Kosova po hyn në një tjetër garë të jashtëzakonshme zgjedhore. Partitë politike kanë kaluar ditët e para të javës duke bërë afrime, rikthime dhe lëvizje të forta politike. Ngjarja që tronditi më shumë skenën politike është ndarja përfundimtare mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Dyshja që fitoi bindshëm zgjedhjet e vitit 2021 tashmë janë kundër njëri tjetrit. Kurti mbeti kryeministër në detyrë, ndërsa Osmani u rikthye në LDK me synimin për ta rrëzuar nga pushteti ish-aleatin e saj. LVV-ja ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa Kurti ka rritur pritshmëritë duke deklaruar se synimi i ri është “60 për qind”. Afrimi më i rëndësishëm i prezantuar nga Kurti është Krenare Çerkini, të cilën ai e përshkroi si profil akademik me përvojë ndërkombëtare në arsim dhe rini.
Përtej saj, LVV nuk pati lëvizje të tjera publike. Krejt ndryshe është treguar Vjosa Osmani duke qenë shumë më aktive. Pasi u rikthye në LDK, ajo mori me vete disa emra të njohur që deri dje ishin pjesë e kampit të Vetëvendosjes dhe partisë Guxo. Mes tyre janë Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj, të cilët u rreshtuan krah saj pas përplasjes me Kurtin. Osmani ka prezantuar gjithashtu emra të rinj si Fahrije Hoti nga Krusha, aktivistja Arjeta Musliu, juristi Bardhyl Hasanpapaj, analisti Visar Xani, eksperti i shëndetësisë Besim Kodra, avokatja shqiptaro-britanike Brikena Muharremi, ish-deputeti i PD-së në Shqipëri Kreshnik Çollaku dhe ish-nënshkruesi i Pavarësisë, Lulzim Zeneli. PDK-ja ndërkohë ka refuzuar rikthimin e Fatmir Limajt në listën zgjedhore. Bedri Hamza deklaroi se e mirëpret mbështetjen e Nismës, por jo përfshirjen direkte të Limajt. Partisë iu bashkua Aida Dërguti, ish-deputete e LVV-së dhe analiste politike. Po ashtu, në listë do të jenë profesori Naim Telaku, aktivisti Shemsi Jashari dhe studiuesi Miftar Kurti. Në AAK, zhvillimi kryesor është kandidimi i Ardian Gjinit për kryeministër dhe bartës liste. Ramush Haradinaj ka afruar pranë vetes veteranin Agron Kajtazi, Bajram Mulajn dhe ish-ambasadorin Avni Arifi.
