E premte, 1 Maj, 2026

Tabaku me bizneset gjermane: Shqipëria duhet të lërë pas modelin aktual dhe të tërheqë investime produktive

Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi këtë mëngjes një takim me rreth 50 përfaqësues të bizneseve gjermane, në një aktivitet të organizuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung, në kuadër të një vizite të tyre në Shqipëri për të shqyrtuar mundësitë e investimit.

Gjatë bisedës, Tabaku prezantoi potencialin ekonomik të vendit, por njëkohësisht evidentoi edhe kufizimet e modelit aktual ekonomik, i cili sipas saj nuk po garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe nuk po tërheq investime cilësore.

“Shqipëria nuk mund të vazhdojë me këtë model ekonomik. Duhet të kalojmë drejt një modeli tjetër një modeli që prodhon vlerë, që mbështet industrinë dhe që tërheq investime produktive, të cilat sot mungojnë,” u shpreh ajo.

Ajo theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik për vendin, por sipas saj, ky proces nuk mund të realizohet pa një ekonomi funksionale dhe konkurruese.

“S’ka integrim europian me një ekonomi që nuk prodhon. S’ka zhvillim me investime që nuk krijojnë vlerë. Shqipëria duhet të tërheqë investime që ndërtojnë industri, që krijojnë punë të mirëpaguar dhe që lidhen me zinxhirët europianë të furnizimit,” theksoi Tabaku.

Deputetja ftoi sipërmarrësit gjermanë të shohin Shqipërinë si një destinacion për investime afatgjata, veçanërisht në sektorë strategjikë si energjia, qendrat e të dhënave, industria përpunuese dhe teknologjitë e avancuara, duke nënvizuar potencialin e vendit për t’u integruar në zinxhirët europianë të furnizimit.

“Shqipëria ka pozicion strategjik. Por ky potencial nuk shfrytëzohet vetë. Duhet një politikë ekonomike që e mbështet dhe nuk e pengon,” u shpreh ajo.

Në të njëjtën linjë, Tabaku vuri në dukje se mungesa e investimeve produktive lidhet me klimën e biznesit dhe pasigurinë ligjore, duke theksuar se aktualisht dominon një strukturë investimesh e orientuar drejt pasurive të paluajtshme.

“Sot kemi më shumë investime që lidhen me pasuri të paluajtshme dhe më pak investime në prodhim dhe industri. Ky është një sinjal që modeli nuk funksionon,” theksoi ajo.

Në takim mori pjesë edhe Joachim Pfeiffer, ish-deputet i Bundestagut dhe ish-zëdhënës për ekonominë dhe energjinë për grupin CDU/CSU, një figurë e njohur e spektrit konservator gjerman.

Në përfundim, Tabaku nënvizoi nevojën për një ndryshim të qartë të kursit ekonomik, duke theksuar rëndësinë e investimeve të huaja si faktor kyç për zhvillimin.

“Ne duhet të kalojmë nga një ekonomi që konsumon, në një ekonomi që prodhon. Nga një ekonomi që shpërblen privilegjin, në një ekonomi që shpërblen punën dhe investimin e ndershëm,” përfundoi ajo.

Te tjera

Lajme te tjera