Gjykata e Lartë ka lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Trupa gjykuese ka vendosur të mbajë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.
Çështja u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, pasi Gjykata Kushtetuese e kishte rikthyer dosjen në Gjykatën e Lartë dhe kishte kërkuar rishqyrtimin e masës së sigurisë. Vendimi i Gjykatës së Lartë do të thotë se Veliaj vijon të mbajë njëkohësisht mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të qëndrojë nën masën “arrest në burg”.
Kushtetuesja kishte konstatuar probleme me arsyetimin e vendimit të mëparshëm dhe i kërkoi Gjykatës së Lartë të shqyrtonte nëse masa “arrest në burg” ishte proporcionale me rrethanat konkrete. Një nga elementet që duhej të merrnin në konsideratë gjyqtarët lidhej me faktin se Veliaj vijon të jetë një drejtues vendor i zgjedhur dhe të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë nuk kishte argumentuar mjaftueshëm përse masa më e rëndë e sigurimit personal duhej të vazhdonte ndaj Veliajt, duke marrë në konsideratë edhe funksionin e tij.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë duhej të rikthehej te çështja dhe të argumentonte proporcionalitetin dhe nevojën e vazhdimit të masës. Pas rishqyrtimit, gjyqtarët kanë vendosur që Veliaj të vazhdojë të qëndrojë në burg.
Erion Veliaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025. Prej asaj kohe, beteja e tij juridike për masën e sigurisë ka kaluar në disa shkallë të gjyqësorit dhe përfundoi edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Kthimi i çështjes në Gjykatën e Lartë krijoi mundësinë që masa të rivlerësohej, por nuk e detyronte këtë gjykatë ta lironte Veliajn apo t’i caktonte automatikisht një masë më të butë. Gjykata e Lartë kishte mundësinë ta mbante në fuqi “arrestin në burg”, me kusht që të jepte arsyetimin e kërkuar nga Kushtetuesja, ose të ndryshonte masën e sigurisë. Gjyqtarët kanë zgjedhur alternativën e parë.
Vendimi mban në fuqi edhe situatën e pazakontë institucionale të krijuar në Tiranë: Erion Veliaj vijon juridikisht të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa fizikisht vazhdon të qëndrojë në qeli.
Tashmë pritet zbardhja e argumentimit të plotë të Gjykatës së Lartë për të kuptuar mbi cilat rrethana konkrete gjyqtarët kanë vlerësuar se vazhdimi i masës “arrest në burg” ndaj Veliajt mbetet proporcional dhe i nevojshëm.
Njoftimi
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar.
Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
