Zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, ka bërë me dije vijimin e masave parandaluese kundër plasjes (antraksit), një sëmundje zoonotike me rrezik të lartë për kafshët dhe njerëzit. Përmes Programit Vjetor të Kontrollit të Sëmundjes së Plasjes, të zbatuar nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, deri tani janë vaksinuar 69 350 krerë kafshë në të gjithë vendin, ndërsa procesi vijon me synim parandalimin e përhapjes së sëmundjes, mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore. “Plasja (Antraksi) është një sëmundje zoonotike me rrezik të lartë, e cila mund të transmetohet te njerëzit përmes kontaktit me kafshë të infektuara ose produkteve me origjinë shtazore. Për këtë arsye, ajo është sëmundje detyrimisht e lajmërueshme pranë Shërbimit Veterinar dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e saj. Në kuadër të masave parandaluese, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve zbaton çdo vit Programin Vjetor të Kontrollit të Sëmundjes së Plasjes të hartuar nga Drejtoria e Politikave Veterinare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e përhapjes së antraksit në fermat blegtorale në të gjithë vendin. Deri në këtë fazë, në kuadër të këtij programi për periudhën janar-qershor, janë vaksinuar 69350 krerë kafshë, përfshirë gjedhë, të imta, derra dhe njëthundrakë. Procesi i vaksinimit vijon ende, me synimin për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik”, shkruan zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika.
