E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Zbardhen detajet tronditëse në dosjen e Berishës që lanë pa frymë Lulzim Bashën që e bindën për ta përjashtuar nga PD, ja kush është zyrtari i lartë amerikan që “fundosi” non-gratën, avokat Spartak Ngjela plas “bombën” dhe akuzon kryefoltoristin si poliagjent që mori peng lëvizjen e dhjetorit ’90

Share

Rigels Seliman

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka shpërthyer dje në akuza e sulme të forta në adresë të Sali Berisha, ndërsa është kthyer pas në kohë, ku përveçse e akuzon se ka qenë bashkëpunëtor i qarqeve të huaja që duan copëtimin e Shqipërisë dhe mori peng Lëvizjen e Dhjetorit të vitit 1990, ai zbulon edhe arsyen se përse kryedemokrati Lulzim Basha e përjashtoi ish-kryeministrin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD në shtator të vitit 2021 dhe rrjedhimisht nga partia, ishte një akt i befasishëm për opinionin publik dhe vetë Berishën, por jo për një rreth të ngushtë të Lulzim Bashës dhe përfaqësinë diplomatike të SHBA në Tiranë. Trysnia mbi Lulzim Bashën për t’u distancuar nga Berisha ka nisur që pas datës 19 maj 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Berishën dhe familjen e tij në “listën e zezë” për korrupsion madhor, pengim të veprimit të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri. Megjithatë avokat Ngjela përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, zbulon se ka një pikë kthese në qëndrimin e Lulzim Bashës në raport me Berishës pas shpalljes “non-grata” nga SHBA. Ajo është vizita e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë, Philip Reeker, në 30 qershor 2021. Mesditën e 30 qershorit, Philip Reeker, i shoqëruar nga ambasadorja e amerikane në Tiranë Yuri Kim, hyri në selinë e Partisë Demokratike, për të zhvilluar një takim rreth 60 minuta me Lulzim Bashën. Të pranishëm në takim ishin edhe Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi. Ndërkohë Ngjela thekson se asokohe diplomati Philip Reeker i ka kërkuar Lulzim Bashës në mënyrë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, duke i zbuluar detaje nga dosja e Berishës. Janë pikërisht këto detaje, sikundër bën me dije avokati i njohur, Spartak Ngjela, mbi të cilat Basha mbështeti vendimi e vështirë për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar dhe PD. Më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron reagimin e plotë e avokat Ngjelës.

 

Ja reagimi i plotë i avokat Spartak Ngjelës

SHBA përshëndet përjashtimin e Berishës nga PD

Politika amerikane e përshëndeti Bashën për largimin e Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Por, çfarë ndodhi në këtë proces? Duket se po jemi në çastin kur shqiptarët do ta shporrin abuzimin e politikës antishqiptare në Tiranë, dhe procesi do të vijojë. Është koha kur Partia Demokratike po rrëzon tabunë e klanit Berisha në Partinë Demokratike. Dhe po shihet se këtë po e ndërmerr Lulzim Basha, që ka qenë më i zgjedhuri i klanit përfaqësues të tabusë Berisha. Në fakt, ky është fenomen i njohur: tabunë e rrëzon ai që kërkon të vijë e të udhëheqë klanin e tij si tabu e re. Kurse, klani i tabusë së rrëzuar, ikën bashkë me të. Tabuja është një krijim i mendjeve primitive, por ekziston ende në kohet e reja te shoqëritë e pazhvilluara, si psikologji klanore. Frojdi na tha se “tabuja formohet nga vektorë që janë me burim të mistershëm”. Por, pasi formohet nën këtë mister, ai është i paprekshëm. Kurse Enciklopedia Britanike e përcakton tabunë si një “ndalim të fuqishëm mistik për të prekur, për të thënë ose për të bërë diçka kundër dikujt”… Por që adhurohet nga klani i tij, dhe prandaj ka fuqi klanore. Në fakt, mu kështu është ndërtuar edhe politika shqiptare, që nga viti 1925 e deri në ditët e sotme – me fuqinë klanore të një tabuje.

Basha u njoh me kremit e Berishës nga një zyrtar i SHBA

Në të vërtetë, para dy ditësh, Lulzim Basha goditi tabunë Berisha. Duke goditur Berishën, Basha, në fakt, shkundi politikën shqiptare në një çast që ajo ishte në një gjumë letargjik. Por këtë goditje kundër tabusë Berisha, Basha e bëri me ndihmën e politikës amerikane, e cila ia shpalosi atij të gjitha dokumentet që provojnë aktivitetin kriminal të Sali Berishës kundër Shqipërisë. Basha mbeti pa frymë, kur zëvendës Sekretari i Shtetit, Philip T. Reeker, ia vuri përpara të gjitha bëmat e makabritetit antishqiptar të Sali Berishës. Pra, politika amerikane këtë herë veproi konkretisht. Dhe Basha nuk ishte i vetëm në këtë takim, sepse bashkë me të, në këtë ekspozim të Reeker-it, ishin dhe dy deputetë të tjerë që nuk po flasin, por që vetë Basha e tregoi, kur tha: “në takim ishin dhe dy deputetë të tjerë – deputetja Tabaku dhe deputeti Bardhi”. Dhe, këtë fakt, ai e përmendi me këputjen e lodhjes së tij fizike dhe shpirtërore, që ta jep gjithmonë një ngjarje e tillë. Po Saliu, e di këtë? Sigurisht që e di; por ai vijon të bëjë sikur nuk kupton, si të gjithë banditët, dhe mendon të fitojë duke i kujtuar klanit Basha frikën. Por, pafare mundësi trembjeje. Tani kuptohet se Berisha ka rënë si i rrëzuar në Partinë Demokratike, dhe ngjarjet po shihet se do të precipitojnë në favor të Lulzim Bashës.

