E diel, 27 Shtator, 2026

Lulzim Basha nis procedurat për nxjerrjen nga jashtë SHQUP të Sali Berishës, Edi Rama merr në mbrojtje “Foltoren” sipas pazareve për kullën e Zenit

Share

Rigels Seliman

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha, janë dy politikanë që po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë. Lojërat, pazaret dhe marrëveshjet e fshehta, që ndër vite kanë bërë me njëri-tjetrin, i bëjnë të duken lojtarë të fortë, ndonëse të rrënuar nga hija e skandaleve dhe shpesh herë duke u përpjekur t’iu hedhin hi syve të shqiptarëve. Rasti më i freskët që faktoi se binomi Rama-Berisha janë bashkë, është ndërtimi i një kulle 64-katëshe në sheshin pas Teatrit të Operas dhe Baletit diku në qendër të Tiranës. Edhe pse ka akuza se pas ndërtimit të kësaj gradaçele fshihte djali i Berishës, Shkëlzeni, e madje shoqëria civile kërkon revokimin e lejes, kryeministri Rama nxitoi dhe e mbrojti këtë projekt. Por ky nuk është bashkëpunimi i vetëm i dyshes Berisha-Rama. Gazeta “SOT” ka mësuar se me rikonfirmimin e Lulzim Bashës në krye të PD zyrtare, kanë nisur procedurat ligjore për marrjen e selive të Partisë Demorkatike në gjithë Shqipërinë, aty ku i ka zaptuar “Foltorja” e Berishës, e në veçanti atë qendroren në Tiranë (SHQUP). Mësohet se ekspertët ligjor të PD dhe me të drejtën që ua njeh ligji, u kanë dërguar kërkesat institucioneve ligjzbatuese, në mënyrë që ato të çojnë në vend të drejtën që u takon demokratëve për t’u rikthyer tek selitë e Partisë Demokratike, të cilat janë marrë peng nga Sali Berisha dhe lakenjtë e tij. Pra, me këtë lëvizje taktike, Basha, nxjerrë përfundimisht jashtë politike dhe hedh në rrugë të madhe “non-gratën” Berisha, i cili do të përfundojë tek zyrat (“çatia”” e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, ndërkohë që do të mbahet mend në Shqipëri si njeriu që dhunoi demokratët për interesat e tij të ngushta familjare, të cilët e kishin bërë President, kryetar parti dhe Kryeministër. Pra siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore “po shkon haka tek i zoti”, referuar rikthimit të selisë blu tek PD zyrtare e Lulzim Bashës. Mirëpo, teksa Basha është në të drejtën e tij, mësohet se institucionet me urdhër të Ramës “nuk e kanë vënë ujin në zjarr”, duke bllokuar për momentin kështu përzënien e Berishës nga selia blu (ish-SHQUP). Ky mosveprim i institucioneve vjen si rezultati i pazarit Rama-Berisha dhe është një kabanë alarmin për këdo që ka vesh të dëgjojë, e sy të shikojë.

Si e mbajti në pushtet Rama Berishën në vitin 2008?

