E hënë, 28 Shtator, 2026

Pushimet e shkurtra çdo dy muaj ndihmojnë në rikuperimin nga stresi i punës

Share

Një studim i publikuar në revistën shkencore “Cureus” sugjeron se pushimet e shkurtra dhe të shpërndara gjatë vitit, mund të ndihmojnë në rikuperimin e vazhdueshëm nga stresi i punës dhe në ruajtjen e mirëqenies.

Kërkimi u krye nga studiues të Institucionit për Shëndetin dhe Kujdesin (NHS) në Britaninë e Madhe, në bashkëpunim me Spitalin Tawam, në Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Në studimin me titull “Maksimizimi i rikuperimit: Epërsia e pushimeve të shpeshta për mirëqenien dhe performancën”, autorët Selvaraj Giridharan dhe Bhuvana Pandiyan argumentojnë, se pushimet e shpeshta mund të ofrojnë mundësi për rikuperim, në vend që ditët e pushimit të grumbullohen vetëm në një periudhë të gjatë gjatë vitit.

Autorët propozojnë që, si një strategji për menaxhimin e stresit, punonjësit duhet të planifikojnë pushime të shkurtra rreth çdo dy muaj.

Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e shkëputjes së plotë nga komunikimet dhe detyrat e punës gjatë pushimeve.

Një studim i publikuar në “Journal of Happiness Studies”, u realizua me ndjekjen e 54 punonjësve gjatë dhe pas pushimeve.

Pushimet zgjatën mesatarisht 23 ditë dhe pjesëmarrësit raportuan për gjendjen e tyre para pushimeve, disa herë gjatë tyre dhe në pesë momente pas rikthimit në punë.

Rezultatet treguan se mirëqenia dhe gjendja shëndetësore, u përmirësuan shpejt gjatë pushimeve dhe arritën nivelin më të lartë rreth ditës së tetë.

Megjithatë, pas rikthimit në punë, përmirësimi ishte jetëshkurtër dhe u kthye në nivelin para pushimeve brenda javës së parë.

Studimi tregoi gjithashtu se mënyra se si kalohen pushimet mund të ketë rëndësi.

Relaksimi, kënaqësia nga aktivitetet, ndjenja e kontrollit mbi kohën, përjetimi i aktiviteteve dhe gjumi më i gjatë e më cilësor, u shoqëruan me përmirësime më të mëdha në mirëqenie.

Autorët argumentojnë se këto të dhëna mbështesin idenë e rikuperimit të rregullt dhe, për këtë arsye, rekomandojnë shpërndarjen e pushimeve gjatë vitit.

Te tjera

Lajme te tjera