Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të mërkurë një mbledhje me grupin parlamentar të PD-së, ku foli edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë se po pengon rrugën europiane të vendit.
“Nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin se sa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës. Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën’, tha ai.
Berisha deklaroi se integrimi europian nuk përbën interes për mazhorancën aktuale, pasi sipas tij ky proces kërkon standarde dhe rregulla që bien ndesh me mënyrën e qeverisjes.
“Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë. Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve. Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut. Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit“, tha ai.