Megjithatë meqenëse jemi tek pazaret, gazeta “SOT” ka evidentuar disa ngjarje shumë të forta që kanë nxjerrë zbuluar filozofinë politike të mashtrimit e gënjeshtrave të dyshes Rama-Berisha që vazhdojnë të tronditin vendin. Zanafillën e bashkëpunimit të tyre mund ta kenë patur edhe më herët, por ne po sjellim për lexuesin një nga tragjeditë e rënda për Shqipërinë. Shpërthimi i Gërdecit. Pazari në fshehtësi mes Berishës e Metës dhe drejtësisë së degraduar, për të mos ndëshkuar korrupsionin e nivelit të lartë në biznesin e vdekjes, është po aq i rëndë sa vetë shpërthimi i Gërdecit, produkt i korrupsionit elitar, me pasojë 27 viktima, plagosjen mbi 200 personave dhe rrafshimin e rreth 300 shtëpive e bizneseve. 15 vite pas tragjedisë më të rëndë që ka prodhuar korrupsioni i kupolës politike në historinë e pluralizmit shqiptar, janë dënuar vetëm zbatuesit e aferës. Orkestruesëve dhe përfituesve të mëdhenj të Gërdecit, përkatësisht Sali Berisha, i biri Shkëlzeni, jo vetëm që nuk u ka hyrë një “gjemb në këmbë” për 27 varre, por sot dalin para shqiptarëve si shpëtues të demokracisë dhe e ardhmja politike.  Në memorien e shqiptarëve ka mbetur e skalitur sjellja e politikës në atë ditë, ku “prozhektorët” ishin drejtuar te Sali Berisha, kryeministër aso kohe, autori i ngritjes së punishtes së “vdekjes” në Gërdec, njëherësh përgjegjësi kryesor i vrasjes shtetërore, dhe te kreu i opozitës Edi Rama. Ka qenë epike vendosja e dorës në shpatullën e ish kryeministrit Sali Berisha nga ana e ish kreut të opozitës Edi Rama, e cila mori interpretime të ndryshme, por që në fund të herës u interpretua si një mbështetje e Ramës për Berishën në atë moment shumë të vështirë për ish kryeministrin. Në një vend normal, në një shtet normal dhe me një qeveri dhe opozitë normale, dy gjëra duhej të kishin ndodhur pas këtij krimi shtetëror: ose kryeministri Berisha të kishte dhënë dorëheqjen e menjëhershme, ose në rast të kundërt Edi Rama ta nxirrte me dhunë nga zyra. Asnjëra nuk ndodhi, pasi Berisha dhe politika shqiptare nuk e ka në “gen” dorëheqjen, dhe e dyta Edi Rama jo nga pafuqia por nga pazaret e “la” Berishën në pushtet.

Ndryshimet kushtetuese të 2008-ës

Ndërkohë edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duket se i kanë hapur rrugë një pazar atë gjithanshëm mes dyshes Rama-Berisha. Këta të dy mes debatesh dhe përmes një konsensusi të fshehtë, jovetëm që ndryshuan Kushtetutën me forcën e kartonit që Partia Demorkatike dhe Partia Socialiste gëzonte në Parlamentin e Shqipërisë asokohe, por prodhuan edhe një super Kryeministër dhe hodhën piketat e para të bashkëpunimit mes tyre, pavarësisht se ishin kundërshtarë politikë. Sot që flasim, Rama dhe Berisha krenohen për këtë marrëveshje që bënë 15 vite më parë me njëri-tjetrin, kjo ndoshta edhe për faktin përmes kësisoj paktesh, i kanë hapur rrugë edhe shumë pazareve, disa prej të cilëve janë në kufij e skandaleve, ku në këmbimi Rama i dha leje ndërtimi dhëndrit të Berishës në kompleksin “Partizani”.

“21 Janari”

Ngjarja që të gjithë menduan se Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e Ramë se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi. Koha tregoi se as Rama nuk ia doli të rrëzonte Sali Berishën erdhi pse edhi në pushtet me premtimin se do bënte drejtësi për gjakun e dëshmoreve te 21 janarit, por bëri fillimisht kryetar Parlamenti dhe pastaj president, Ilir Metën, për të cilin u vranë 4 dëshmorë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Edhe pse ka tre mandate, qe qëndron në pushtet edhe prej sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por nuk të hetoi kurrë ashtu si pati premtuar para gjithë shqiptareve. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Shërbimi Sekret Shtetëror janë nën kontrollin e Ramës prej 10 vitesh, por çuditërisht nuk gjetën dot asnjë provë për të ndëshkuar vrasësit e 21 janarit.

Si e faktorizoi Rama Berishën?

