Nga Rigels Seliman
Rruga e fundit e ish-kryeministrit Sali Berisha për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit ishte futja në koalicion me ish-presidentin Ilir Meta. Por teksa ky bashkim ndodhi, po ju sjellim akuzat e llahtarshme të kësaj dyshe gjatë këtyre viteve, pasi sa herë që iu është dashur të bashkohen ata i kanë përtypur këto sulme tronditëse ndaj njëri-tjetrit.
(Shtator 2015) Berisha: Meta i implikuar në çështjen ‘CEZ’
“Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”.
(Mars 2015) Berisha: Meta i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve
“Të protestojmë kundër Ilir Metës, të akuzuarit me zë dhe figurë si porositës i vrasjes së dy deputetëve dhe që nuk jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën hetimit. Pasnesër në ora 11:00 të gjithë në sheshin “Skënderbej” nën moton: të hedhim, të hedhim murin e krimit! T’i hedhim, t’i hedhim qelbësirat!”.
(Mars 2015) Berisha: Meta,‘kokë e qelbur’ e krimit
“Mund të flasësh gjithë ditën për krimin dhe lidhjet tuaja me krimin. Je kokë e qelbur! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë dhe në botë. Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.
(Mars 2015) Berisha: Meta ka lidhje me krimin
“Pa diskutim që lidhjet e krimit i konsideron forcën tënde, por unë edhe një herë të them: “Jep dorëheqjen!”. Jepi mundësi drejtësisë të të hetojë! Të pranosh me gjakftohtësi konkluzionet e saj. Mos ndëshko rendin! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Europë dhe në botë. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë gjë që i bëre vendit duke e shitur Tom Doshin nga një parti te një tjetër. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë që i bërë vendit duke kaluar nga një alibi në një tjetër. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë gjë, duke i zëvendësuar prokurorinë dhe gjykatat e vendit me Saimir Shullazin. Je gabim! Po merr mbi vete përgjegjësi gjithnjë e më të tmerrshme”.
(Gusht 2001) Berisha: Mbi Metën rëndojnë dy varre
“Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbylli jetën e tij pas hekurave të burgjeve.
(Gusht 2001) Akuza për trafik femrash
“Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit ky mbeti njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit në trafiqet e skllevërve të seksit, të fëmijëve, të drogës dhe të armëve. Ai është vrasësi dhe terroristi i opozitës, është njeriu që urdhëroi hedhjen e granatave mbi gjimnazistët në Tropojë.. Meta përfaqëson vrasësin e vërtetë të fjalës së lirë, është simbol i injorancës njerëzore, i tmerrit nga fjala e lirë”.
(Maj 2000) Pastrim parash
“Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë. A doni dokumente të tjera?”.
(Korrik 2000) Bëmat e Metës
“As me 30 ditë nuk përshkruhen bëmat dhe gjëmat tuaja. Unë detyrohem tani të ftoj shtypin që të bëj konferencë shtypi jashtë”.
(Korrik 2000) Vjedhja e thesarit të shtetit
“Ai e mori si çdo qeveri tjetër pasurinë për të vazhduar luftën, kurse ju vodhët thesarin, jo në vitin 1941, jo më 1939, por vodhët thesarin më 1999. Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve. Është e thjeshtë t’u thuash shqiptarëve se Leka Zogu mori thesarin, po edhe qeveria juaj e mori thesarin, dhe e mori atë më 28.12.1999, dhe e mori atë të tërin nga data 28 dhjetor deri në datën 22 prill”.
(Shtator 2000) Berisha: Mbathja Fatos, se prapa të vjen Meta
“Ti Ilir Meta, do të më falni për shprehjen, që të kapin banditët në mal të Dajtit pa pantallona, ti Ilir Meta, që më 14 Shtator mbushe poturet, ti Ilir Meta, që herë flet si pulë, kurse gjetiu tund vithet si gjel mbi pe. Ti je ai që do të thuash më 2 Tetor, “mbathja Fatos, se prapa të vjen Meta”.
(Nëntor 2000) Vjedhje votash
“Dënoj si autorë kryesor të kësaj masakre Kryeministrin terrorist Ilir Meta i cili dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve, feston ditën e flamurit me gjakun e adoleshentëve të Tropojës”.
(Dhjetor 1999)Akuzat për korrupsion
“Jeni vendosur në çatinë e botës për sa i përket korrupsionit. Unë nuk i besoj Dritëro Agollit kur thotë të gjithë jemi të përlyer, jam i bindur që në këtë grup parlamentar dhe kudo ka shumë të papërlyer dhe këtu…”.
Akuzat e Metës ndaj Berishës
(5 mars 2015) Meta: Do nxjerr videon e Shkëlzenit
“Përgjigja ime, doktor, është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën! Ta sqaroj edhe më shumë: mos u bëj pjesë e puçit të pularisë, me Tom Doshin dhe Dritan priftin si aksionerë! Po them këtë në mënyrën më miqësore. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin. Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty. Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato….”.
(19 mars 2008) Meta: Berisha kryefajtori për ‘Gërdecin’
“Agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Berisha, i cili di edhe për një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion apo drejtori dhe e largon nga puna, si të mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës”.
(Mars 2008) Meta: Berisha ishte kundër bombardimit të Serbisë nga NATO
“Po kështu, ky ka hall që Shqipëria të hyjë në NATO. Po ç’i duhet NATO-s Sali Berisha që nuk mbron dot si Kryeministër shtetasit e vet, popullin e vet, fëmijët e vendit të vet?! Nuk i duhet fare NATO Sali Berishës, sepse ka qenë edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se nuk e dini”.
(24 korrik 2008) Meta: Berisha sulmon amerikanët, i tmerruar nga ‘Gërdeci’
“E ka tmerr të krijojë një komision hetimor parlamentar për Gërdecin, kjo është akuza më e madhe për këtë Parlament, kur në SHBA është ngritur komision hetimor për këtë çështje. Asnjë amerikan nuk është vrarë, ndërsa neve na janë vrarë 30 njerëz, dhe këtu ende bllokohet, jashtë të gjitha procedurave, një kërkesë, që është bërë dhe është firmosur nga deputetët për të hetuar tregtinë e municioneve. Jo vetëm kaq, por na keni kthyer në ’97-ën. Në ‘97-ën u kthye edhe Berisha me atë fjalor që përdori ndaj deputetit dhe të gjithëve. Por, edhe Parlamenti ynë u kthye në ’97-ën, kur i sulmon amerikanët duke i nxjerrë ata dhe evropianët nga lozha”.
(Korrik 2008) Meta: Trebicka dëshmoi aferën e Gërdecit ku përmendej Berisha
“Kryeministri aktual edhe një herë dëshmoi dyfytyrësinë e tij. Të tjera fjalë dëgjuam nga Kryeministri ynë për të ndjerin Kosta Trebicka, kur ishte gjallë, pasi ai me kurajë denoncoi aferat e Gërdecit, ku përmendej edhe Kryeministri ynë dhe të afërm të tij, dhe të tjera fjalë (pra, sot u cilësua qytetar i përgjegjshëm dhe jo mafioz) dëgjojmë pas vdekjes së të ndjerit. Unë nuk jam këtu për të bërë lidhje midis spotit publicitar që ka dalë nga ana e Kryeministrit, i cili do t’u mbushë mendjen të gjithë shqiptarëve sesa shumë është luftuar korrupsioni dhe, njëkohësisht, i fton të gjithë që denoncimet t’i bëjnë te Kryeministri dhe jo te prokuroria dhe faktit tjetër që qytetari më kurajoz, që dëshmoi kundër korrupsionit, humbi jetën, pasi nuk dua të marr përsipër atributet e prokurorisë dhe të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, por e them me bindje që opinioni publik është tronditur në mënyrë të jashtëzakonshme nga një humbje e tillë, qoftë ajo edhe aksidentale”.
(Nëntor 2008) Meta: Berisha keqpërdor fondet publike për interesat personale
“Berisha vazhdon të keqpërdorë fondet publike për interesat e tij personale dhe politike… Berisha i ka gënjeshtrat të panumërta dhe për këtë është vërtet një kampion… Ky Kryeministër, në fakt, është kampion, sepse nuk rri dot në fund të mandateve të tij pa shkaktuar dy kriza të mëdha njëherësh, krizën financiare, si në vitin ’96, dhe krizën e zgjedhjeve”.
(13 korrik 2000) Meta: Vjehrri Berishës me pallat
“Ndërsa z. Berisha mund të na botojë pallatin e vjehrrit të tij, që e ka bërë gjatë kohës kur ai ishte president, për transparencë me opinionin publik. Për sa u përket akuzave që do të botojë zoti Berisha çdo ditë për mua, për gruan time, për vajzën time, për gjithçka që ka të bëjë me mua, unë jam tepër i qetë”.
(13 korrik 2000) Meta: Berisha projektoi ‘Piramidat’
“Z. Berisha përfundimisht është një politikan i degraduar, një politikan që nuk dëshiron ta shohë realitetin në sy, një politikan që kujton se jemi ende në vitin ’95 dhe në vitin ’96, që kujton se me teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet” mund të mbetet diçka në mendjen e qytetarëve… Unë dëshiroj t’i them z. Berisha dhe të gjithë atyre që folën për kontrabandën se në 6 muaj të këtij viti kjo qeveri ka realizuar të ardhura nga dogana aq sa ka realizuar zoti Berisha për katër 6-mujorë të viteve 1993, 1994, 1995, 1996 ose nga nëntori deri në mars, për 5 muaj, janë realizuar më shumë të ardhura nga doganat sesa janë realizuar në vitin ’96, që ka qenë viti i kulmit dhe njëkohësisht edhe i fillimit të rënies së qeverisjes të zotit Berisha për shkak të piramidave që ai projektoi”.
