Rigels Seliman
Ditët e fundit po faktohet sërish ajo që gazeta “SOT” e ka shkruar dhe vazhdon ta evidentojë prej kohësh, një pazar i konsoliduar midis kryeministrit Rama dhe Sali Berishës për të goditur SPAK. Nëse amerikanët dhe britanikët e përzunë Berishën me “shkelma” nga politika, Rama po mundohet ta riciklojë sërish me pazare të pista. PS, partia në pushtet ka hyrë në negociata të fshehta me “Foltoren” ilegale që drejton ish-kryeministri i izoluar nga banesa e tij. Flitet për komisionet hetimore, por ka zëra se po bëhet pazar dhe për gjëra të tjera, përfshirë reformën zgjedhore, amnistinë penale dhe reformën në drejtësi. Pavarësisht se bëjnë sikur zihen dhe janë armiq të përbetuar, Rama është njeriu më i interesuar në planet që Berisha i izoluar nga SPAK dhe i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani e Madhe mos dalë në pension, por të vazhdojë sa të ketë frymë në politikë.
Pazaret
Kjo dyshe e ka nisur këtë bashkëpunim shumë vite më parë, si një shkuesi interesash që kishin qëllim groposjen e pluralizmit dhe instalimin e një sekti, të cilët do ndanin pasurinë kombëtare në llokma për orekset e tyre, të hedhura dorë më dorë në një grup biznesmenësh. Shumëkush e kujton 15 marsin e viti 2008, ditën e tmerrshme të tragjedisë të Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 banorë të kësaj zone. Ishte ajo ditë ku Rama i rrahu shpatullat Sali Berishës, autorit dhe ekzekutorit të atyre që punonin për kafshatën e gojës. Ky moment kulminant shënoi nisjen e ndryshimit të një epoke të re në politikën shqiptare. Kjo tragjedi konfirmoi një aleancë të re midis Berishës dhe Ramës, që vendosën të ndryshonin kushtetutën në 21 prill të vitit 2008. Nga ky moment, nisi shkatërrimi i vlerave të një shoqërie demokratike duke u shndërruar në një klikë oligarkie të mbështetur në një tufë biznesmenësh që pastrojnë paratë e dyshes Berisha-Rama. Nga ajo periudhë deri më sot kjo dyshe ka prodhuar vetëm koncencione, abuzime, ligje antikombëtare dhe qeverisje antidemokratike.
Dosja e “zezë” e Berishës
Shqiptarët kanë 33 vite, që po përjetojnë bëmat dhe gjëmat e këtij individi që të gjithë menduam se mori fund kur e goditi SPAK, por që tashmë Rama po e rehabiliton sërish. Nuk mund të mohohet fakti, që veprimtaria e Sali Berishës është një “dosje e zezë” voluminoze, mbushur me fakte prapaskenash, konfliktesh, përçarjesh të shqiptarëve që nga Tropoja në Konispol, mashtrimesh, aferash e krimesh të cilat e kanë sjell dhe e kanë mbajtur në politikë, në pushtet, në opozitë. Edhe pse ka bërë gjithçka që e etiketohet nga të gjithë si “vrasës të shqiptarëve”, si “krye-hajdut të pasurive kombëtare” dhe “anti-shqiptar”, Sali Berishës nuk i bëjnë aspak përshtypje këto zullume që ka bërë në 33 vitet e tij, si “desant” i ish-sigurimit të shtetit dhe i byrosë politike të PPSH, me mision brenda lëvizjes demokratike në Dhjetor 1990 e deri sot kur po kërkon sërish që të faktorizohet për të shpëtuar nga prangat e SPAK. Përkundrazi, ai po vazhdon të shtojë hajdutëritë dhe krimet ndaj këtij populli e këtij vendi, tashmë duke përdorur bandën në pushtet. Janë shumë episode të hidhura, prej të cilave Sali Berisha bëhet me “hije” kur ia kujtojnë.
