Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ka lëshuar akuza të forta lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke zbërthyer atë që ai e cilëson si një “grup të strukturuar kriminal” brenda mazhorancës socialiste. Sipas Cakos, mbrojtja e palëkundur që kryeministri Edi Rama po i bën ish-ministres Belinda Balluku nuk është rastësi, por një lëvizje e diktuar nga frika e humbjes së pushtetit. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Cako argumenton se bunkerizimi i Parlamentit për të mbrojtur Ballukun vjen si pasojë e një hierarkie të rreptë ku siguria e liderit varet nga heshtja e bashkëpunëtorëve. Sipas tij, Belinda Balluku nuk është në majë të kësaj piramide, por është një nivel kyç që, nëse bie, merr me vete të gjithë strukturën duke rrezikuar Edi Ramën. Ai shton se kryeministri dhe “ushtarët mavi” në Kuvend janë të detyruar ta mbrojnë atë, pasi frika nga provat që mund të implikojnë shefin e qeverisë është tepër e lartë. Megjithatë theksojmë se këto deklarata të z. Cako janë individuale dhe politike, ndërsa sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
-Zoti Cako, opozita akuzon kryeministrin se po ‘bunkerizon’ parlamentin për të mbrojtur Belinda Ballukun, ndërsa deputetët e PS-së u quajtën ‘ushtarë’ të saj. Pse Rama e ka të pamundur ta lëshojë? Mendoni se ish-ministrja e kërcënon me prova që implikojnë dhe shefin e qeverisë?
Sigurisht që ka një grup të strukturuar kriminal në Partinë Socialiste e qeveri, ku ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk është në majë të piramidës. Nëse bie një nivel i piramidës, rrezikohet gjithë piramida, sidomos maja e saj dhe Rama këtë e kupton mirë. Afërmendsh, kryeministri Edi Rama dhe ushtarët e tij mavi në Kuvend, nuk mund ta lëshojnë, veçse me shtrëngim ligjor. Nga ana e saj, opozita e lufton korrupsionin me hipokrizi pasi plaga mavi është çarë e qelbin po e shohin të gjithë dhe ajo nuk mund të mos flasë. Korrupsioni është në sistem, pavarësisht se kush udhëheq, Partia Socialiste apo Partia Demokratike dhe de jure PD nuk shqetësohet nga korrupsioni i Rilindjes por de facto ajo e shfrytëzon këtë korrupsion super të lartë për të fituar pikë tek votuesit.
-Gjykata zbuti masën ndaj Mirlinda Karçanajt të AKSHI-t. Ju keni folur shpesh për kontrollin e të dhënave (Big Data). A është kjo lëvizje e drejtësisë një shenjë se po fshihen gjurmët e një eksperimenti më të madh të kontrollit dixhital mbi qytetarët shqiptarë, ku AKSHI shërben si “serveri’ qendror”?
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është një nën-projekt shqiptar në projektin e madh botëror për të ndërtuar survejimin, monitorimin e njerëzve, ndërtimin e identitetit dixhital, kontrollin e burgjeve të hapura që quhen Big City, simulimin e sjelljeve të njerëzve nëpërmjet algoritmeve kompjuterike të prodhuara nga tekno lordët feudalë të Big Brother-it. AKSH-i, si një vegël e rëndësishme shqiptare në puzzel- in global ishte lejuar të dhjamosej me korrupsion galopant aksionerët e të cilit shtriheshin vertikalisht. Kështu që për të krijuar besim dhe bindje tek ata që do të vijnë në krye të AKSH-it për të realizuar këtë mision skllavërimi dixhital, globalistëve që ndikojnë mbi SPAK-un do t’u duhet të ulin intensitetin ligjor të goditjes ndaj Karçanajt duke shfrytëzuar pretekstin e të qenit femër.
–Zoti Cako, ditët e fundit pamë se si të gjithë kandidatët që tentuan të sfidonin Berishën u skualifikuan brenda 24 orëve për ‘mosplotësim kriteresh’. Sipas jush, a është ky një proces real statutor, apo një operacion i pastër për të krijuar një ‘Parti-Kult’ ku askush nuk lejohet të rritet përveç “Udhëheqësit”?
Unë mendoj që Partia Demokratike do dobësohet ose dhe shkatërrohet nëse sëmundja e gjithë familjes biologjike Berisha shpërndahet në trupin e forumeve drejtuese. Gjithsesi, mendoj se ka dhe 10 ditë mundësi që Doktor Berishës ti kthehet arsyeja, të tërhiqet, të lejojë garën demokratike nën arbitrimin e tij dhe të ndihmojë kandidatin më të mirë. Ndërsa Rilindja që i bëri puç PS dhe e uzurpoi atë në forumet më të larta është e kontrolluar nëpërmjet Ramës nga një elitë ndërkombëtare, PD dhe Dr. Berisha duhet të maksimizojnë përpjekjet që PD të mbetet një thesar politik 100% shqiptar.
-Sali Berisha i quajti kandidatët e përjashtuar si ‘vegla të Edi Ramës’ dhe ‘tradhtarë’ që punuan kundër partisë. A është kjo një lojë ku Rama dhe Berisha po bashkëpunojnë për të asgjësuar çdo alternativë të re që mund të rrezikojë marrëveshjen e tyre 35-vjeçare?
Narrativa e Sali Berishës për kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike që ai nuk i mbështet, në fakt është kundër ndërkombëtarëve që preferojnë ndonjë kandidat për ta manipuluar atë pastaj sipas interesave të tyre globaliste. Por Berisha nuk do të hyjë në konflikt me ta dhe nxjerr emrin e Edi Ramës, i cili është pika fundore shqiptare në këto interesa.
Intervistoi: Rigels Seliman
