Rigels Seliman
Rikthimi i diskutimeve për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka rikthyer edhe histori e detaje të së shkuarës. Gazeta “Sot” i është rikthyer përpjekjeve që janë bërë më parë për kontrollin e dosjeve duke sjellë detaje nga komisioni “Bezhani”, që tentoi të pastronte shtetin shqiptar dhe politikën nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit. Gazeta ka intervistuar Viron Bezhanin, djalin e Nazif Bezhanit që kryesonte në atë kohë këtë komision. Ai ka treguar se edhe nëse një funksionar i lartë mendon se e ka zhdukur dosjen e tij, emri i tij figuron në dosje të tjera. Ndër të tjera, Viron Bezhani zbardh fakte interesante të gjetjeve të këtij komisioni dhe rrëfen detaje tronditëse për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku një deputet, spiun i Sigurimit të Shtetit, kishte futur vëllanë në burg. Si fillim, Bezhani thotë se nisma që ka nisur Partia Socialiste dhe Partia Demokratike për ndryshimet në ligjin e Dosjeve, Dekriminalizimit dhe Lustracionit, me qëllim, nxjerrjen përfundimisht nga politika të personave që ka qenë spiunë apo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të ketë sukses. Ai tregoi se këto nisma janë bërë edhe më parë, madje nga vetë babai i tij, por pa rezultat pasi sipas tij as nga e majta dhe as nga e djathta nuk kanë interes për miratimin e asaj. “Nuk mendoj se kjo nismë do të ketë sukses. Në fakt, babai im bëri një ligj në atë kohë dhe ia drejtoi Parlamentit dhe as nga e majta dhe as nga e djathta as nuk e priten dhe as e miratuan. Pra, unë mendoj se as nga e majta dhe as nga e djathta nuk kanë interes për miratimin e asaj iniciative, sepse u çua dy herë në Parlament dhe babai shkoi edhe vet atje për ta mbrojtur dhe kur nuk e pranuan ai dha dorëheqjen nga posti”, tha Viron Bezhani për gazetën “SOT”.
Zhdukja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit
Sipas Viron Bezhanit, janë zhdukur shumë dosje të rëndësishme të Sigurimit të Shtetit, por sipas tij jo çdo gjë zhduket, pasi ato lënë një gjurmë. Ai merr si shembull dhe rastin e Rustem Gjatës, ku në 14 mars të vitit 1998, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi me 80 vota pro Rustem Gjatën si anëtar dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, pasi Komisioni i Verifikimit të Figurave, kryesuar në atë kohë nga Nazif Bezhani, kishte zbuluar se Gjata kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit dhe agjent i UDB-së jugosllave. Në 4 shtator të vitit 1973, Rustem Gjata, ka dënuar me vdekje priftin shkodran Hil Gjergj Gjoni, pasi kishte sharë udhëheqësit e partisë, urrente regjimin, kryente rite fetare dhe donte Papën e Vatikanit. Viron Bezhani tha për gazetën “SOT” se çdo njëri nga ata e ka një njollë. “Po janë zhdukur. Por fakti është se jo çdo gjë zhduket, sepse ato lënë një gjurmë, ashtu siç u gjet rasti i Rustem Gjatës. Çdo njëri nga ata e ka një njollë dhe duke pas një njollë është më e lehtë për të gjetur”, tha Bezhani ndër të tjera.
Si u vodh në prokurori lista me agjentë të UDB
Gazeta “SOT” e pyeti Bezhanin dhe për një denoncim që ka bërë babai i tij kohë më parë në prokurori për vjedhjen e disketave, të cilat janë shitur dhe personi i dyshuar për grabitje është larguar nga Shqipëria. Në atë kohë Viron Bezhani tha se nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri. Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ’97. I pyetur se kush kishte interes t’i zhdukte këto informacione, ai tha se dihet që nga pas fshihet politika. “Interesi dihet që ka qenë politik. Ato u morën dhe u zhdukën për arsye politike dhe janë përdorur dhe më prapa nga të dyja krahët, sepse të dyja krahët i kanë dosjet”, tha Bezhani. Në pyetjen se a mund të prodhojë konflikte sociale hapja e dosjeve, Viron Bezhani zbulon një fakt tronditës. Ai tha se ka parë me sytë e tij një dosje ku fliste për një deputet që kishte futur në burg vëllain e vet për ti marr nusen e tij. “Në fakt unë i kam thënë babait tim, pse nuk i hapni dosjet që ta marrin vesh të gjithë se kush janë spiun dhe ai më tha hajde shihi dhe aty doli një dosje ku fliste për një deputet që mund të themi që shihje gjëra të turpshme, ai kishte futur në burg vëllain e vet për ti marr nusen e tij dhe shumë gjëra tjera. Hapja e dosjeve mund të prodhoj 100 për qind konflikt, unë i kam parë kur mi ka treguar babai dhe aty kuptova se kishte të drejtë sepse mund të hapen konflikte të jashtëzakonshme nëse hapen”, përfundon reagimin e tij për gazetën “SOT”.