Akuzat
Spiunimi kundër Hysen Shoshorit, të dënuarit të diktaturës, që Sali Berisha e denoncoi në gjyq në vitin 1975, duke paraqitur një “trakt” të shkruar prej Hysen Shoshorit. Sali Berisha ka ulëritur në atë gjyq: “Ky është armik, kërkoj të dënohet me vdekje, me varje në litar”. Puçi ndaj (ar)mikut Azem Hajdari, si kryetar i Grupit Nismëtar të Themelimit të PD, pak ditë pasi Saliu u fut në lëvizjen studentore me nofkën “misionari”. Misioni vëzhgues i Sali Berishës, realizuar me veturën e ish-Sigurimit të Shtetit, në datën 20 shkurt në Sheshin “Skënderbej”, ditën kur shqiptarët po rrëzonin bustin e diktatorit, njohur për shqiptarët. Skandali me dekoratën e akorduar për super-mashtruesin Nikola Arsidi, pas të cilës qëndronin 1.6 milionë dollarë të vjedhur prej tyre. Prapaskena puçiste ndaj Eduart Selamit, duke e spostuar nga kryetar i PD me kërcënime për eliminim fizik, duke e detyruar të largohet nga Shqipëria, me presione e makinacione. Prapaskenat ndaj Azem Hajdarit, duke tentuar ta largonte nga PD me heqje imuniteti, me shpifje si “spiun e hajdut” në gazetën “RD”, me presione të bëra prej SHIK-ut, me kurthe në atentate dhe me eliminim të tij, duke inskenuar nxjerrjen nga mbledhja e kryesisë së PD, natën kur e vranë. Takimi me krye-terroristin e krye-trafikantin Arkan, kreun e krimeve dhe genocidit të regjimit të Milosheviçit kundër shqiptarëve të Kosovës, ku u planifikua trafiku mafioz i armëve e naftës. Fshehja e etnisë serbe të bashkëshortes së tij Sllobadanka Ramoviç, ndryshuar (përkthyer nga serbishtja) në gjendjen civile shqiptare, me emrin Liri Berisha. Publikimi i 230 fotografive, që Sali Berisha (blloku) dhe familja e tij, kanë bërë me familjen e Enver Hoxhës dhe me krerët e lartë të ish-diktaturës komuniste, të cilës i ka shërbyer me devocion dhe krime ndaj kolegëve, si ish-sekretar partie dhe si ish-bashkëpunëtor aktiv i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Penecilina”.
Disa nga mashtrimet
Mashtroi pronarët për kthimin e pronave, duke nxjerr ligje të qëllimshme për mos kthimin e pronave dhe grabitjen e tyre prej “pronarëve të rinj” të shpikur prej pushtetit “Berisha”të cilët ishin pjesëtarët e klaneve të Saliut. Berisha, mashtroi ish-të përndjekurit politikë për integrimin e tyre me strehim, punësim, shkollim e dëmshpërblimin financiar të viteve të burgut, por nxori ligje, me të cilat prej vitesh i mashtroi dhe i talli. Mashtroi shqiptarët për ndarjen e barabartë të pasurive kombëtare, por i grabiti ato me klanet e tij të ardhura në pushtet, duke i shitur për “5 kacidhe” dhe duke i shkatërruar ekonominë dhe ndërmarrjet ekonomike. Mashtroi shqiptarët, se do të kryente privatizimin e ekonomisë kombëtare, duke pasur pronar të vetëm punëtorët, por hodhi në rrugë dhunshëm si skllevër afro 1.2 milion punëtorë e specialistë. Mashtroi 65% të popullsisë në fshat, se do t’i pajiste me shërbim shëndetësor, me arsim modern, me rrugë, me ujë, ndriçim e transport publik, por i zhduku dhe ato shërbime jetësore që kishin, duke detyruar banorët të braktisin dhe boshatisin afro 800 fshatra e të zbresin pa asnjë shpresë nëpër qytete.
Mashtroi shqiptarët e mbetur të pastrehë pas vitit 1990, se brenda vitit 1993 do t’i strehonte, por strehoi vetëm “byronë politike të PD” dhe militantët e tij gjeografikë, ndërsa 75 mijë familje e atij viti vazhdojnë të dëgjojnë mashtruesin “Sali” prej vitesh. Mashtroi shqiptarët me premtimin për punësim, duke u thënë se në çdo qytet do ngrihen fabrika e uzina, por i ktheu 27 qytete në geto mjerimi me pasoja të rënda social-ekonomike. Mashtroi shqiptarët për futjen në BE, por ka 33 vite që është bllokuar ky proces. Berisha vazhdon demagogjinë e tij me pazare të pista me Edi Ramën, duke e lënë Shqipërinë larg dhe jashtë BE.
