Irani ka lëshuar raketa drejt Kuvajtit dhe Bahreinit duke shënuar përshkallëzim të luftës, ndërsa SHBA-të kryen sulme të reja ndaj ishullit iranian Qeshm. Më herët, ushtria amerikane deklaroi se kishte “çaktivizuar” një cisternë nafte që po lundronte drejt një porti iranian, duke e goditur me një raketë AGM-114 Hellfire.
Aeroporti në Kuvajt është goditur nga dronë dhe raportohet se ka një të vdekur dhe disa të plagosur.
Ministria e Brendshme e Bahreinit deklaroi se janë aktivizuar sirenat e alarmit dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt. Edhe në Kuvajt, mbrojtja ajrore ka shkatërruar raketa dhe dronë. Irani po sulmon bazën amerikane të Arifjanit dhe bazën ajrore Ali Al-Salem në Kuvajt.
“Pas veprimeve armiqësore të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, në Ngushticën e Hormuzit dhe në ishullin Qeshm, bazat amerikane në Kuvajt janë goditur”, thotë IRIB. Më tej, transmetuesi iranian publikoi atë që pretendon të jetë “një raketë e mbrojtjes amerikane në Kuvajt, e cila pasi s’ia doli të shkatërronte raketat e lëshuara, u rrëzua në një zonë joushtarake”.
Shpërthime janë dëgjuar në Erbil të Irakut dhe në Arabinë Saudite.
Mediat iraniane kanë sinjalizuar se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-ve janë në vazhdim, një ditë pasi u raportua se Irani i kishte pezulluar ato. Megjithatë, negociatori kryesor iranian ka kërcënuar me përshkallëzim të mëtejshëm nëse vazhdojnë sulmet izraelite ndaj Libanit.
Një raund tjetër negociatash midis Libanit dhe Izraelit do të mbahet sot në Uashington. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “përparimi po vazhdon në frontin politik dhe të sigurisë, ndërsa po lëmë pas dështimet e njëzet viteve të fundit dhe po ecim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që synon rikthimin e sovranitetit të Libanit dhe garantimin e sigurisë së Izraelit”. Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të lehtësuar këto negociata historike”.
Të paktën 10 persona janë vrarë gjatë sulmeve izraelite në jug të Libanit, raportojnë Ministria e Shëndetësisë dhe mediat lokale.
Trump: I thashë Netanyahut se është i çmendur, por ne punojmë mirë së bashku
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se e quajti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “të çmendur” gjatë telefonatës së tyre të fundit ku po diskutonin armëpushimin në Liban.
Duke folur në podcastin “Pod Force One” të Miranda Devine, Trump pranoi megjithatë se ai dhe Netanyahu “punojnë mirë së bashku”.
“Isha pak i mërzitur nga luftimet e tij të vazhdueshme në Liban”, tha Trump. “Por më pëlqen shumë Bibi. Dhe punoj shumë mirë me të. Unë jam një president në kohë lufte, dhe ai është një kryeministër në kohë lufte”, shtoi Trump.
Trump s’e fsheh kureshtjen për Khamenein: Do të doja ta takoja, duket se po shkojmë mirë
Presidenti Donald Trump tha se ai dhe udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, “duket se po shkojnë mjaft mirë me njëri-tjetrin”, megjithëse ajatollahu nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës së SHBA-ve në Iran.
I pyetur nga New York Post për gjendjen e ajatollahut, Trump u përgjigj: “Nuk po dëgjoj se është në gjendje shumë të mirë.”
“Nëse u besoni historive, ai, e dini, i mungojnë shumë pjesë të ndryshme,” tha presidenti. Më herët u raportua se Khamenei ishte plagosur rëndë në valën e parë të sulmeve amerikane kundër Iranit, të cilat vranë babanë e tij, Ali Khamenei.
I pyetur se kush po merr vendime për Iranin, Trump tha se beson që ai është i përfshirë dhe se iranianët “kanë shumë respekt për të”:
“Epo, ata thonë se ai po jep miratimin, sepse kështu ka qenë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Babai i tij dhe pastaj ai; besoj se është një trashëgimi pushteti. Por duket se po shkojmë mjaft mirë me njëri-tjetrin”, tha presidenti.
Trump tha se do të dëshironte të takohej me ajatollahun në një moment.
“Do të doja ta takoja. Me shumë gjasa do të takohemi në një moment, varësisht se si do të zhvillohen gjërat,” tha Trump.
