Nga bujtinat, hotelet, apartamentet, agroturizmat, restorante, kafene, club-e e deri tek stacionet e plazheve apo aktivitetet ujore, të gjithë do të jenë në lupën e administratës tatimore, si pjesë e planit për kontrollet në sektorin e turizmit për këtë vit.
Plani me 8 pika i Administratës Tatimore synon të rrisë numrin e bizneseve që paguajnë TVSH apo tatim mbi fitimin, duke goditur evazionin fiskal dhe bizneset që operojnë të paregjistruar. Po kështu do të ketë kontrolle mbi deklarimin e shfrytëzimit të hoteleve e deri tek verifikimet e për punonjës të padeklaruara apo tek paga jo reale.
Për të goditur evazionin tatimet do të merren të dhëna edhe nga platformat Booking, Airbnb, për verifikimin e çmimeve që ofrojnë strukturat akomoduese. Pra nëse deklarojnë çmimet reale për dhomat e tyre apo jo.
Në plan thuhet se do të përfshihen në këto kontrolle të gjithë subjektet me NIPT, ata që janë identifikuar nëpërmjet Booking apo Airbnb si dhe ato tatimpagues që janë të regjistruar në Ministri të Turizmit ose që kanë marrë fonde nga AZHBR.
Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të nisë me njoftime drejtuar tatimpaguesve të këtij sektori në platformën e-Filing për informim të menjëhershëm, do vijohet me kontrolle të detajuara për subjektet me risk dhe më pas verifikime në terren për deklarimet e subjekteve.
“Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të:
Aplikojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut;
Kërkojë deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave;
Monitorojë deklarimin e punonjësve të angazhuar në aktivitet, si dhe zbatimin e pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor;
Verifikojë zbatimin korrekt të faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar.
Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit, që operojnë në sektorin e turizmit të marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin tatimor në fuqi, me qëllim shmangien e masave administrative dhe penalitetet që rrjedhin nga mosrespektimi i detyrimeve ligjore”, thuhet në njoftim. /report tv/