Ja akuzat për krimet e klanit politiko-qeverisës të Sali Berishës
Rrëmbimi, torturimi dhe zhdukja fizike e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha nëpërmjet bandës së tij “SHIK”-u, duke mbrojtur dhe graduar ekzekutorët me poste të larta në pushtetin “Berisha” Djegia e Shqipërisë në vitin 1997, për shkak të piramidave të tij financiare hajdute zyrtare, duke shkrumbuar pronat publike, institucionet e shtetit, pronat private, me bilanc edhe vrasjen e afro 3000 shqiptarëve. Shkatërrimi i institucioneve në 14 Shtator 1998, pas sulmit të opozitës “Berisha” për të marrë pushtetin me dhunë, duke kthyer edhe PD për 1 muaj në repart tankesh e topash luftarakë. Vrasja e 26 skllevërve burra, gra e fëmijë dhe shkatërrimi i 3000 bizneseve nëpërmjet aferës kriminale të pushtet-familjes “Berisha”, organizuar në “fabrikën e vdekjes” në Gërdec, të ngritur prej mafies shtetërore për demontim e trafikim municionesh. Përmbytja e Qarkut të Shkodrës prej aferë-krimit të import-eksportit të energjisë elektrike, duke shkatërruar 40 mijë biznese, 30 mijë familje, 200 mijë bagëti dhe mijëra hektarë të mbjella.
Vrasja e 4 demonstruesve e plagosja e 40 të tjerë venë 21 janar 2011, duke urdhëruar Gardën e Republikës për të qëlluar mbi popullin që kërkonte punë dhe bukë.
Zërat kundër Berishës
Një personazh që e njeh mirë ish-kryeministrin Sali Berisha është dhe analisti i njohur Frrok Çupi, i cili ka evidentuar edhe në gazetën “SOT”, detaje nga dosja e tij “e zezë”. Sipas Çupit, drejtësia ka në dorë edhe dosje të tjera, të cilat kanë nga pas bëmat e Sali Berishës për vite me radhë duke nisur nga viti i mbrapsht i 1997. “Është një krim i madh i krahasueshëm me organizatat mafioze në botë, të cilat kështu janë krijuar. Pak banale, pak komike, pak tragjike, pak të papritura dhe kanë ardhur deri më sot. Kjo që po ndodh sot me Berishën është historia e një shtetit gangsterësh. Presim gjyq të gjatë, presim lojë me nervat, presim sfidat të dështuara dhe të pe dështuara. Unë mendoj se ky gjyq mund të zgjas edhe pas jetës së Sali Berishës, këto akte, për shkak të gjerësisë që ka çështja dhe për shkak të procesionares që ka. Është një ekip I tërë. Ka procese të njëpasnjëshme, që do hapen si fletët e një libri, sepse do hapin njëri tjetrin. Nga kjo atmosferë deh kjo dosje…Jamarbëri është thjeshtë një ushtar I Berishës, e gjitha rëndesa e çështjes është tek Berisha., Berisha I ka kryer krimet dhe I ka udhëhequr. Pas kësaj do dalin dhe janë nëpër duar Gërdeci dhe 21 janari, pastaj kemi histori të tjera me Haklajt në Tropojë ,e pastaj kemi problemin me embargon dhe pastaj kemi probleme me piramidave, kjo është histori, e cila me siguri do t’ia kalojë Al Capones”, ka deklaruar ai pak kohë më parë.
Si i ka shpëtuar drejtësisë
Nga ana tjetër, edhe ish-kreu i SHISH Fatos Klosi kujton vitet e errëta të ’97-’98 ku Berisha edhe pse kreu krime të rënda i shpëtoi pa u lagur drejtësisë. “Ai i ka shkelur këto gjithmonë, sa herë i është shmangur. S’është punë frike por ai do të hiqet mbi prokurorinë, nëse ata do shkojnë më tutje me masën e sigurisë më pas mund të detyrohet që të shkojë. Ai sillet kështu se mendon se si bënë dot me gjë njeri, deri sa të bindet se nuk është më ajo drejtësi që ka qenë më para. Berisha ka bërë shumë zullume në këtë vend. Ka qenë ’97 kur hapi depot e armëve. Ishte urdhri i tij. Ishte ’98. Për këto krime nuk u thirr Berisha, por u thirrën të tjerë më të vegjël. Por edhe gjykata edhe prokuroria nuk donin që të merreshin shumë me të sepse kishte militantë. Edhe në ngjarjen e 28 nëntorit atëherë kur u sulmua komisariati i Tropojës, që e morën dhe e mbajtën në nja dy orë në polici, por u tremb. E lanë të lirë më pas sepse e quajtën një sqarim edhe tani do trembet nëse prokuroria do të tregohet e fortë. Unë shpresoj që të tregohet e fortë sepse gjërat kanë ndryshuar shumë”, u shpreh Fatos Klosi.
