Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të fajësojë protestën qytetare për krizën në turizëm, ndërsa sipas tij, shkaktarët e vërtetë janë zhvlerësimi i euros nga ‘narkoeuro’, rritja e kostove për turistët dhe politika armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi protestën si ‘lëvizjen rinore qytetare më të fuqishme që nga vitet ’90’, duke akuzuar qeverinë për një fushatë të organizuar kundër protestuesve. Sipas tij, administrata shtetërore, policia dhe profile të rreme në rrjetet sociale janë përdorur për të denigruar protestën dhe për të ulur ndikimin e saj publik.
Duke folur për sezonin turistik, kreu demokrat deklaroi se plazhet shqiptare janë ‘shumë më tepër se gjysmë bosh. Turisti që paguante një dhomë 100 euro, sot duhet të paguajë 130 euro. Shqipëria është bërë më e shtrenjtë dhe kjo po largon turistët’, u shpreh Berisha. Ai shtoi se ndikim negativ ka pasur edhe qëndrimi i Ramës ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, duke pretenduar se trajtimi i deputetëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve nga Kosova ka sjellë rënie të prenotimeve drejt bregdetit shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal edhe te situata në Theth, ku akuzoi kryeministrin për shkatërrimin e ndërtimeve në zonë. ‘Ajo që i ka bërë Thethit nuk ia ka bërë asnjë pushtues. Për këtë do të japë llogari deri në minutën e fundit të jetës së tij politike’, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tjj lideri i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve të mbështesin protestën qytetare, duke e cilësuar atë si një betejë kundër ‘narkoshtetit’, ndërsa paralajmëroi se PD do të kundërshtojë edhe ndërprerjen e procesit për reformën territoriale, të cilën e konsideroi një tjetër akt arbitrar të qeverisë.