Edhe pse Berisha është i izoluar nga të gjithë ndërkombëtarët pas shpalljes non grata, kryeministri Rama vazhdon t’i japë “oksigjen” duke e mbajtur shumë fuqishëm në politikë. Vetë Partia Socialiste deklaroi para një viti se nuk do t’i përgjigjeshin ish-kryeministrit në asnjë reagim të tyre, qoftë edhe në Kuvend, por në fund ndodhi e kundërta. Rama jo vetëm që sfumoi figurën e Lulzim Bashës duke e kaluar në plan të dytë, por vazhdon ende ta faktorizojë duke krijuar sërish në syrin e publikut se është Berisha lideri i opozitës. Edi Rama, por edhe Berisha e di shumë mirë se rënia e njërit prej aktorëve qendrorë të sistemit, (Rama, Berisha, apo Meta) do të rrëzonte një pjesë, një këmbë apo një kolonë të sistemit dhe më pas gjithë sistemi do të gremisej.

Dhuna e 8 janarit në selinë e PD

8 Janari i 2022 ishte dita që përçau dhe ndau në dy grupe Partinë Demokratike. Partinë më të madhe të opozitës në vend. Një vit më parë Sali Berisha thirri protestë para selisë së PD që atë kohë drejtohej nga Lulzim Basha. Mbështetësit e Berishës e kthyen selinë blu në një arenë lufte për disa orë, pasi me dhunë tentuan të futen në selinë e PD që ishte e blinduar. Ishte një skenë që habiti jo vetëm Shqipërinë, por edhe mediat ndërkombëtare pasi kurrë nuk ishte parë një “luftë” e tillë brenda së njëjtës parti. Edhe në këtë rast Rama i doli në krah Berishës. Për të parandaluar marrjen me forcë të selisë blu, kryeministri duhet të çonte menjëherë policinë, por një gjë e tillë ndodhi shumë vonë dhe planet e Berishës në një farë mënyre u arritën.

Sulmet ndaj SPAK

Gjithmonë kryeministri Rama ka përdorur si justifikim gjatë qeverisjes së tij në këto tre mandate se faji kryesor i gjithë padrejtësive në Shqipëri është drejtësia e korruptuar. Me krijimin e SPAK, në patronazhin e amerikanëve kreu i qeverisë u shpreh se gjërat do të ndryshojnë dhe pas hekurave do të përfundojnë “peshq të mëdhenj”. Rama ka përdorur si justifikim se nuk është Prokuror që heton kur qytetarët i kanë kërkuar arrestime zyrtarësh të lartë. Por kur bëhet fjalë për tek Berisha, Rama i hedh të gjitha fjalët e tij poshtë. Jo shumë muaj më parë, kryeministri sulmoi hapur SPAK, duke i kërkuar llogari se pse nuk e arreston Berishën. Me këtë lëvizje kryeministri Rama e politizoi çështjen duke e furnizuar ish-kryeministrin me argumente se arrestimi i tij nëse bëhet është politik. Pra Rama e Berisha, edhe pse shahen e zihen në publik në prapaskenë janë shumë komodë me njëri-tjetrin. Gazeta ka evidentuar më lart ngjarjet më të forta ku qëndrojnë pazare mes Berishës dhe Ramës, por këto nuk janë të vetmet.

Zaptimi i selisë së PD, ja si Alibeaj e ngriti si shqetësim

 “Është e qartë për të gjithe që çdo degë e Partisë Demokratike duke përfshirë edhe selinë kryesore është zaptuar nga Berisha dhe njerëzit e tij dhe kjo ka pasur efektin e vetë në organizimin normal të një partie që po përgatitet të hyjë në zgjedhje. Me vjen keq që në këtë periudhë një pjesë e mirë e drejtuesve të PD dhe deputetëve, përfshirë dhe mua, kemi kaluar kohë më së shumti me debate mes njëri-tjetrit në forume, studio televizive apo në Kuvend, ndërkohë që duhet të kishim kaluar më shumë kohë me demokratët”, deklaroi ish-kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj disa muaj më parë.

Te tjera

Lajme te tjera