E mërkurë, 13 Maj, 2026

Ilir Meta ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, veprimtaria kriminale e tij shtrihet nga viti 2009 deri në 2017, prokurori special “gozhdon” ish-presidentin, zbulon mesazhin që i kërkonte 200 mijë euro Kastriot Ismailit, ja lëvizjet në llogari

Share

Seanca e dytë në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta u dominua nga deklaratat e prokurorit special të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i cili lexoi në sallën e gjyqit prova nga dosja hetimore për aferën “CEZ-DIA”, lobimet e LSI-së në SHBA dhe marrëdhëniet e Metës e Monika Kryemadhit me biznesmenin Ardian Shatku dhe ish-administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj.

Gjatë paraqitjes së provave, prokurori Sotir Kllapi, deklaroi se hetimet kanë evidentuar komunikime intensive mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Ai ka lexuar në sallën e gjyqit një mesazh që sipas tij, Ilir Meta i ka dërguar në vitin 2009 biznesmenit të DIA-s, Kastriot Ismailaj, duke i kërkuar një shumë prej 200.000 eurosh, por rrethanat dhe shkaku nuk dihen. “Ilir Meta dhe Kastriot Ismaili, kanë pasur lidhje të ngushta.

Në vitin 2009 ka një SMS që i pandehuri i dërgon Ismailit: “Nesër më duhen patjetër 200 mijë, mos harro”, lexoi prokurori Sotir Kllapi. Mirëpo, ky pretendim u kundërshtua nga avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili theksoi se kjo përmbajtje nuk ndodhet në dosje që disponon ai. Edhe në fashikujt që kanë rrjedhur në media muaj më parë, ky episod nuk rezulton. “Kjo nuk është në dosjen që kemi ne”, është shprehur avokati.

Lobimi në SHBA

Ndërkohë, si përfaqësues i akuzës, prokurori Sotir Kllapi ka vijuar më tej me një tjetër fakt penal ndaj Ilir Metës, ai që lidhet me lobimin në Amerikë për llogari të ish-LSI. Ai është shprehur se pavarësisht mohimit, Ilir Meta ka qenë në dijeni të plotë të marrëveshjes së lobimit të partisë së tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas akuzës, Meta dhe Kryemadhi kanë ndërhyrë për interesa të biznesmenit Ardian Shatku në sektorin e fibrave optike dhe në çështjen CEZ-DIA. “Meta e Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA që kompania e Ardian Shatkut të futet në treg. Ka komunikime të vazhdueshme, takim të Metës në Marok dhe SHBA.

Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave në Shqipëri”, tha prokurori. Më tej SPAK pretendon se çifti Meta-Kryemadhi ka ushtruar ndikim edhe në institucione shtetërore për të favorizuar kompaninë e Shatkut. “Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës”, u shpreh prokurori.

Po ashtu, në sallën e gjyqit u lexuan edhe komunikime që, sipas SPAK, lidhen me negociimin e kontratave dhe interesat ekonomike të përfshira në këtë çështje. “Kryemadhi i ka shkruar Shatkut se ‘ne duam kontratën’, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, tha përfaqësuesi i akuzës.

Nga ana tjetër prokurori special Sotir Kllapi paraqiti argumentet e SPAK për mbajtjen në paraburgim të Ilir Metës, duke deklaruar se mbrojtja e ish-presidentit nuk paraqiti asnjë provë se çfarë ka ndryshuar, por vetëm argumente të përgjithshme. Sipas tij, Ilir Meta ka rrezikshmëri të lartë shoqërore, veprimtaria kriminale e tij shtrihet nga viti 2009 deri në 2017. “Mbrojtja ju referua vendimit unifikues të 4 majit.

Nëse nuk ka asnjë rrethanë që ka zbutur nevojat e sigurimit, apo dyshimin e arsyeshëm ne mendojmë se nuk ka asnjë rrethanë të ndryshuar. Veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet i pandehuri Ilir Meta shtrihet nga 2009 deri ne 2017 dhe për veprën e “deklarimit të rremë” është akuzuar vetëm njëherë. Një periudhë e gjatë kohore. Ne mendojnë se rrezikshmëria shoqërore është evidente”, theksoi prokurori.

Sakaq ai hodhi poshtë edhe pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë. “Në këto rrethana vendimi unifikues nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Nuk ka zbutje të nevojave të sigurimit. Kushtetuesja ka shqyrtuar proporcionalitetin e masës dhe e ka konsideruar proporcionale. Kërkesa e të pandehurit për zëvendësim të masës është e pabazuar në ligj dhe prova. Kërkojmë rrëzimin e saj”, nënvizoi prokurori i SPAK, Sotir Kllapi.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera