavio Qarri nga europarlamentari Tomas Zdeçovski’, deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës akuzoi mediat e kapura nga pushteti i Edi Ramës se kanë censuruar lajmin. ‘Lajmin ua kanë fshehur qytetarëve shqiptarë të gjitha mediat e kontrolluara nga Edi Rama’, tha ai. Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike do të rikthejë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje, duke kërkuar hetim edhe nga institucionet ndërkombëtare. ‘PD nuk është mjaftuar me kaq. PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin’, deklaroi ai.
Kryetari i PD-së Sali Berisha, u shpreh se, ka të dhëna që kërkojnë verifikim për përdorimin e avionit privat të kryeministrit dhe për lëvizjet jashtë vendit. ‘140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën’, u shpreh ai.
Lideri i demokratëve Sali Berisha i bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të përfshihen në hetim. ‘I bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze’, tha kryetarit i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.
FJALA E PLOTE:
Të nderuar qytetare dhe qytetarë, sot jam këtu për deklaratën e deputetit të Parlamentit Evropian, Tomas Zdeçovski, i cili denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.
Zoti Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim pra këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë.
Kjo deklaratë në Parlamentin Evropian është bërë vetëm për diktatorë të tipit Gedafi dhe jo ndonjëherë tjetër për ndonjë lider të një vendi të lirë evropian.
Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë.
Rikujton pra parimin e kapjes së mafies duke ndjekur paratë.
E pashembullt!
E paprecedent!
Dhe ndonëse kanë kaluar 24 orë, Edi Rama nuk ka hapur gojën.
Ka heshtur si fija e barit për intervistën e dhënë gazetarit të mirënjohur Flavio Qarri në emisionin e tij të mëngjesit europarlamentari Tomas Zdeçovski.
Nuk ka reaguar asnjë pjesëtar i familjes së Edi Ramës.
Lajmin ua kanë fshehur qytetarëve shqiptarë të gjitha mediat e kontrolluara nga Edi Rama.
Imagjinoni ju se çfarë censure, çfarë kontrolli të rreptë ka Edi Rama mbi mediat, të cilat censurojnë akuzën publike të një europarlamentari të njohur, i cili deklaron haptas se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shteti.
U shtroj këto pyetje.
Së pari, Edi Ramës i them se nuk mundet me heshtjen tënde të kapërcesh këtë aktakuzë të rëndë, kurrsesi. Përkundrazi me heshtjen e bën edhe shumë më të besueshme.
Kjo heshtja 24 orë nga një lajm i tillë, i cili në të gjithë mediat e mëdha të botës do të përbënte një bombë të vërtetë, hesht si fija e barit.
Heshtja turpëron çdo media, çdo kompani mediesh, të cilat censurojnë në një akt jo miqësor ndaj qytetarëve, por në një akt censure armiqësore ndaj tyre, lajmin se Edi Rama me familjarët e tij transporton para jashtë shtetit.
A është kjo akuzë një rrufe në qiell të hapur?
Jo!
Kjo akuzë nuk është një rrufe në qiell të hapur.
Kjo akuzë vjen pas një seriali akuzash të bëra nga PD dhe personalisht unë, gjatë 3 viteve të fundit.
140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion, kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën.
Dëshiroj dhe uroj që mediat të mos e censurojnë këtë deklaratë bombë të një autoriteti të vërtetë në Parlamentin Evropian, ndaj dhe i lutem zyrës së shtypit t’ia dërgojë pa përjashtim të gjitha medieve me shpresë se do heqin dorë nga censura e një lajmi për të cilin është i interesuar çdo shqiptar i ndershëm pavarësisht nga përkatësia partiake.
PD nuk është mjaftuar me kaq.
PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin.
Ka të dhëna tronditëse.
Ka të dhëna që provojnë transportin e parave.
Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës.
Ju keni parë dhe keni konstatuar ambasadat tona të implikuara në transporte droge.
Por, deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë.
Nga ana tjetër i bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues.
I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i sjellin në banka të ndryshme.
Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët.
PD do të vazhdojë kërkesën e saj për hetimin më të plotë të mundshëm.
