Rigels Seliman
Fillojnë ditët e nxehta për spiunin I.M dhe të gjithë politikanët që janë të lidhur me të shkuarën komuniste. Përshtatja e politikave për vënien në zbatim të ndryshimeve ligjore për hapjen e dosjeve po shkojnë drejt fundit dhe tani pritet të zbulohen fakte tronditëse për politikën shqiptare. Gazeta “SOT” ka mësuar se në datën 9 qershor, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula do të raportojë në Kuvend (komisionet parlamentare) punën e institucionit që ajo drejton si edhe do të sqarojë ribërjen e rregullores pas heqjes së pengesës ligjore për të verifikuar personat që janë pajisur në të shkuarën me certifikatë pastërtie nga dy komisionet Mezini dhe Bezhani. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka filluar nga puna për deklasifikimin e këtyre dokumenteve. Asokohe, këto dy komisione punuan me dy standarde, duke nxjerrë shumë politikanë me dosje të pastër dhe që nuk kanë pasur lidhje me ish-sigurimin, njëri prej të cilëve thuhet se është ish-presidenti Meta, i cili nga këta komisione doli i pastër. Gjithashtu pritet të vihet në zbatim dhe ultimatumi i Brukselit. Në rezolutën që u miratua për Shqipërinë më datën 23 maj nga Parlamenti Evropian përmendet për herë të parë për problemin e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për të cilat bën thirrje që të deklasifikohen dhe të bëhen publike për qytetarët në mënyrë që të përparohet në drejtësi.
Kërkesa e Çollakut
Autoritetin e Dosjeve e ka vënë në lëvizje kërkesa e deputetit demokrat, Kreshnik Çollaku pak kohë më parë lidhur me hapjen e dosjeve të të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Çollaku kërkoi që t’i vihen në dispozicion të gjithë listën e deputetëve të verifikuar nga viti 1991 deri në vitin 2023. Kjo kërkesë e Çollakut erdhi pasi Kuvendi i hapi rrugë hapjes së dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të politikanëve, të cilët kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet ‘Bezhani’ dhe ‘Mezini’. Ndryshimet në ligjin NR. 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit u miratuan në 22 tetor 2022 në Kuvend, me konsensusin e PS-së dhe PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Ku konsistojnë ndryshimet dhe çfarë pasojash sjellin?
Hiqet mburoja për politikanët dhe pushtetarët e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i tyre për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, nëse kishin marrë parë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Tashmë çdo kandidat për t’u zgjedhur deputet apo kryetar bashkie, do të verifikohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Heqja e kësaj mburoje u kërkua nga vetë Autoriteti i Dosjeve, pas pretendimeve se Ilir Meta kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji ndalonte një verifikim të plotë dhe shterues.
Dosja I.M
Emri i rrezikuar në këtë mes është spiuni I.M Ish-Presidenti Meta, aktualisht kryetar i forcës politike opozitare,”Partia e Lirisë”, ish- “Lëvizja Socialiste për Integrim” ka mohuar kategorikisht të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka akuzuar Autoritetin e Dosjeve për manipulim të dosjes së tij. Ai ka marrë certifikata të pastërtisë së figurës së tij nga strukturat përkatëse kur mori postin e Kryetarit të Parlamentit, 2013-2017 dhe atë të Presidentit të Republikës, 2017-2022. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka informuar se në emër të I.M ndodhen të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të shtetit. Bazuar në nenin 5 për të Drejtën e Informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, Meta është vënë në dijeni se në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, ka në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për të, një dosje përpunimi nr. 2565 e përbërë nga 140 faqe të anonimizuara, digjitalizuara, të hedhura në format CD. Kryetarja e Dosjeve e ka thënë pak kohë më parë se arkivat janë të paprekura dhe ekspertët po punojnë për fakte të reja që do të nxjerrin zbuluar shumë figura të larta të lidhura me ish-Sigurimin e Shtetit.
Pritet të zbulohen fakte tronditëse
Nga ana tjetër, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjatë vitit 2022 ka zbuluar se disa funksionarë publikë, të cilët kishin certifikatën e pastërtisë së figurës, ishin bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtarë të ish Sigurimi hetues apo gjyqtar. Sipas Autoritetit të Dosjeve, certifikatat e pastërtisë së figurës janë lëshuar mbi dokumente jo autentike dhe jo origjinale. “Autoriteti ka hasur vështirësi në zbatimin e dispozitës të pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015, i cili, në disa raste, ka dalë me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt, ku në një procedurë Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga institucione kushtetuese apo autoritete publike dhe vendimmarrja ka rezultuar që subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe në procedurën tjetër, ku Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga persona të prekur nga aktiviteti i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit dhe vendimi tjetër, në të cilin, i njëjti subjekt rezulton p.sh. si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtar i ish Sigurimit, hetues apo gjyqtar. Kjo pasi, dispozita e sipërcituar, pikë e nenit, ka sjellë pengesa dhe ka krijuar vështirësi. Dokumentacioni i trashëguar mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e këtyre komisioneve jo vetëm që nuk është autentik dhe origjinal, nuk ka kaluar nëpër një proces të mirë dhe të bazuar në rregulla të qarta mbi administrimin e ruajtjes së dokumentacionit zyrtar, nuk ka një inventar të saktë dhe gjatë përpunimit dhe përdorimit të tij kanë rezultuar pasaktësi”, thuhet në raport.
