Nisur nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin dhe që pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Tiranë u bën thirrje fermerëve të tregojnë kujdes të shtuar për kafshët në fermat e tyre, duke zbatuar masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së tyre. Sipas specialistëve, temperaturat e larta të verës shkaktojnë stres termik te kafshët, duke ndikuar negativisht në shëndetin, produktivitetin dhe aftësinë riprodhuese.
Si pasojë, mund të ulet prodhimi i qumështit dhe mishit, të dobësohet metabolizmi dhe sistemi imunitar, të rritet rreziku i infeksioneve, si dhe të shfaqen probleme në fertilitet dhe zhvillimin e embrionit. Për të minimizuar efektet e vapës, Agjencia rekomandon që fermerët të sigurojnë ujë të pastër, të freskët dhe të bollshëm gjatë gjithë ditës, të mbajnë kafshët në ambiente të hijezuara dhe të ajrosura mirë, si dhe t’i ushqejnë me ushqim të freskët, duke e ndarë racionin në disa vakte kur është e mundur.
Gjithashtu, këshillohet që të shmanget nxjerrja e kafshëve në kullotë gjatë orëve të pikut të temperaturave, ndërsa kullotja të organizohet herët në mëngjes ose në orët e vona të pasdites. Specialistët theksojnë se edhe kafshët mund të pësojnë goditje nga dielli, ndaj hijezimi dhe kushtet e përshtatshme në stallë janë të domosdoshme. Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e mbajtjes së stallave të pastra, të freskëta dhe me ajrim të mirë, sigurimit të hapësirës së mjaftueshme për lëvizje, krijimit të zonave të hijezuara për gjedhin, si dhe mbjelljes së pemëve pranë stallave për të përmirësuar mikroklimën. Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Tiranë u bën thirrje fermerëve të monitorojnë rregullisht gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe të konsultohen me veterinerin në rast se vërejnë shenja të stresit termik apo probleme të tjera shëndetësore. Sipas Agjencisë, kujdesi i shtuar gjatë periudhave me temperatura të larta është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si edhe për ruajtjen e prodhimit dhe qëndrueshmërisë së fermave.
