E mërkurë, 22 Korrik, 2026

Alfred Cako zbulon kush e kontrollon në të vërtetë SPAK-un, nga “dorëzimi” i globalistëve te goditja e radhës, si ndryshoi loja pas ardhjes së presidentit Trump

Share

Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ka lëshuar deklarata të forta lidhur me prapaskenat e krijimit dhe drejtimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës Speciale (GJKKO). Sipas tij, kjo strukturë drejtësie u ngrit nga qarqet e liberalëve ndërkombëtarë në bashkëpunim me “Rilindasit” dhe lëvizjen Mjaft, të cilët kontrollonin botën perëndimore. Z. Cako pretendon se përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë, këto forca ndikonin drejtpërdrejt në goditjet që SPAK-u ndërmerrte ndaj figurave politike shqiptare. Ai thekson se goditjet ishin kryesisht të orkestruara kundër politikanëve antiglobalistë, duke veçuar rastin e Ilir Metës. Megjithatë, teoricieni shprehet se pas ardhjes së Donald Trump në krye të SHBA-së, loja e amerikanëve me drejtësinë shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht. Ai paralajmëron se skema e kontrollit tashmë është ndërlikuar dhe balancat e fuqisë në prapaskenë nuk janë më ato të parat. Në fund, Cako i mëshon idesë se epoka e kontrollit absolut të globalistëve mbi strukturat e drejtësisë në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re turbullirash.

“SPAK dhe Gjykata Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është krijuar nga liberalët ndërkombëtarë (dhe Rilindasit e Mjaftistët) të cilët deri më 2024 kontrollonin gjithë botën perëndimore. Nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Tiranë ata ndikonin në goditjet që bënte SPAK-u mbi politikën shqiptare sidomos kundër antiglobalistëve si I.Meta. Pas vitit 2024 dhe ardhjes së Trumpit si president në USA ndryshoi loja e amerikanëve me SPAK dhe skema është ndërlikuar”, deklaroi konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako gjatë një reagimi të shkurtër për gazetën “SOT”.

Cako hap debatin me teoritë konspirative

Ndërkohë analisti Alfred Cako ka bërë një sërë deklaratash të forta edhe në emisionin “Top Story” në Top Channel me Grida Dumën. Cako foli për parashikimet që, sipas tij, kishte bërë Phil Schneider, duke pretenduar se bota po ndjek një plan të ndarë në katër faza, që përfshin luftërat, hologramet, kontrollin e mendjes dhe një sulm të simuluar nga alienët. “Phil Schneider, i cili është vrarë, ka parashikuar katër faza. Një, do të bëhen luftëra në vende ku ka site të rëndësishme dhe të vjetra arkeologjike. U bënë luftëra në Irak, gjithashtu edhe në Iran, kudo goditen sitet arkeologjike për tu shkëputur sa më shumë me botën e shkuar të njerëzimit.

E dyta, kur nuk egzistonte hologrami ku kanë folur këta, do të shfaqet Jezusi në qiell do të shfaqet Jezusi apo Buda duke folur. E treta, do të jetë telekomunikimi përmes valëve të shkurtra që do të na flasin për të na ndryshuar mendimet nëpërmjet sistemit Harp. Dhe e katërta, do të bëhet një filmim holografik, ku ne do të na simulohet një sulm i alienëve. Kjo do të bëhet pasi të mbyllen edhe luftërat botërore të planifikuara, që do të çojnë drejt shpopullimit”, u shpreh Cako. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera