Juristi Romeo Kara ka komentuar strategjinë e mbrojtjes së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në gjyqin ndaj tyre që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke e cilësuar si një betejë të fortë procedurale. Në një intervistë për gazetën “Sot”, ai shprehet se mbrojtja po kërkon që disa prova të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të shpallen të papërdorshme. Ai thekson se, nëse bëhet fjalë për prova kryesore mbi të cilat janë ndërtuar prova të tjera, rrëzimi i tyre mund të dobësojë ndjeshëm dosjen. Z. Kara veçon edhe përpjekjen e Metës dhe Kryemadhit për të ndarë përgjegjësitë.
Kryemadhi ka deklaruar se përgjegjësinë për disa marrëdhënie e mban ajo dhe se Meta nuk ka lidhje me to, ndërsa Meta ka deklaruar se për çështjen CEZ-DIA nuk ka lidhje Kryemadhi. Sipas juristit, kjo tregon një strategji për të ndarë rolet dhe për të goditur pretendimin për bashkëpunim mes tyre. Kara komentoi edhe vonesat e procesit, duke thënë se mbrojtja po përdor maksimalisht të drejtat procedurale. Sipas tij, kërkesat për prova, ekspertime, dëshmitarë dhe ndryshimin e masës së sigurimit mund t’i shërbejnë edhe shtyrjes së vendimit përfundimtar. Në fund, Kara thekson se beteja kryesore do të jetë nëse SPAK mund t’i provojë akuzat edhe pa provat që mbrojtja kërkon të nxjerrë jashtë loje.
-Z. Kara, mbrojtja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit po kërkon që një pjesë e provave të SPAK të shpallen të papërdorshme. Si e vlerësoni këtë lëvizje? Është një strategji normale e mbrojtjes apo mund të jetë një përpjekje për të dobësuar ndjeshëm dosjen e SPAK?
Po, kjo është një strategji normale për çdo mbrojtje, por në këtë çështje mund të ketë edhe një funksion shumë më të rëndësishëm, nëse provat që kërkohet të shpallen të papërdorshme janë prova primare mbi të cilat mbështeten prova të tjera, pranimi i kërkesës mund të dobësojë ndjeshëm konstruksionin provues të SPAK. Nga informacionet e fundit, mbrojtja e të dyve ka kundërshtuar konkretisht provat e nxjerra nga telefoni i Kryemadhit, ndërsa Meta ka kundërshtuar materiale dhe mesazhe që lidhen me pjesën CEZ-DIA. Kodi i Procedurës Penale parashikon se, provat e marra në shkelje të ndalimeve ligjore nuk mund të përdoren dhe se papërdorshmëria mund të ngrihet edhe kryesisht, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit.
Pra, bëhet fjalë për prova të papërdorshme dhe jo për prova të pavlefshme. Bëhet fjalë për prova për të cilat pretendohet se, nuk janë marrë sipas ligjit. Pavlefshmëria ka një tjetër kuptim e trajtim. Gjykata mund të shprehet se, kjo provë nuk mund të hyjë fare në vlerësimin gjyqësor, pasi mënyra e marrjes së saj ka qenë në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu përgjatë shqyrtimit gjyqësor gjykata mund t’i konsiderojë të përdorshme provat. Pra kemi një betejë të vërtetë procedurale. Ligji procedural përcakton se, provat nuk kanë vlerë të paracaktuar dhe çmohen në tërësi nga gjykata, gjë që do të thotë se, për çdo provë do të kemi një debat gjyqësor. Njëkohësisht mbrojtja do të kërkojë që me anë të shpalljes së papërdorshme të një prove, të rrëzojë të gjitha provat e prejardhura prej saj.
Sidoqoftë bie retorika: Zero fakte, zero prova. Provat janë aty dhe po kërkohet që ato të rrëzohen nëpërmjet procedurës. Unë do ta klasifikoja këtë si strategji normale, profesionale dhe potencialisht shumë të fortë të mbrojtjes dhe jo si një manovër thjesht për ta zvarritur procesin. Por në rastin konkret ajo mund të ketë edhe një objektiv strategjik më të thellë: të godasë provat burimore të dosjes, në mënyrë që të dobësohen edhe provat derivative. Kjo është shumë më serioze se kundërshtimi i një prove të veçuar. Kjo mund të detyrojë SPAK-un të shpjegojë: burimin e çdo prove, autorizimin përkatës, zinxhirin e administrimit, mënyrën e ekspertimit, lidhjen midis provave dhe bazën ligjore të çdo veprimi hetimor. Pra, mbrojtja mund të jetë duke kërkuar jo vetëm përjashtimin e provave, por edhe të detyrojë SPAK-un të ekspozojë para gjykatës arkitekturën e plotë të hetimit.
Kodi i Procedurës Penale kërkon vlerësimin e provave në tërësi dhe çështja vendoset mbi atë që mbetet ligjërisht e përdorshme. Prandaj pyetja vendimtare për GJKKO-n do të jetë: A mund të provohen elementët e akuzave edhe pa provat që mbrojtja kërkon të eliminojë? Nëse përgjigjja është po, kërkesa e mbrojtjes mund të jetë një sukses procedural, por jo domosdoshmërisht fatal për SPAK.
-Monika Kryemadhi ka deklaruar në gjykatë se përgjegjësinë për marrëdhëniet me disa persona e mban ajo dhe se Ilir Meta nuk ka lidhje me to. A mendoni se ky qëndrim synon të ndajë përgjegjësinë e saj nga ajo e Metës dhe sa peshë mund të ketë një deklarim i tillë në vlerësimin e gjykatës?
Unë e shoh këtë gjë si një lëvizje me dy funksione të mundshme, juridike dhe strategjike. Deklarimet kanë qenë reciproke nga të dy. Kryemadhi deklaroi se, përgjegjësinë për marrëdhëniet me disa persona e mban ajo dhe se Meta nuk ka lidhje me to, ndërkohë, në një seancë tjetër Meta ka kërkuar që përgjegjësia të individualizohet dhe ka deklaruar se për CEZ-DIA nuk ka lidhje Kryemadhi. Strategjikisht, kjo është një përpjekje për të ndarë dy pozicionet penale. Kjo është veçanërisht e kuptueshme sepse, sipas akuzës së raportuar, Meta dhe Kryemadhi nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtin rol në çdo episod. Për Kryemadhin janë raportuar dy episode korrupsioni pasiv në bashkëpunim, ndërsa Meta akuzohet për tri raste. Nëse mbrojtja arrin ta ndajë zinxhirin bashkëpunues Meta-Kryemadhi ajo mund të kërkojë që gjykata ta shqyrtojë përgjegjësinë e secilit individualisht dhe për çdo episod.
Analizuar me kujdes unë konstatoi se, këto deklarime janë të kalkuluara për të dhënë konkretisht këto efekte: Deklarimet e Kryemadhit tentojnë të shfajësojnë Metën për dy nga tre akuzat që ai ka, ndërsa Meta të shfajësojë Kryemadhin nga një prej tre akuzave. Jo vetëm kaq, por duke rënë bashkëpunimi ndërmjet tyre, Kryemadhit i rrëzohen të gjitha akuzat. Sidoqoftë deklarimi i saj nuk e çliron automatikisht Metën. Kjo është shumë e rëndësishme. Në një proces penal, Kryemadhi nuk mund të përcaktojë me deklaratën e saj se, Meta nuk ka përgjegjësi.
Gjykata duhet të shohë provat objektive. Unë mendoj se kemi një strategji mbrojtjeje të integruar dhe jo katër veprime të izoluara: shpalljen të papërdorshme të disa provave; individualizimin e përgjegjësisë; ndarjen e episodeve dhe ndarjen e rolit të Metës nga ai i Kryemadhit. Përfundimisht, Kryemadhi mund të marrë mbi vete një pjesë të barrës së akuzës, por njëkohësisht mund të tentojë të heqë nga ekuacioni elementin e bashkëpunimit të Metës. Ky është qëllimi. Nëse deklarimi është i qartë, konsistent dhe përputhet me prova të tjera, mund të ketë peshë. Nëse deklarimi nuk ka mbështetje objektive, gjykata mund ta konsiderojë thjesht si qëndrim të një të pandehure në kuadër të mbrojtjes. Nëse SPAK ka prova që tregojnë komunikim, takime, përfitime ose ndërhyrje të Metës, deklarimi i Kryemadhit mund të mos ketë pothuajse asnjë efekt madje und të krijojë një konflikt interesant dhe të kthehet në bumerang.
–A mendoni se Ilir Meta po e zvarrit qëllimisht procesin gjyqësor, apo vonesat janë pjesë normale e një procesi të tillë?
Po. Duke parë kronologjinë konkrete të çështjes së Ilir Metës, unë do ta ndaja çështjen në dy nivele: vonesa objektive të procesit dhe përdorim strategjik të të drejtave procedurale nga mbrojtja. Ka disa elemente që e bëjnë të arsyeshme pyetjen nëse mbrojtja po përdor maksimalisht hapësirën procedurale për të shtyrë ritmin e gjykimit. Mbrojtja ka bërë kërkesa për: transmetimin live të seancave, materiale dhe ekspertime shtesë, shqyrtimin e plotë të materialeve të telefonave, thirrjen e personave të ndryshëm si dëshmitarë, çështje të ndryshme lidhur me provat dhe ndryshimin e masës së sigurimit dhe ankime të lidhura me të. Vetë Meta ka kërkuar që seancat të transmetohen drejtpërdrejt, kërkesë që GJKKO nuk e ka pranuar.
Ekziston edhe një interes objektiv i Metës për të mos pasur një gjykim të shpejtë. Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Gjykata e Lartë në prill 2026 nuk pranoi rekursin e tij lidhur me pezullimin e afateve të paraburgimit, ndërsa një çështje tjetër për masën e sigurimit u kthye për rishqyrtim. Pra kemi një situatë ku koha ka rëndësi shumë të madhe juridike për të pandehurin. Nga pikëpamja strategjike, vonesa mund t’i shërbejë mbrojtjes për disa arsye: të shtyjë sa më shumë momentin e një vendimi në themel, të mbajë gjallë debatin mbi masën e sigurimit, të krijojë mundësi për ndryshimin e rrethanave procedurale, të konsumojë kohën e paraburgimit dhe të forcojë narrativën publike se procesi po zgjatet në mënyrë të pajustifikuar.
Intervistoi: Rigels Seliman