Berisha lojtar anti-shqiptar dhe shkatërrues i opozitës

Po pas kësaj, çfarë po ndodh me politikën shqiptare? Na duhet të theksojmë se pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e prillit të këtij viti, me tiradat apolitike e të përgjumura të Edi Ramës, dhe me kakafoninë vulgare të gazetarisë dhe medias shqiptare në përgjithësi, politika shqiptare kishte hyrë në një gjumë letargjik. Ky lloj gjumi u imponua nga mungesa e aktit politik dhe paqartësia verbit të zgjedhur politik që karakterizon kryeministrin Rama. Edi Rama luan një teatër jodramatik dhe krejt popullor, dhe kjo kishte sjellë gjumin letargjik të politikës shqiptare. Gjumi letargjik i politikës vjen si pasojë e një kohë politike pa ngjarje dhe zakonisht shkon deri në gjashtë muaj, kurse ky gjumi letargjik aktual i politikës shqiptare, nuk i arriti dot të gjashtë muajt. Pse? Sepse Lulzim Basha bëri lëvizje të behtë, dhe rrëzoi nga pushteti Sali Berishën, abuzuesin e dhjetorit të vitit 1990, që, me abuzim kishte pushtuar politikën e djathtë shqiptare. Berisha, pa qenë në lëvizjen e dhjetorit, i mori lëvizjes motivin dhe nuk e la që ajo të bënte aktin kombëtar. E la lëvizjen e dhjetorit vetëm me motiv, por pa akt, sepse dhjetori i vitit 1990 mbeti gjithmonë një motiv pa akt. Të gjithë prisnin aktin, në 30 vjet rresht, dhe ai nuk erdhi asnjëherë. Akti, në fakt duhej të vinte me eliminimin e Sali Berishës, sepse ky ishte lojtari i qarqeve antishqiptare që kishte pushtuar të djathtën shqiptare dhe kishte marrë peng demokracinë shqiptare. Por, më në fund, koha erdhi: aktin final e bëri Lulzim Basha, pas tridhjetë vitesh: ai këto ditë përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dhe si pasojë e kësaj, ai në këto çaste po e kalon politikën shqiptare nga potenca në akt. Sepse, historia e demokracisë dhe ajo e zhvillimit shqiptar kishte mbetur vetëm në potencë. Kurse me flakjen e Sali Berishës nga politika e djathtë, pengesa e kalimit të zhvillimit shqiptar nga potenca në akt, tani duket se u kapërcye. Ky kalim nga potenca në akt, është tezë esenciale e filozofisë së Aristotelit; dhe sipas Aristotelit, kalimi nga potenca në akt, është suksesi i historisë. Por, a do ta çojë dot Basha deri në fund aktin që ka nisur? Po Berisha, a mund ta mposhtë Bashën me ndihmën e Beogradit, Moskës dhe Athinës dhe të ringjallë “Tabunë Berisha” në Shqipëri?

Basha gati të hapë letrat kundër Berishës

Po, ku konsiston epiqendra e kësaj politike të re të Lulzim Bashës? Basha para dy ditësh, përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dhe ky tani është fakt. Domethënë kuptohet se Basha e nxori jashtë politikës së djathtë. Dhe sigurisht, sikurse e analizuam edhe më lart, kjo është një ngjarje me rëndësi për Shqipërinë. Natyrisht, në historinë politike të Shqipërisë, ky ishte një akt i vonuar, por dihej ama që, ai që do ta kryente këtë akt, vetë do të merrte një vlerë të re në politikën shqiptare. Berisha ishte kthyer si një tabu e të djathtës shqiptare, dhe një kërcënues i vijueshëm i çdo çasti të progresit shqiptar. E djathta shqiptare asnjëherë nuk e kuptoi se si asaj iu krijua dhe si iu imponua kjo tabu me paprekshmërinë e saj. Berisha nuk mund të prekej, dhe kjo vinte nga frika që ai vete ua kishte ndërkallur të gjithëve në Partinë Demokratike, me të gjitha mjetet: me vrasje, me shpifje, me trillime kundër familjeve të kundërshtarëve, me çdo mjet amoral. Dhe, pikërisht ky është vetë procesi frikësues i krijimit të tabusë. Por, psikologjia moderne na ka thënë se, kush vret tabunë, bëhet tabu vetë. Po Saliu, si është bërë tabu? Edhe ai, pretendoi se vrau tabunë Hoxha, dhe u bë vetë tabu. Po Basha? Ky duhet pritur, do jetë një tabu, apo një politikan aktiv dhe i ekuilibruar? Kjo duhet parë hap pas hapi. Kurse duhet theksuar se, eliminimi i tabusë Berisha, sigurisht që ka sjellë optimizëm politik në Shqipëri, sepse do ndalojë më në fund dorën antishqiptare të të gjithë pushtuesve të tokave shqiptare, që, sipas dokumenteve që ka politika amerikane, është luajtur nga Sali Berisha që në vitin 1991. Po Basha dhe deputetët që Reeker-i u dorëzoi dokumentet kundër Berishës, do t’ua bëjnë të qartë shqiptarëve aktivitetin kriminal të Sali Berishës? Të shohim. Por sipas kësaj rrjedhe, nëse Berisha do ta vijojë rezistencën e tij pa sens, kuptohet se do të jetë vetë Basha ai që do t’i bëjë publike këto dokumente.

 

 

Te tjera

Lajme te tjera