Sapo shkeli tokën shqiptare pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shefi i qeverisë Edi Rama adresoi mesazhin ndaj shqiptarëve për arrestin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e lënë në arrest shtëpie nën akuzën se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Qëndrimin që ka mbajtur në 13 vite qeverisje kundrejt zyrtarëve që shkelin ligjin, kryeministri Edi Rama e rikonfirmoi edhe në rastin e Hysenit, duke u distancuar totalisht nga çështja e saj me drejtësinë dhe duke ia bërë të qartë se përballje me akuzën do ta ketë e vetme.
“Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë”, tha kryeministri Edi Rama.
Në mesazhin që zgjati 34 minuta, duke thënë se Vlora Hyseni ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë dhe se ka hyrë në borxh me besimin e pakursyer që i dha vendi, kryeministri adresoi jo pak kritika në drejtim të SPAK. SHISH, institucioni kryesor që siguron dhe ruan informacionin sekret të Republikës, sipas tij u ekspozua ndaj një dëmi shumë të madh që duhej të ishte parandaluar, me sekrete hetimore që vërshuan në “kanale sociale e tezga mediatike”.
“U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses”, theksoi Rama.
Për Ramën, hetimi ndaj kreut të Shërbimit Inteligjent të vendit, nuk është vetëm problem i drejtësisë, por është një çështje që prek sigurinë dhe interesin e të gjithë shtetit. Pikërisht për këtë, kryeministri e sheh mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur të hënën nga Presidenti Bajram Begaj, si vendin ku duhet të diskutohen garancitë për mbrojtjen e institucioneve të sigurisë kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.
“Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal. Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet”, vijoi Rama.
Mesazhet drejtuar opozitës i kishte të drejtpërdrejta, duke iu dhënë përgjigje disa pyetjeve që janë ngritur në diskursin politik në gjashtë ditët kur ai ishte përtej oqeanit, duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së. Se përse e mori vendimin për të emëruar Vlora Hyseni në krye të SHISH, shefi i qeverisë e shpjegoi në bazë të vlerësimeve të shkëlqyera që ajo kishte marrë nga partnerët ndërkombëtarë.
“Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje, në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere, nënvizoj, e shkëlqyera, ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit”, tha Rama.
Opozitës i bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, duke theksuar se ishte ai që mbështeti dhe udhëhoqi reformën në drejtësi.