Krimet që duhet të hetohen
Edhe avokati i njohur Idajet Beqiri shprehet se Sali Berisha, duhet të hetohet për të gjitha aferat publike dhe krimet shtetërore gjatë 33 viteve. Ai thotë se Berisha duhet të hetohet për të gjitha ngjarjet, që nga 1990 e deri sot. Sipas tij psikologjia e mosndëshkimit duhet të marrë fund. “Dosjet e Gërdecit, vrasjet politike të 4 qytetarëve të pafajshëm dhe plagosja e dhjetërave të tjerëve në 21 janar 2011, ashtu si edhe mjaft krime të tjera të rënda si vrasjet e 2 prillit 1991, dosja e zezë kriminale e vrasjeve dhe djegies së Shqipërisë në vitin 1997, vrasja e Azem Hajdarit dhe grushti i shtetit në 14 shtator 1998, janë gurët më të rëndë që i rëndojnë dhe do t’i rëndojnë në qafë Shqipërisë, shqiptarëve dhe vetë institucioneve të shtetit. Dhe jo vetëm do t’i rëndojnë në qafë Shqipërisë, por kjo rëndesë, në vend që të pakësohet, do të bëhet gjithnjë e më mbytëse, gjithnjë e më asfiksuese, deri në sfilitje të rëndë, nëse nuk do të jepen sinjale serioze shprese dhe besimi se në këtë vend nuk do të mbetet asnjë krim shtetëror pa u zbuluar dhe ndëshkuar. Për hir të së vërtetës, shqiptarët e kanë humbur prej kohësh shpresën dhe besimin te parimi i ndëshkueshmërisë së çdo lloj krimi dhe krimineli, kushdo qofshin ata. Krimet shtetërore të sipërcituara janë kryer prej organizatës kriminale dhe grupeve kriminale të cilat kanë patur si kokë frymëzuese, nxitëse dhe udhëheqëse ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Këto krime po e mbajnë dhe do e mbajnë Shqipërinë dhe shqiptarët për një kohë edhe më të gjatë peng të së keqes, të mbrapshtisë, të sfilitjes dhe të përgjumjes së energjive të kombit, të zvarritjes së tij, por jo të energjive pozitive çliruese. Nëse shqiptarët e pritën dhe vazhdojnë ta presin me pozitivizëm, besim dhe shpresë reformën në drejtësi, këtë e lidhin pikërisht me luftën reale që do t’u shpallet krimeve të rënda që sipërcituam dhe numëruam. Nëse do të bëhet kompromisi i radhës, nëse do të zvarritet për shkaqe subjektiviste dhe të hesapit reciprok lufta për ndëshkimin e merituar të këtyre krimeve, zhgënjimi edhe prej pritshmërive prej reformës në drejtësi do të ishte po aq i rëndë, madje shumë më shumë i rëndë sesa vetë ato krime të kryera të marra sëbashku. Dosjet janë të gatshme, janë të përgatitura. Ato duan vetëm ri-regjistrimin si procedime penale, të cilat vihen në lëvizje në sajë të provave të reja të zbuluara rishtazi, dhe pasi riformulohen akuzat, SPAK i çon në gjyq. Byroja Kombëtare e Hetimeve e ka të thjeshtë detyrën e saj me këto dosje kriminale dhe me autorët e tyre. Kërkohet vetëm sistemimi i tyre, ndërtimi i bazuar në ligj dhe në prova i akuzave, marrja si të pandehur të autorëve të njohur të tyre, formulimi me objektivitet dhe profesionalizëm të lartë të kërkesave për gjykim dhe dërgimi i tyre në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjykim dhe ndëshkim”, u shpreh avokati i njohur Idajet Beqiri.
