E mërkurë, 22 Korrik, 2026

Zelensky ndryshon kupolën ushtarake, shkarkohet komandanti që drejtoi ushtrinë ukrainase, lufta me Rusinë hyn në fazë të re, ja çfarë po përgatit SHBA

Share

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Oleksandr Syrskyi, duke i dhënë fund ditëve të spekulimeve për të ardhmen e tij në krye të ushtrisë. Lajmi u bë fillimisht i ditur nga deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko në Telegram, ndërsa më pas u njoftua emërimi i gjeneralit Mykhailo Drapatiy si Komandant i ri i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Sipas njoftimit, Drapatiy, së bashku me Yevhen Khmara dhe Pavlo Palisa, do të drejtojë ristrukturimin e Shtabit të Përgjithshëm, në kuadër të reformimit të komandës ushtarake. Shkarkimi i Syrskyit vjen vetëm pak ditë pasi Zelensky ndërmori një riorganizim të gjerë të qeverisë, gjatë së cilës u largua edhe ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.

Largimi i tij shkaktoi protesta në Kiev dhe rriti presionin ndaj presidentit për ndryshime edhe në drejtimin e ushtrisë. Vetë Fedorov kishte deklaruar se dorëheqja e tij ishte rezultat i një konflikti të gjatë me Syrskyin. Pas largimit nga posti, ai e akuzoi komandantin e ushtrisë se kishte penguar reformat përmes burokracisë, kishte shpërfillur analizat operative dhe kishte favorizuar brigada që, sipas tij, i qëndronin besnike personalisht. Prej disa ditësh, qindra protestues ishin mbledhur para zyrës presidenciale në Kiev duke kërkuar largimin e Syrskyit. Demonstruesit brohorisnin “Syrskyi jashtë”, ndërsa disa mbanin edhe rende djathi, një lojë fjalësh me mbiemrin e gjeneralit, që në gjuhën ukrainase tingëllon si fjala “djathë”. Megjithëse Shtabi i Përgjithshëm kishte mohuar më herët raportimet për një shkarkim të afërt, mediat ukrainase dhe britanike, përfshirë The Guardian, raportuan se vendimi ishte marrë dhe se mbetej vetëm të përcaktohej pasardhësi. Largimi i Syrskyit konsiderohet një nga ndryshimet më të rëndësishme në drejtimin ushtarak të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus, ndërsa Zelensky synon të riorganizojë strukturën e komandës në një fazë kritike të luftës.

Lufta

Nga ana tjetër, forcat ruse sulmuan Ukrainën me 58 dronë të llojeve të ndryshme, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase arriti të neutralizojë 46 prej tyre. Lajmi u bë i ditur nga Forcat Ajrore të Ukrainës, të cituara nga Ukrainska Pravda. “Mbrojtja ajrore rrëzoi ose neutralizoi 46 dronë armik. Janë regjistruar gjithashtu 8 dronë sulmues që goditën 7 lokalitete”, njoftuan Forcat Ajrore, duke theksuar se gjatë natës së 21 korrikut Rusia kreu sulmin me gjithsej 58 dronë. Katër banorë të rajonit të Donetskut humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse gjatë 24 orëve të fundit sipas administratës shtetërore rajonale. Vala më e gjerë e sulmeve ndërkohë u krye nga Ukraina e cila lëshoi në territorin rus më shumë se 200 dronë në rajone të ndryshme. Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 209 dronë ukrainas, përfshirë disa që fluturonin mbi rajonin e Moskës, gjatë natës tha ministria e mbrojtjes.

“Në orët e natës, 209 mjete ajrore pa pilot të Ukrainës u kapën dhe u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi rajonet Belgorod, Brjansk, Voronezh, Kaluga, Kursk, Rostov, Rjazan, rajonin e Moskës, territoret Krasnodar dhe Stavropol, Republikën e Krimesë, si dhe mbi ujërat e Detit Azov dhe Detit të Zi”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Mes mungesës së sinjaleve për rikthimin në negociata të Kievit dhe Moskës, SHBA duket se mund të hedhë hapin e radhës. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, planifikon të zhvillojë një vizitë në Rusi, me shumë gjasa më 14-15 tetor, me ndalesë Moskën dhe Shën Petersburg. Lajmi publikohet nga Politico, që citon një zyrtar amerikan dhe një person të njohur me çështjen. Bëhet fjalë për një udhëtim të pazakontë dhe delikat për kreun e FBI-së. Nuk është ende e qartë nëse Patel do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin apo me bashkëpunëtorë të tjerë të lartë të Kremlinit por nisma vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Moskës për luftën në Ukrainë. Sipas raportimeve, pritja e tij në Rusi ka të ngjarë të organizohet nga FSB, shërbimi rus i sigurisë, pasardhës i ish-KGB-së sovjetike.

Te tjera

Lajme te tjera