E mërkurë, 22 Korrik, 2026

“Rolling Stones” barazojnë rekordin e “Beatles” në listat britanike

Share

Grupi legjendar britanik “Rolling Stones” ka barazuar rekordin e “Beatles” për numrin më të madh të albumeve që kanë arritur vendin e parë në klasifikimin zyrtar britanik.

Albumi i tyre i ri, “Foreign Tongues”, është bërë albumi i 15-të i grupit që ngjitet në krye të listës së albumeve në Britaninë e Madhe.

Albumi me 14 këngë vjen pas suksesit të “Hackney Diamonds” të vitit 2023 dhe është vlerësuar gjerësisht nga kritika si një nga projektet më të mira të grupit në vitet e fundit.

Me këtë sukses, Mick Jagger, Keith Richards dhe Ronnie Wood barazojnë një rekord historik të vendosur nga “The Beatles”.

Në vendin e dytë të klasifikimit renditet “My chemical romance” me versionin e ripërpunuar të albumit “Danger days: The true lives of the fabulous Killjoys”, ndërsa Olivia Rodrigo mban vendin e tretë me albumin e saj “You seem pretty sad for a girl so in love”.

Në vendin e katërt renditet përmbledhja “The Essential” e Michael Jackson.

Ndërkohë, grupi irlandez “December 10” i krijuar në vitin 2025 nga Simon Cowell, debutoi në vendin e pestë me albumin “On your side”, duke regjistruar hyrjen më të mirë në klasifikim për një grup djemsh në gjashtë vitet e fundit.

Në klasifikimin e këngëve më të dëgjuara në Britaninë e Madhe Sam Fender dhe Olivia Dean vazhdojnë të kryesojnë me hitin “Rein me in”, që ka qëndruar 17 javë jo radhazi në vendin e parë.

Kënga ka kaluar rekordin e Bryan Adams dhe është vetëm një javë larg barazimit të rekordit historik të Frankie Laine për numrin më të madh të javëve në krye të klasifikimit.

Te tjera

Lajme te tjera