E diel, 27 Shtator, 2026

Nga “Revolucioni i Flamingove” te kërkesa për largimin e Ramës; mediat amerikane jehonë protestave në Tiranë

Share

Protesta kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner në bregdetin e Vlorës ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Associated Press dhe CBS News i kanë kushtuar hapësirë demonstratave në Tiranë, ndërsa The Observer ka publikuar një reportazh të zgjeruar mbi projektet në Sazan dhe Zvërnec, konfliktin për tokën dhe kundërshtimin e aktivistëve.

Sipas Associated Press, protesta nisi nga kundërshtimi ndaj projektit për një resort luksoz, por më pas u zgjerua në një lëvizje kundër qeverisë së Edi Ramës.

AP raporton se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa demonstratat vazhdojnë në Tiranë.

Të njëjtën panoramë sjell edhe CBS News. Media amerikane publikoi pamje nga protesta e së shtunës në kryeqytet, ku morën pjesë edhe përfaqësues të diasporës, dhe raportoi se demonstratat e nisura në fund të majit kishin hyrë në ditën e 105-të.

Sipas CBS News, protesta nisi kundër një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, por më pas mori karakter politik, me kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.

Por pas protestës që ka mbërritur në mediat amerikane qëndron një histori më e gjerë.

The Observer e lidh konfliktin me projektet turistike të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan dhe Zvërnec, kontaktet e tyre me Edi Ramën, çështjen e pronësisë së tokës dhe shqetësimet për ndërhyrjen në një zonë me rëndësi mjedisore.

Sipas reportazhit, Ivanka Trump ka treguar në podcastin Founders të David Senra se ajo dhe Jared Kushner u njohën me Sazanin gjatë një vizite në vitin 2021. Pas vizitës në ishull, çifti diskutoi për Sazanin gjatë një darke me kryeministrin Edi Rama në Vlorë.

The Observer shkruan se një takim i mëvonshëm në Davos shënoi një tjetër moment në kontaktet mes Ramës dhe Kushnerit për mundësitë e investimit në Shqipëri.

Kushner krijoi më pas kompaninë Sazan Real Estate Development. Sipas reportazhit, projektet e lidhura me të parashikojnë investime me vlerë rreth 5 miliardë dollarë në Sazan dhe në një pjesë të bregdetit të Zvërnecit.

Kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve të planifikuara solli lëvizjen e quajtur “Revolucioni i Flamingove”. Aktivistët kërkojnë respektimin e procedurave ligjore dhe të statusit mjedisor të territorit.

Joni Vorpsi, ornitolog dhe përfaqësues i PPNEA-së, pretendon se punimet fillestare nisën pa leje ndërtimi dhe pa një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis.

Qeveria jep një version tjetër. Sipas saj, në prill ishte dhënë një leje për vendosjen e gardheve dhe hapjen e rrugës dhe ishte kryer një vlerësim paraprak mjedisor. Edi Rama ka deklaruar se rrethimi shërbente për matjet dhe monitorimin mjedisor përpara fazave të tjera të projektit.

Tensioni u rrit pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje ku rojet private të sigurisë tërhiqnin një protestues. Projekti u ndal më pas përkohësisht dhe autoritetet njoftuan një studim të ri për ndikimin në mjedis.

Por protesta nuk mbeti vetëm te flamingot dhe projekti turistik.

Sipas The Observer, pjesëmarrësit nisën të kërkonin edhe dorëheqjen e Edi Ramës, reforma kushtetuese dhe zgjedhore dhe ndryshimin e legjislacionit për investimet strategjike. Ky zgjerim i protestës është pikërisht elementi që kanë evidentuar edhe AP dhe CBS News në raportimet e tyre.

Rama pranon se protestuesit kanë “shqetësime legjitime”, por argumenton se kundërshtimi ndaj projektit është ndikuar edhe nga qëndrimet politike ndaj presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri e mbron turizmin luksoz si një mënyrë për të rritur të ardhurat e Shqipërisë nga sektori dhe deklaron se projekti duhet të zbatojë standardet më të larta mjedisore.

Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, pranon në intervistën për The Observer se qeveria mund të mos ketë qenë mjaftueshëm e përgatitur për kërkesën e publikut për informacion dhe pjesëmarrje në vendimmarrje.

Kështu, një protestë e nisur për një projekt turistik në Zvërnec ka marrë një dimension tjetër. Raportimet ndërkombëtare e kanë zhvendosur çështjen te mënyra se si qeveria Rama trajton territorin, pronën dhe procedurat ligjore. 

Te tjera

Lajme te tjera