E shtunë, 16 Maj, 2026

Berisha: Edi Rama një Spiro Kolekë, ka bërë gjithçka kundër Sali Berishës, përveçse nuk e internon dot! Të fitojmë betejën për votën e lirë në këtë kilometër të fundit

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale drejtoi akuza ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij, duke deklaruar se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” të betejës për largimin e tij nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në fjalën hyrëse, Berisha tha se protestat e opozitës kanë bërë që Rama të “damkoset ndërkombëtarisht” si drejtues i “narkoshtetit të parë në Europë”. Ai theksoi se mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar kryeministrin shqiptar si gangrenë për vendin, ndërsa shtoi se jehona e protestave ka ndihmuar në mbrojtjen e imazhit të shqiptarëve përballë akuzave për korrupsion dhe kapje të shtetit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua çështjes së Belinda Ballukut. Duke iu përgjigjur qytetarit, Berisha deklaroi se çështja Balluku nuk është mbyllur, pavarësisht deklaratave të Ramës. Berisha deklaroi se Belinda Balluku është një kryeministre në hije, duke theksuar se ajo vazhdon të ushtrojë ndikim në ministri dhe agjenci shtetërore. Lideri demokrat, Sali Berisha tha se Oltion Bistri është rikthyer nga Balluku si koordinator i karteleve të drogës dhe organizatave kriminale. Sipas tij, në dosjen ndaj Ballukut figurojnë edhe materiale që implikojnë vetë Ramën në afera korruptive dhe fshehje pasurish.

Në një tjetër moment, Berisha komentoi dëshminë e një protestuesi, i cili tha se ishte goditur me plumb gome dhe ujë gjatë protestës së 8 majit. Kryetari i PD-së mbrojti protestat, duke deklaruar se ato janë “kryengritje paqësore” që kanë sjellë jehonë ndërkombëtare dhe kanë bërë që Shqipëria të konsiderohet “autokraci elektorale”.

Ai tha se raporti i fundit i Parlamentit Europian ka pranuar se në zgjedhjet në Shqipëri u shua kufiri mes partisë dhe shtetit, duke e cilësuar këtë si provë të manipulimit zgjedhor nga qeveria.

Berisha u pyet edhe për rezolutën e përbashkët PD-PS për integrimin europian. Ai sqaroi se Partia Demokratike mbështet integrimin në Bashkimin Europian, por shtoi se Shqipëria nuk plotëson kriteret e anëtarësimit përveç aspektit gjeopolitik. Sipas tij, në rezolutë nuk ka asnjë vlerësim për qeverinë, por vetëm detyra dhe kërkesa ndaj institucioneve shqiptare.

Në përgjigje të një tjetër qytetari, Berisha akuzoi Ramën si armik të shqiptarëve dhe tha se ai është quajtur nga analistë ndërkombëtarë kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit, për shkak të politikave që sipas tij kanë dëmtuar interesat shqiptare.

Lideri demokrat akuzoi gjithashtu mediat, që po përdoren për të rehabilituar figurat e akuzuara për korrupsion. Berisha përmendi ndër to edhe Mirlinda Karçanaj, e akuzuar për përfshirje në skandale tenderash dhe deklaroi se televizionet po bëjnë “tualetin mediatik” të zyrtarëve të qeverisë.

Në diskutimin për reformën territoriale dhe zgjedhore, Berisha mohoi çdo marrëveshje me Ramën, duke theksuar se pjesëmarrja e PD-së në reforma bëhet vetëm për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe votën e lirë.

Ai foli edhe për arrestin e tij dhe të liderëve të tjerë opozitarë, duke deklaruar se qeveria ka ndjekur “praktika staliniste” kundër opozitës. Berisha përmendi edhe Ilir Meta dhe Fatmir Mediu si figura të goditura politikisht nga qeveria.

Një tjetër temë diskutimi me qytetarët ishte projekti i Durrës Yacht Marina. Duke iu përgjigjur qytetarit, Berisha e cilësoi projektin “afera më e madhe korruptive në kontinent”, duke vënë theksin se në atë zonë po ndërtohet një “Dubai City” me përfitime të jashtëzakonshme për qeverinë dhe klientët e saj.

Në fund të bashkëbisedimit, Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi “zero tolerancë ndaj krimit”, duke deklaruar se nëse opozita vjen në pushtet do të goditen kartelet e drogës, do të konfiskohen pasuritë kriminale dhe do të çlirohen policia, prokuroria dhe gjykatat nga ndikimi i bandave.

Ai solli në vëmendje edhe organizatat kriminale të viteve të kaluara, si grupet e Lulzim Berishës dhe Aldo Bares, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishin arrestuar mbi 1000 persona të lidhur me krimin e organizuar.

Në përmbyllje, Berisha deklaroi se opozita nuk do të ndalet deri në largimin e Edi Ramës dhe realizimin e objektivit për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.

Te tjera

Lajme te tjera