E diel, 27 Shtator, 2026

Kush i shërben Edi Ramës përfundon në burg, mallkimi i kryeministrit i ka marrë në qafë, nga Tahiri, Koka, Dako dhe Ahmetaj, te Bilali e McGonigali

Share

Rigels Seliman

Pas 10 vitesh në pushtet kryeministri Rama ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa përkrah në qeverisje. Të gjithë ata që i shërbyen kreut të qeverisë shqiptare duke firmosur shkresa, apo duke u bërë pjesë zinxhirit që duhet të ishte gati për çdo urdhër që vinte nga lart është dorëzuar sot para SPAK. Me gjithë propagandën dhe lojën e fjalëve që e preferon aq shumë, Edi Rama përsërit çdo ditë se përgjegjësia për cilindo që ka ngrenë dardha pas shpinës së tij është personale dhe se sipas tij, ata që janë zhytur me kokë në afera korruptive e kriminale duhet të japin llogari para Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Por historia tregon se sistemi i qeverisjes që ka ngritur kryeministri po prodhon aq shumë korrupsion sa që infekton këdo që hyn në orbitën e tij. Kur vjen puna që SPAK të troket tek dera, kryeministri nuk të shpëton, por të hedh vetë pas hekurave dhe këtë e vërtetojnë shumica e besnikëve të tij, të cilët ndodhen në burg.

Kush i shërben Edi Ramës përfundon në burg

Më konkretisht në qeli sot që flasim janë dhjetëra socialistë të burgosur, të cilët akuzohen se janë përfshirë në zullume, por që në të vërtet kanë qenë firmat për Edi Ramën që i fundosën. Mes grupit të madh që ndodhet në burg, kandidatë për në burg, apo që edhe disa prej të cilëve ia kanë hedhur paq, janë Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Vangjush Dako, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, të cilët kanë pasur raport të mira e tejet miqësore me kryeministrin Rama.  Ahmetaj me shokë i kanë shërbyer më së miri Ramës, por në fund të gjithë ata që kanë qenë kaq shumë të bindur i ka marrë “lumi”.  Jo vetëm kaq por mallkimi i tij ka kapur dhe besnikët e tij që i kryejnë punët “e pista” jashtë vendit. Shqiptaro-amerikani, Bilal Shehu u dënua disa vite më parë  nga një gjykatë në Nju Xhersi për interesat e Edi Ramës. Qëllimi i financimit ishte sigurimi i një fotoje midis Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit Barack Obama, e cila u përdor për propagandë në fushatën zgjedhore të vitit 2013 në Shqipëri. Në hetimet amerikane u zbulua qartë se Edi Rama dhe një nënshtetas grek ishin pjesë e konspiracionit për të shkelur ligjet amerikane përmes një skeme të kamufluar transfertash bankare. Ky informacion duhet të ishte i mjaftueshëm për prokurorinë shqiptare për të hapur hetimet për pastrim parash, por ajo nuk mori asnjëherë ndonjë hetim për këtë aferë ku përfshihej kryeministri Rama. Kjo nuk mbeti situata e vetme, pasi meqenëse Rama shpëtoi njëherë nga lotimet, tentoi ta provonte sërish. Dyshimet se regjimi i Tiranës ka arritur të korruptojë zyrtarin më të lartë në historinë e FBI-së, që hetohet për këtë krim, e ka vënë në një vështirësi të dukshme kryeministrin shqiptar, pasi këtë herë ndryshe nga një foto me Bilalin ai akuzohet se ka arritur të bëjë atë për të cilën nuk ia kanë dalë deri më tani, as Pekini dhe Moska, duke thyer rekordin e blerjes me para të pista të shefit të kundërzbulimit të njërës prej agjencive më prestigjioze në glob. Por edhe ky personazh që i shërbeu kryeministrit Rama rrezikon të përfundojë në burg. Madje Rama mund të përfundojë dhe i larë nga kjo histori. Nëse McGonigali pranon fajin, atëherë autoritetet amerikane bien në një ujdi dhe çështja nuk hetohet më thellë. Kryeministrit nuk i del emri dhe dosja mbyllet.

Si i mbrojti Rama, pastaj i lëshoi bashkëpunëtorët e tij

Të gjithë këta personazhe që kemi përmendur, kryeministri Rama për disa ka thënë se janë të pastër, madje disa i ka konsideruar dhe shokë, por në fund kur plasin skandalet dhe drejtësia shkon drejt fletë-arrestit, Rama nuk të njeh më. Ai ka thënë se me këta personazhe  ka bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer. Sipas tij, në momentin që ata i ul në karrige u thotë që për çfarëdo që do të bëjnë pas shpinës, do të përgjigjen vetë. Por pyetja është se a mban përgjegjësi drejtuesi dhe organizatori që është votuar nga populli pikërisht për këtë punë?

Te tjera

Lajme te tjera