E diel, 27 Shtator, 2026

Brizida Gjikondi “shuplakë” ballistëve: Çelo Hoxha një mjeran që s’mund të njollosë luftën partizane, historia e LANÇ është shkruar me gërma të arta, ja pse duhet injoruar dhe përbuzur kreu i ISKK

Share

Rigels Seliman

Aktivistja dhe juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka reaguar ashpër pas sulmeve dhe akuzave që drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha dhe kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi kanë lëshuar në adresë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Si zoti Alimadhi, ashtu edhe Hoxha në mënyrë sistematike akuzojnë partizanët se kanë bërë luftë vëllavrasëse gjatë Luftës së Dytë Botërore. Madje më i ashpër është treguar kreu i ISKK Hoxha, i cili në librin “Krimet e komunizmit 1941-1945”, ka futur në listën e kriminelëve shumë partizanë që luftuan kundër okupatorët nazifashiste, përfshi edhe gjyshin e aktivistes Gjikondi, gjeneralin dhe Heroin e Popullit, Teki Kolaneci. Gjithashtu, zoti Çelo Hoxha i ka hedhur edhe më tej “benzinë zjarrit” të debatit, teksa ka kërcënuar se do të nxjerrë një vëllim të tretë, ku do të faktojë krimet e partizanëve. Por përpara kësaj situate të paprecedentë, ku edhe pse kanë kaluar rreth 80 vjet nga përfundimi i luftës, teksa Shqipëria u rreshtua krah aleatëve, duke mundur okupatorët nazi-fashistë, ka ende persona që mendoj ndryshe dhe “vjellin vrer” për LANÇ, ka reaguar edhe juristja e njohur Gjikondi. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, thekson se Çelo Hoxha është një mjeran që s’mund të bëjë pis luftën partizane, pasi siç thotë ajo, historia e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare është shkruar me gërma të arta. Sipas saj, kësisoj personash si “ballisti” Hoxha duhen injoruar, pasi nëse u jep vëmendje ata faktorizohen, ndonëse janë askushi. “Lufta e dytë botërore ka mbaruar që në vitin 1944 dhe po shkojmë drejt viti të 80 dhe ca kishte për të shkruar e ka shkruar vet ajo luftë. Nuk ka sens që nga palët të logjikojnë mbi diçka që indirekt kanë interesin e tyre. Unë them sepse të gjithë shqiptarët kanë qenë të pozicionuar nga një krah ose nga një krah tjetër. Unë nuk e di se çfarë kontributesh personale kanë Alimadhi dhe Çelo Hoxha në këtë 30 vjeçar sepse secili shkruan historinë e tij. Ata duhet të mos bënin ripërsëritje të gabimeve të shkuara, mendoj se pas 80 vitesh më duket si false çdo gjë që bëjnë ata dhe e bëjnë për përfitime  personale. Ka shumë gjëra që ne nuk i dimë dhe të mos i fusim duart në histori. Ata duan të kapen dhe të mbijetojnë tek një histori që ka 80 vite që është shkuar dhe të shohin historinë e tyre personale qoftë edhe me gjakun e paraardhësve të tyre. Çelo Hoxha e kam lexuar ca ka shkuar dhe ndryshe nga shumë të tjerë kam menduar ta injorojë. Do ishte mjerim t’i jepej vëmendje një personi të tillë”, deklaroi Gjikondi për gazetën “SOT”. Më poshtë gazeta “SOT” po sjellë edhe një reagim epik dhe racional që juristja Gjikondi ka bërë në vitin 2019, ku fshikullon ashpër drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha.

Ja reagimi i zonjës Brizida Gjikondi i bërë në vitin 2019:

Libri i Çelo Hoxhës

Dymbëdhjetë mijë lekë kushton libri i Çelo Hoxhës (nuk është i Agron Tufës) me titullin “Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, libër i cili është botuar nën siglën e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe, s’kish si të ish ndryshe ndërkohë që Çeloja është edhe Drejtor Arkive i këtij institucioni (rrogtar domethënë) dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Balli Kombëtar (konflikt i hapur interesi për librin që ka shkruar si ballisto-historian), plus dhe shkrimtar që paguhet ekstra për kësi veprash. Instituti në fjalë është një institucion buxhetor i krijuar në 2010-ën i cili paguhet me lekët e shqiptarve dhe që veprimtarinë e tij me ligj duhet ta shtrijë përgjatë viteve 1944-1991. Kam kohë që i bluaj këto rreshta në mendjen time, i dhashë kohë kohës dhe prova mendimit. Për së pari sigurova një kopje të këtij libri, i cili tashmë është një provë shumë e fortë gjyqësore, pasi në të mishërohen të gjitha llojet e veprave penale me penalitetet e tyre civile, financiare dhe ligjore por edhe një shkelje e hapur e Kushtetutës, Nenit 30 të saj, etj. Kurajoja e Çelos, edhe pse në kurriz mban dy arrestime në vitin 2007 dhe 2010 për veprën penale të falsifikimit, nuk është e rastësishme, kurajoja e tij vjen pasi toka ku ai hedh farën e helmit, përçarjes dhe nëpërkëmbjes është toka pjellore e Partisë, pa moral, Socialiste. Parti e cila përbëhet nga njerëz të emëruar, ndaj pa identitet por me interesa vdektare, tejet personale (për çapën e bukës kur i thonë fjalës), njerëz që flirtojnë (dhe atë e bëjnë në mënyrë bashibozuke) me të majtët, por nuk janë të majtë, asnjë ligj, projekt, vizion, arsimor-historik-ligjor ekonomik, nuk është i tillë. Partia Socialiste është një vegël shërbimi në dorë të kastës financiare që drejton vendin, për mos thënë që shumë ish ministra të saj tashmë janë pjesë e kësaj kaste. Në 30 vjet ajo si shushunjë makiaveliste nuk ka bërë asgjë për brezin e idealistëve të Luftës së Dytë Botërore, absolutisht asgjë. Ata janë, ose thënë në kohën e duhur ishin, në këto 30 vjet njerëzit më të nëpërkëmbur, më të braktisur dhe më të keqtrajtuar, moralisht-financiarisht në shëndetësi e në çdo hall dhe traumë që iu desh të përballonin në këtë kohë pa moral dhe pa mirënjohje.

Lufta partizane

Lufta Nacional Çlirimtare pati një rol vendimtar në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Ndryshe nga shumë vende të tjerë, Shqipëria falë luftës së partizanëve të saj arriti që prezencën e aleatëve në luftë ta kishte ndihmuese, por jo decizive. Vlera e rezistencës partizane të popullit shqiptar përgjatë Luftës së dytë Botërore është sidomos tek imazhi i Shqipërisë që i ofroi botës, sidomos Forcave Aleate që ishin hezituese ndaj Shqipërisë dhe fuqisë së saj shpirtërore, e cila diti të dilte përtej prapambetjes së saj arsimore dhe ekonomike dhe të bashkohej me botën përparimtare në kahun e duhur të historisë. Se sa me vlerë dhe sa e çmuar ishte lufta partizane këtë e provon edhe Konferenca e Paqes e mbajtur në Paris në 1946, ku pavarësisht intrigave të Greqisë zyrtare, Shqipërisë iu njoh kontributi i madh i rezistencës dhe u dëmshpërblye për dëmet që pësoi. Unë nuk do doja të zgjatesha në vlerat e luftës partizane, pavarësisht se ndjehem e trishtuar me këtë vakuum injorues 30 vjeçar, me këtë histerizëm dhe gjykim të sipërfaqshëm të asaj lufte dhe atij shpirti kombëtar që përfshiu, çdo student, nxënës, punëtor, fshatar, të pasur dhe të varfër, vajza dhe djem duke i marrë armët dhe duke luftuar me shpirt, në acar dhe në territore tejet të vështira për një ideal suprem, atë të çlirimit të atdheut. Rrallë, prej kohës së Skënderbeut, shqiptarët ishin bërë bashkë dhe sidomos, njësoj si atëherë, në kahun e duhur të historisë, sa për tradhtarë dihet që kish shumë si atëherë, por edhe përgjatë Luftës së dytë Botërore, në çdo shtet dhe në çdo luftë ka të tillë. Të gjithë vendet aleate, ashtu si dhe Shqipëria, i shpallën kolaboracionistë bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, tradhtarë të Atdheut, dënimet mbi ta ishin të ashpra, tradhtia përherë dënohet. Edhe vendet si Italia që mbanin në të njëjtën tokë dhe fashistët dhe partizanët (dhe as ata nuk e quajtën luftë civile) i dënuan egërsisht tradhtarët e tyre, si një ndëshkim sidomos me fuqi prapavepruese. Tani është kollaj të shkruash, të englendisesh, të trillosh, të përçash, por përgjatë Luftës së dytë Botërore nuk bëhej shaka. E bardha ishte e ndarë qartaz nga e zeza, e kuqja gjithashtu.

Etiketimi i Teki Kolanecit si “kriminel” 

Një nga emrat e listës së Çelos është dhe gjyshi im, Komandant Teki Kolaneci, dhe si për të konfirmuar nivelin e tij intelektual të ferrit, emrin në listë ia ka bërë me të zezë të theksuar, se sipas shpjegimeve që jep thotë që në këtë listë me 265 “kriminelë” ata me të zezë të theksuar janë më kriminelë se të tjerët. Në fillim, pa patur librin në duar isha paksa jo e qetë, por kur e shfletova, më kapi një gaz i hareshëm dhe po mendoja.. që Çelua dhe ballistët asnjëherë nuk zhgënjejnë.. Dhe ndoshta i faktorizojmë që i përfillim tani. Kush kish për të luftuar për Atdheun, luftoi në 1941-1944, kush kish për të rënë për Atdheun ra me shpirtin zjarr, pavarësisht se Çelua edhe heronjtë martirë si Mustafa Matohiti, Hysen Çeno, Skënder Çaci, Myslym Shyri etj., etj., i ka listuar tek “kriminelët” asgjë nuk kthehet mbrapsht, lufta nuk zhbëhet, aq më pak nga një si Çelua dhe eunukët e heshtur të Partisë Socialiste.

Te tjera

Lajme te tjera