Rigels Seliman
Dje është përkujtuar 79-vjetori i çlirimit të qytetit të Ersekës (Kolonjës), ku veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, të afërm të familjeve të dëshmorëve, qytetarë e pushtetarë vendorë kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore kushtuar partizaneve të cilët dhanë jetën për çlirimin e qytetit. Kjo ngjarje e madhe u festua pranë lapidarit të ngritur në hyrje të qytetit të Ersekës në kujtim të çlirimit të qytetit dhe gjithë Kolonjës nga partizanët e Brigadës II Sulmuese të LANÇ. Pranë lapidarit u vendosën kurora dhe buqeta me lule për të përkujtuar dhe nderuar të rënët për çlirimin e Kolonjës. Në këtë ceremoni përveç qytetarëve dhe të afërmëve të familjeve të dëshmorëve morën pjesë dhe kryetari i Bashkisë, zoti Erion Isaj, kryetari i Partisë Socialiste, Aldo Xhelili, si dhe Islam Lamçe, djali i veteranit dhe patriot të madh kolonjar, Baki Lamçe. Ky i fundit ka qenë partizan trim, ndërsa ka dhënë një kontribut të madh gjatë Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare në zonën e Kolonjës dhe Korçës, duke luftuar kundër okupatorit nazi-fashist dhe rreshtuar Shqipërinë krah fituesve. I ndjeri dhe i paharruari Baki Lamçe shquhej për trimëri dhe inteligjencë të madhe. Ndërkohë detajet nga kjo ceremonia ka ndarë dje në rrjetet sociale edhe kryebashkiaku Isaj, i cili uron çlirimin e Kolonjës. “Gëzuar 20 tetorin. Çlirimin e Kolonjës”, shkroi kryebashkiaku Isaj, ndërsa ndan edhe foto nga ceremonia.