E martë, 26 Maj, 2026

Dosja e përgjakur e 26 majit ’96, Spartak Braho rrëfen skenarin kriminal të Gazidedes dhe Agim Shehut për të masakruar opozitën, ja çfarë ndodhi 30 vite më parë, si i shpëtuam xhelatëve të Sali Berishës te Ura e Dajlanit dhe kush tentoi ta vriste Servet Pëllumbin me shufër hekuri

Share

Një nga kapitujt më të errët dhe më të përgjakshëm të historisë pluraliste shqiptare rikthehet përmes një dëshmie tronditëse që ndriçon skenarin kriminal për asgjësimin e opozitës 30 vite më parë. Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, është kthyer pas në kohë për të zbërthyer me emra dhe detaje rrëqethëse se si makineria shtetërore e majit të vitit 1996 u vu në lëvizje për të mbytur në gjak zërin e lirë, ndërsa zgjedhjet parlamentare u vodhën hapur nga Partia Demokratike. Në këtë dëshmi ekskluzive, Braho rindërton skenat e egra të 22 majit 1996, ku krerët e PS-së arritën t’u shpëtonin për mrekulli pritave të mirëorganizuara me huliganë dhe segmente të armatosura, të ngritura nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHIK-u), Bashkim Gazidede, dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, nën urdhrat e prerë të Sali Berishës. Për gazetën “SOT”, zoti Braho, i cili në atë kohë mbante mbi supe peshën e sigurisë së udhëheqësve socialistë gjatë mitingut të Durrësit, zbulon prapaskenat e jashtëzakonshme të bazuara edhe në librin e tij me titull tregues, “Masakroni Servet Pëllumbin”. Përmes një operacioni inteligjence të improvizuar, duke instaluar aparatura përgjimi në shtëpinë e një militanti në Sukth, Braho arriti të kapte në kohë reale valët radiofonike dhe urdhrat kriminalë që jepeshin nga kupola policore për të sulmuar e asgjësuar fizikisht lidershipin e majtë. Me Fatos Nanon e izoluar në qeli, synimi kryesor i regjimit të Berishës ishte eliminimi i prof. Servet Pëllumbit. Ndërkohë, ish-deputeti Braho gjatë intervistës për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, tregon me detaje rrëqethëse se si, teksa ndodhej në një makinë me Pëllumbin, dëgjonte nga radiot e interceptuara Agim Shehun që ulërinte për të sabotuar mitingun, për të rrahur përfaqësuesit e PS-së, për t’u djegur makinat dhe për të masakruar me çdo kusht profesorin, një skenar që siç kujton z. Braho, kulmoi me përplasjen te Ura e Dajlanit dhe tentativën e dështuar për t’i marrë jetën Servet Pëllumbit me një shufër hekuri. Megjithatë, ky rrëfim tronditës i zotit Braho dhe ky shkrim botohen pikërisht në kuadrin e festimeve që po organizon sot kreu i PS-së, Edi Rama, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Ndonëse këtë radhë kryesocialisti Rama ka “vendosur” të thërrasë në këtë përvjetor edhe veteranët apo ata që ishin themeluesit e hershëm e të sakrificës së PS-së, ironia e madhe qëndron në faktin se shumë prej tyre, përfshirë edhe vetë z. Spartak Braho, i cili vuri kokën në rrezik në ditët më të egra të terrorit të ’96-ës, janë harruar nga udhëheqja aktuale. Pikërisht për këtë arsye, kjo intervistë e dhënë nga socialisti bio dhe një ndër themeluesit e PS-së, Spartak Braho, shërben si një memorie e gjallë dhe një mesazh i fortë për të gjithë ata që sot shijojnë pushtetin, por kanë harruar se mbi gjakun, dhunën dhe sakrificat e kujt u ngrit dhe u mbrojt ajo parti 30 vite më parë.

-Zoti Braho, sot mbushen plot 30 vite nga ato ngjarje të përgjakshme të majit të vitit 1996. Kur ktheheni pas në kohë, si i kujtoni ato ditë të errëta terrori dhe a mund të na zbuloni diçka më konkrete se si organizohej dhuna shtetërore në prapaskenë?

