Rigels Seliman
Shqiptarët vijojnë t’i kenë ende të freskëta ngjarjet e 14 shtatorit 1998. Dje janë mbushur plot 25 vite nga dita kur Sali Berisha dhe mbështetës të tij sulmuan Kryeministrinë për t’i marrë pushtetin Fatos Nanos. Edhe pse pati revolta dhe përplasje, organizatorët arritën t’ia hidhnin paq. Një ndër protagonistët e asaj kohe është dhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i cili asokohe mbante postin e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Koçi ka treguar se çfarë ndodhi në 14 shtator të 1998, duke u shprehur se Sali Berisha kishte kohë që e kishte menduar sulmin ndaj Selisë së Këshillit të Ministrave. Sipas tij, vrasja e Azem Hajdarit u përdor si pretekst nga Berisha për të rrëzuar qeverinë me armë në duar. “14 shtatori i 1998 nuk kishte në nisje vrasjen e Azem Hajdarit, por ishte i përgatitur prej kohësh. Mjafton të lexosh gazetat e para datës 12 shtator, titujt kryesor të gazetave ishin të variantit “Shqipëria në luftë”, “Shqipëria në kryengritje”. Vrasja e Azem Hajdarit ishte vetëm sebepi i justifikimit. PD e kishte për filozofi sulmin e armatosur dhe rrëzimin e institucioneve”, deklaroi ai. Më tej, numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes theksoi se përgjegjës për ngjarjen u bënë krerët e PD dhe Sali Berisha, por siç ndodh rëndom në Shqipëri, ata nuk e morën përsipër fajin dhe nuk u dënuan për kasaphanën që bënë. “Natyrisht, PD e mori përsipër atë përgjegjësi të rëndë dhe duhej ndërhyrja e ndërkombëtarëve, që grushti i shtetit të mos shkonte deri në fund. Fatkeqësisht, krerët e PD me në krye Saliun nuk mbajtën përgjegjësi për atë që bënë, sepse në Shqipëri partitë dhe politikanët janë më të fortë sesa shteti dhe institucionet. Prandaj, ai nuk u përgjigj kurrë për atë që bëri, ashtu siç nuk u përgjigj për ’97. Mendoj se ishte një pësim që ka vlejtur si mësim, sepse sulmi mbi institucionet nuk është përsëritur më. Megjithatë, PD, përdorimin e armëve e ka dëshmuar në 14 shtator nga jashtë Kryeministrisë, ndërsa në 21 janar nga brenda Kryeministrisë”, nënvizoi deputeti i PS, Petro Koçi.
Reagon Beqiri
Ndërkohë edhe avokat Idajet Beqiri ka zbardhur dje detaje sa i takon ngjarjeve të 14 shtatorit 1998. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Idajet Beqiri shprehu bindjen se grushti i shtetit që Berisha bëri asokohe, nuk ishte një sulm vetëm ndaj qeverisë por në tërësi ndaj gjithë qytetarëve. Në këtë kontekst, Beqiri theksoi se Berisha pasi ideoi dhe urdhëroi vrasjen e ish-deputetit Hajdari, e përdori këtë të fundit si pretekst për të rrëzuar qeverinë në 14 shtator të vitit 1998. “Grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998 ishte krimi makabër i Berishës kundër shtetit shqiptar, institucioneve të tij demokratike si dhe kundër popullit shqiptar. Për nga përmasat ishte i dyti krim i rëndë, pas gjenocidit që Berisha bëri kundër shqiptarëve atdhetar, të cilët ishin të përbetuar si anti-serb dhe të pozicionuar si opozitarë kundër tij si President, në marsin e vitit 1997. Ndërkohë që pasi gjeti “sebepin” e gjashtë udhëheqësve të PD-së që u arrestuan dhe pasi përgatiti me ndihmën e qarqeve më të rrezikshme antishqiptar serbe të specializuar skenarin ogurzi të vrasjes së Azem Hajdarit, për ta përdorur pastaj si “kokë turku”, hodhi në sulm me armë dhe me urën e zjarrit gjithë kriminelët e tij, të paguar me gjakun dhe financat e shqiptarëve, duke i djegur dhe shkatërruar gjithë institucionet qendrore të shtetit dhe një pjesë të konsiderueshme të bizneseve të pastra të shqiptarëve”, deklaroi avokat Idajet Beqiri dje për gazetën SOT.
