E shtunë, 16 Maj, 2026

“The Times”: Shqipëria hyn në hartën e destinacioneve të konsoliduara të Mesdheut

Share

Ndërsa kërkesa për resortet e njohura po rritet, disa destinacione mesdhetare janë krahasimisht më të përballueshme, shkruan Sarah Turner në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Sipas operatorëve turistikë, është regjistruar një rritje e madhe e kërkesës për pushime në Mesdhe si Itali, Spanjë dhe Greqi.

Pushuesit po rikthehen në destinacionet e njohura, duke preferuar resortet e frekuentuara më parë – ku e dinë se çfarë i pret.

Si bonus, këtë verë në Greqi nuk do të ketë vonesa nga sistemi i ri i kontrollit të hyrje-daljeve (EES).

Megjithatë, nëse shkoni pak më në lindje, kërkesa është dukshëm më e ulët.

Këtë vit, parashikohet të ketë oferta më të mira në Mesdhe, qoftë në Shqipëri – që po fillon të konsolidohet si një destinacion i mirëfilltë turistik – apo në disa nga hotelet e reja që janë hapur në Kroaci ose Mal të Zi.

Mesdheu lindor ofron vende antike, hotele luksoze dhe kuzhinë po aq të shijshme sa vendet klasike mesdhetare, dhe ndërsa superjahtet herë pas here ankorohen këtu, ato nuk janë një pengesë që mund të bllokojnë portet si në Bregun e Amalfit, në Itali.

“Vihet re një tendencë të qartë drejt rezervimeve më të vona, sidomos për udhëtime në qershor, gjë që pasqyron pasigurinë aktuale globale”, tha Chris Wright, drejtori menaxhues i “Sunvil” dhe “GIC The Villa Collection”.

Ndërsa Greqia ka përjetuar një rritje të popullaritetit, pas vendimit për të mos zbatuar kontrollet biometrike EES, ka disa oferta të mira, veçanërisht në Korfuz.

Shqipëria

Shqipëria, e vendosur përballë brigjeve të Italisë – përtej detit Adriatik dhe e kufizuar nga Mali i Zi dhe Greqia, po përgatitet të hyjë në rrjedhën kryesore të turizmit.

Restorantet dhe hotelet në Ishullin e Sazanit – një ish-bazë e Luftës së Ftohtë – mbeten ende të lira.

Vaktet zakonisht nuk shkojnë mbi 13 paund dhe rakia është e pranishme kudo dhe shërbehet bujarisht.

Falë ambicies zgjeruese të romakëve të hershëm, Shqipëria ka rrënoja të shkëlqyera antike, përfshirë në vende si, Apollonia dhe Butrinti, ndërsa qyteti i Beratit mbi lumin Osum shfaq bukur arkitekturën e tij osmane të shekullit XV.

Vija bregdetare e Shqipërisë, që shtrihet në gati 300 milje, është mbushur me hotele të reja.

Në vijën bregdetare joniane në jug, Hoteli “Sea View” mund të ketë një emër të thjeshtë, por ofron sushi pranë pishinës në stilin e Ibizas dhe ndodhet përballë plazhit në qytetin e gjallë turistik të Himarës.

Shumë operatorë turistikë po fokusohen tani te Shqipëria, ndërsa agjencia “Regent Holidays” ka organizuar ture për më shumë se 50 vjet.

Turi i saj tetëditor “Shqipëria, Bregdeti dhe Kultura” përfshin qëndrime në hotelin “Sea View”dhe vizita në Berat dhe Butrint, me fluturim drejt Korfuzit dhe transferta me traget dhe makinë drejt hotelit.

Shtatë netë, me mëngjesin e përfshirë, ofrohet për 2,230 paund për person, përfshirë fluturimet, guidat dhe transfertat.

Përveç Shqipërisë, “The Times”, mes gjashtë alternativave të shkëlqyera për pushime, ka renditur edhe, thesaret antike në Greqi dhe Turqi me pamje nga deti, fluturimet e reja drejt Malit të Zi, aktivitete si çiklizmi në Qipro, zbulimin e mistereve të Istrias në Kroaci dhe jugun e qetë të Turqisë. 

Te tjera

Lajme te tjera