Natyrisht. Kishte filluar fushata e zgjedhjeve elektorale që do të mbaheshin më 26 maj. Si kudo edhe në Durrës, dega e PS, ishte organizuar të hynte në zgjedhje për të fituar, pasi dukej qartë që qeveria Meksi kishte marrë tatëpjetën. Ishte koha dhe viti kur firmat piramidale po shkonin drejt degradimit, ku megjithëse presidenti Berisha për të qetësuar situatën deklaroi se “paratë e shqiptarëve janë të sigurta”, një pjesë e popullsisë që kishte futur paratë në këto firma ndjehej e nervozuar dhe e zemëruar. Në strukturat policore ndërkohë ishin bërë ndryshime dhe lëvizje të drejtuesve të tyre. Në Durrës ishte emëruar Artan Kalaja, një ish mësues nga Kruja, i përfolur si dorë e fortë që mori përsipër detyrën e Drejtorit të Policisë. Të gjitha këto lëvizje dhe emërime në polici të linin të kuptohej se bëheshin për një qëllim dhe zgjedhjet nuk do ishin të qeta. Siç ndodhi realisht më 26 maj. Dhuna, terrori, rrahjet, manipulimi dhe vjedhjet e fletëve të votimit në qendrat e votimit, çuan në largimin e komisionerëve të PS. Kështu u realizua “fitorja e Partisë Demokratike”. Në shumë qendra votimi rezultatet kaluan edhe shifrën 120%.Po atë ditë, nëpërmjet një deklarate në emër të Kryesisë së PS në Hotel Tirana, prof. Sabit Brokaj pasi vuri në dukje tërë maskaradën e zgjedhjeve, deklaroi se PS nuk i njeh ato, duke vënë në dijeni edhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat pas disa ditësh e kuptuan se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri. Por, le të vijmë te data 20 maj i atij viti. Për të treguar një ngjarje të rëndë në mitingun e degës së Partisë Socialiste të Durrësit. Në këtë takim priteshin të vinin për të ndjekur anëtarët e kryesisë prof. Servet Pëllumbi, prof. Sabit Brokaj, prof. Kastriot Islami, Prof. Ethem Ruka, Ndre Legisi, Bardhyl Agasi, etj, drejtues lokalë.

-Si u vu në lëvizje makineria e dhunës përpara dhe pas asaj masakre zgjedhore? Si arriti regjimi i atëhershëm të bënte bashkë policinë, SHIK-ut dhe kontingjentin kriminal për të terrorizuar opozitën?

E parandieja dhe intuita profesionale më thoshte se Sali Berisha do të bënte çmos që zgjedhjet t’i manipulonte dhe fitonte me çdo kusht. Policia, SHIK dhe kontigjenti kriminal, të cilët ishin liruar disa ditë përpara nga burgu do të ishin skalioni kryesor që do të përdornin dhunën dhe presionin mbi militantët e PS dhe zgjedhësit. I shqetësuar për këtë parandjenjë bisedova me një ish oficer policie i liruar, D. Ibrahimi se ç’duhej të bënim. Shkëmbyem mendime dhe ramë dakord që veprimet e policisë dhe të SHIK-ut t’i monitoronim duke interceptuar valët radiofonike që përdoreshin prej tyre. Sajuam aparaturat dhe një sasi radiosh që përdoreshin nga policia duke i instaluar në shtëpinë e një militanti në Sukth. Kjo bëri të mundur që të penetronim sa mundej në komunikimet  në çdo orë të ditës duke ndjekur me kujdes të gjitha urdhrat dhe porositë që përgatiteshin për të realizuar goditjet dhe arrestimet nga shtabi policor i Artan Kalasë në Durrës dhe Agim Shehut në Tiranë. Në këto komunikime kuptohej qartë se ishte vendosur që mitingu elektoral i PS në Durrës të sabotohej e të mos lejohej të zhvillohej. Këtë të dhënë ja përcolla Qendrës duke i vënë në dijeni të këtij parashikimi. Në datën 20 maj ne prisnim në Vorë drejtuesit e PS për t’i shoqëruar ata rrugës për në Durrës. Aty për aty bisedova me Bardhyl Agasin që ishte kryetar i degës së Partisë për të bërë një devijim. Dhashë porosi që të ktheheshin papritur në fshatin Manzë duke organizuar aty një takim spontan. Kjo manovër u bë edhe për të parë si do të reagonin ata që na ndiqnin pas. Takimi i improvizuar në Manzë u realizua me sukses, por agjentët e policisë dhe të SHIK-ut që shoqëronin autokolonën ky devijim i gjeti pa përgatitur. Pas 30 minutash autokolona mori drejtimin për në Durrës dhe në radio u dëgjuan thirrje të egra të Agim Shehut dhe Artan Kalasë të cilët bërtisnin “pse u lejua takimi në Manzë” dhe të ndalohej me çdo kusht lëvizja e autokolonës në hyrje të qytetit të Shijakut, tek 4-Rrugët. Pa arritur atje u njoftuam se te 4- Rrugët grupe militantësh të PD kishin bllokuar rrugët në drejtim të Durrësit. Bisedova me prof. Servetin, me të cilin isha në një makinë dhe pasi i sqarova situatën, i sugjerova ndërrimin e makinave. Ashtu u bë! Të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ne që i shoqëronim hipëm në makina të tjera që u morën nga militantët tanë dhe ndërkohë që automjetet zyrtare ndaluan pa u futur te 4-Rrugët, ne ecëm me shpejtësi përmes turmës së egërsuar të militantëve të cilët nuk e kuptuan këtë manovër dhe nuk arritën të identifikojnë personat. Kështu u evitua bllokimi dhe përplasja në Shijak. Por problem ishte si do të hynim në Durrës. Ecnim drejt qafës së Rrashbullit, në drejtim të Shkozetit, drejt hyrjes së Durrësit, Urës së Dajlanit. Pikërisht aty, u panë grumbullime të tjera militantësh të PD që ulërinin me shkopinj në dorë që ulërinin duke shquar midis tyre një sërë fytyrash me precedent penal.“Mbajini aty, mos i lini të futen, nxirrini nga makinat, bjeruni dhe digjuni makinat” ishin urdhrat që dëgjonim nga radiot. Unë e njihja mirë zërin e Agim Shehut. Autokolona jonë kishte ndaluar te Ura e Dajlanit në pamundësi për të bërë përpara. Papritur, në radio buçiti një zë i fortë dhe me tërsëllëmë urdhëroi “Në asnjë mënyrë të mos bëhet mitingu, do përgjigjeni me kokë. Të mos futet në Durrës Servet Pëllumbi, masakrojeni, po, po masakrojeni”. Isha në një makinë me prof. Servetin. Ai e dëgjoi zërin në radio. “Ç’është ky mo Spartak, më pyeti”. Është Sali Berisha profesor i thash, kërkon kokën tënde.

