E hënë, 28 Shtator, 2026

Rikthehet në skenë vrasja e biznesmenit Kosta Trebicka, ja kush janë ekspertët që e mbyllën çështjen si aksident dhe si Sali Berisha po i shpërblen me poste e ofiqe

Share

Rigels Seliman

Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e djeshme në Kukës dhe ka zhvilluar një takim me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit. Kreu i Partisë Socialiste pati një koment për kandidatin e Sali Berishës për Bashkinë e Kukësit, Admir Sinamati, për të cilin thotë se po merr shpërblimin për mbrojtjen që i ka bërë Berishës kur ndodhi tragjedia e “Gërdecit”. Rama theksoi se Sinamati ka ndërhyrë tek letrat e Gërdecit për të mbuluar Berishën, e pikërisht për këtë arsye Rama shtoi se e ka kandiduar në këto zgjedhje. “Njeriu e humb. Politika të merr mendjen, pushteti të merr mendjen. Lërë pastaj po u fute në hallet si e atij të shkretit, sa të thotë Amerika mu hiq sysh se s’të shoh dot me sy. Ca ti thuash. E keni pa vjen vërdallë vetëm sha. Merret me njerëz, gra, burra, kalamaj se kujton se janë gjithë si puna e atij. Që edhe këtë kandidatin këtu e ka sjell për hall. E dini ju. E ka ndihmu ai. E ka ndihmu me ato letrat e Gërdecit. Po nuk ka rëndësi, edhe sikur mos ta kishte ndihmi me letrat e gërdecit, ata gërdecin e kanë në kokë të gjithë. Ku janë ata, ka një gërdec”, deklaroi ai.

Por, çfarë e lidh Admir Sinamatin me tragjedinë e Gërdecit?

Admir Sinamati është akuzuar shpesh se ka manipuluar dosjen e Kosta Trebickës, biznesmenit i cili më 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë. Ai ishte dëshmitari kyç i Gërdecit. Më herët, Kosta Trebicka kishte kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën, të birin e Sali Berishës, se do fliste për të vërtetën e biznesit të në Gërdec, ku pas shpërthimit humbën jetën 26 persona të pafajshëm. Trebicka ishte gjithashtu një rrezik potencial për të fundosur me dëshmi Fatmir Mediun, Sali Berishën dhe të birin, të akuzuar me fakte si protagonistë të Gërdecit. Sipas drejtësisë, Kosta Trebicka humbi jetën në aksident, por ka dyshime të forta se Trebicka është eliminuar nga persona me pushtet, për shkak të asaj që dinte për aferën korruptive të Gërdecit. Autopsia e Trebickës asokohe u krye me pjesëmarrjen e katër ekspertëve mjekoligjorë, nga të cilët dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Një prej tyre në atë kohë ishte ish-zëvendësdrejtori Admir Sinamati, i cili sot është kandiduar nga Berisha për Bashkinë e Kukësit. Sinamati shpesh herë është akuzuar se ka manipuluar autopsinë që i është kryer Trebickës.

Çfarë ka ndodhur?

Kanë kaluar 15 vite nga ngjarja tragjike e 15 marsit 2008, kur nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve, një biznes i Shkëlzen Berishës, u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Asnjëherë nuk është dhënë drejtësi për këtë krim shtetëror, ndërkohë që familjarët e viktimave të pafajshme mbeten dyerve të gjykatave. Por ka pasur dhe viktima të tjera, të cilat janë konsideruar si “anësore” dhe për më tepër vdekja e tyre misterioze është veshur me “tisin” e aksidentit automobilistik. Është një nga shpjegimet më të thjeshta të këtyre vrasjeve misterioze, ndërkohë që një shtet i tërë angazhohet për ta cilësuar atë aksident. Si në rastin e Kosta Trebickës, biznesmenit të paketimit të fishekëve, “gabimi” i vetëm i të cilit ishte se nuk u tërhoq me të mirë atëherë kur e anashkaluan në biznes, por deshi që të “hahej” me djalin e ish kryeministrit Sali Berisha. I cili kishte në dorë shtetin, që i shërbente me një “fishkëllimë” nga ministri më i thjeshtë e deri tek  më i rëndësishmi. Pa llogaritur organet ligjzbatuese, që për çudi njerëzit më të afërt të Sali Berishës u gjenden në Korçë teksa Kosta Trebicka ishte i shtrirë në një fushë të gjerë, i “aksidentuar”, ndërsa makina ende ruante kronometrimin 10 kilometra në orë shpejtësi. Shumë nga ata që shkuan të hetonin një nga ngjarjet më të bujshme, “vdekjen” misterioze të Trebickës në “gjueti”, por pak nga ata kanë realizuar punë konkrete në terren. Trumbetohet se kanë qenë më të mirët, por kolegët dhe ish-kolegët e tyre nuk mendojnë kështu. Të gjithë kanë rendur drejt fakteve, dyshimeve, provave kontradiktore apo dhe jo të tillë, por askush nuk është interesuar të dijë se cilët janë ata që realisht u morën në këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po ashtu me administrimin e provave që u gjetën atje. Pas konstatimit të vdekjes së Kosta Trebickës në vendin e ngjarjes të parët kanë shkuar ekspertët vendorë dhe nga Tirana. Burimet zyrtare thonë se atje shkuan ekspertët më të mirë, madje veprimet procedurale i kryen më të mirët. Megjithatë, deri tani nuk ka një variant bindës për vdekjen e Trebickës. Ishte aksidentale, apo kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale?

Te tjera

Lajme te tjera