-Një situatë horror… Ju ishit në makinë me prof. Pëllumbin dhe në radio dëgjonit urdhrin e Berishës për ta masakruar. Çfarë ndodhi në ato momente kritike, si rrodhën ngjarjet më tej dhe si arritët të çani rrethimin për t’u futur në Durrës?

 “Çdo bëjmë profesor” i thashë. “Të ecim përpara” tha me qetësinë e tij. Urdhërova shoferin e makinës që të kthehej me shpejtësi majtas drejt rrugës që të çonte drejt Portit Detar. Makinat e tjera na ndoqën pas. Devijimi ishte i papritur dhe i paparashikuar për ata që kishin vendosur të na masakronin. Ndoshta menduan se ne u kthyem mbrapsht përsëri për në Tiranë. Të çliruar nga bllokimi ecëm me shpejtësi për t’u futur nga Porti, në Bulevardin Kryesor që të çonte te Pallati i Sportit ku prisnin mijëra simpatizantë. Arritëm në rrugën e Pallatit të Sportit. Zbritëm dhe ecëm në drejtim të tij të rrethuar nga turma e popullit që na priste me entuziazëm. Me kujdes, duke mbajtur profesorin pashë midis turmës edhe disa fytyra të dyshimta që ishin përzier dhe që synonin të futeshin brenda në sallën e Pallati të Sportit. Ecnim me vështirësi dhe disa metra para hyrjes kryesore pashë dikë që nxori një thikë apo kaçavidë dhe po shtyhej në drejtimin e grupit kryesor. Ky është ai i masakrës, mendova.  Dhe dikujt, nuk më kujtohet, i bëra me shenjë duke i thënë “mbërthejeni atë mut”, duke e treguar me gisht. Por rreziku nuk kishte kaluar. Pikërisht, në hyrje të derës së Pallatit të Sportit, pjesa e sipërme e të cilës ishte veshur me xham, u zgjat një shufër e gjatë hekuri dhe goditi në drejtim të kokës së profesorit. E pashë personin, ishte L.Dauti së bashku me vëllanë e tij. Xhami u thye në mes dhe një copë e madhe në formë trekëndëshi me majë poshtë mori drejtimin për të rënë mbi kokat tona, ku më pranë ishte profesori. E shtyva profesorin me forcë që ta kalonte edhe atë gjysmë metri të derës. Copa e rënë e xhamit ra me forcë mes trupave tanë, por profesori kishte shpëtuar. Një shoqëruesi tij shtrëngonte dorën e gjakosur. Mesa duket xhami kishte goditur atë. U futëm në sallën e elektrizuar nga thirrjet e simpatizantëve socialist që prisnin. Të sigurt që ja kishim hedhur SHIK-ut dhe Policisë së Sali Berishës, për të na prishur mitingun dhe për të na masakruar. Por mua në vesh për shumë kohë, më kumbonte një zë: “të masakrohet Servet Pëllumbi…”

-Sot që flasim për drejtësinë, nëse do ta gjykonit ju Sali Berishën për ato krime dhe për gjithë atë terror të vitit ’96, cili do të ishte dënimi që ai meritonte realisht si arkitekti i asaj masakre ndaj opozitës?

Ne e hoqëm dënimin kapital me vdekje në ndryshimet që ju bënë Kodit Penal në vitin 1995. Këto ndryshime u orientuan edhe nga Këshilli Evropës si detyrim dhe kusht për të qenë pjesë e tija. Pra dënimi me vdekje u hoq si lloj dënimi, u zbut, por përgjegjësia penale për krimet jo. Në qoftë se unë do ta kisha gjykuar pa u abroguar dënimi me vdekje, do të kisha zbatuar ligjin e kohës. Vetëm dënimin me vdekje. Ky ishte një dënim që ai e meritonte plotësisht,sepse ishte autor i organizimit të dhjetëra vrasjeve nga veriu në jug. A nuk vepron kështu ligji amerikan ne mjaft shtete për kriminelë dhe vrasës . Europa ka toleruar shumë duke zbutur dënimet për krimet e rendë, madje kane dështuar  në këto 30 vjet. Por s’kemi çfarë të bëjmë. Bëni një sondazh se cili është mendimi popullit dhe do ta shikosh si del!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera