E diel, 27 Shtator, 2026

A do ta bllokojë mazhoranca mandatin e Arben Ahmetajt? Ja rasti i vetëm kur socialistët nuk kanë dhënë miratim për arrestim

Share

Edhe pse PS gëzon pushtet të plotë në vend me një opozitë të dobët dhe një shoqëri të pashpresë dhe pa ide të qartë për të ardhmen e vet, skandalet e mëdha korruptive, shtetërore të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ve dhe heqja dorë prej mbrojtjes së tyre nga selia rozë, është kthyer në një metodë të rëndomtë të kryeministrit Edi Rama dhe partisë që drejton. Kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të deputetit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për 4 vepra penale lidhur me inceneratorin e Elbasanit pritet të miratohet sot nga Këshilli i Mandatit dhe Legjislacionit, e për rrjedhojë dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas zërave brenda selisë rozë, mazhoranca ka vendosur të mos kthehet në mburojë të Ahmetajt, edhe pse ai ka qenë njëri prej politikanëve më të pushtetshëm në vend gjatë 10 viteve të fundit. Socialistët pritet të ndjekin të njëjtën metodë “dorëzimi” të ish-funksionarëve të tyre shtetërorë dhe partiakë në organet e drejtësisë. Që prej ardhjes në pushtet në 2013, PS ka mjaft precedentë “sakrifikimi”të pjesëtarëve të vet me qëllim shpëtimin e pushtetit. Rastet Frroku, Doshi dhe Prenga dëshmojnë gadishmërinë e partisë më të madhe në vend për të “larë duart” nga “barërat e vet të këqinj” dhe bindja ndaj opinionit publik se është e gatshme të mos bëjë asnjë kompromis me abuzimet me pushtetin, qoftë dhe brenda radhëve të veta. Rast përjashtues kur PS nuk pranoi të dorëzojë deputet në duart e drejtësisë në rrugë parlamentare ka qenë Saimir Tahiri, kur drejtësia kërkoi prangosjen e tij, pasi nga autoritetet italiane akuzohej për bashkëpunim me grupin kriminal të narko-trafikut Shqipëri-Itali të Habilajve. Më poshtë do të paraqesim se si PS ndër vite ka “tradhtuar” besnikët e vet duke u përpjekur të përmirësojë në mënyrë propagandistike imazhin e vet të degraduar në çdo rast kur skandalet dhe drejtësia e dirigjuar ka kërkuar arrestimin e tyre.
Rasti Doshi dhe Frroku, u akuzuan për shpifje lidhur me tentativën e vrasjes nga Meta
Në 26 mars 2015, mazhoranca i hoqi mandatin deputetëve Tom Doshi (PS) dhe Mark Frroku (Partia Demokristiane, aleate atë kohë e PS). Për heqjen e mandatit të Doshit votuan pro 80 deputetë, kurse ndaj Frrokut 79. Të dy u akuzuan për shpifje lidhur me denoncimin publik të Tom Doshit se kryetari i parlamentit të kohës, Ilir Meta kishte paguar Durim Bamin, element kriminal, për të eliminuar për llogari të kryetarit të sotëm të PL vetë Doshin dhe deputetin demokrat Mhill Fufi. Drejtësia i konsideroi trillime pretendimet e Doshit dhe kërkoi arrestimin e tij dhe Frrokut, i cili u përfshi në këtë histori. Megjithatë, ish-deputeti i Pukës u kërkua të arrestohej nga drejtësia belge për një vrasje të kryer në vitin 1999 në këtë vend. Kur çështja e mandatit të deputetit të Frrokut shkoi në Gjykatën Kushtetuese, ky i fundit la mandatin e deputetit në 26 nëntor 2015.
Armando Prenga, iu hoq mandati për plagosje dhe dhunë në 2015
Në 7 shtator 2015, mazhoranca dhe opozita i hoqën deputetit socialist të Laçit, Armando Prenga mandatin e deputetit. Ky i fundit u akuzua e arrestua për sherr masiv e plagosje në Lagunën e Patokut. Fisi i tij dhe një palë tjetër u zunë për çështje prone në këtë territor dhe Prenga rezultoi se qëlloi me armë. Në atë ngjarje u plagosën plot 7 persona. Në 27 shkurt 2017, Prenga dorëzoi mandatin e deputetit.
Saimir Tahiri, u shkarkua si ministër, por jo si deputet, u dënua dhe fitoi lirinë
Njëri prej personave më të fuqishëm në PS dhe mazhorancën socialiste, Saimir Tahiri përbën përjashtim nga sjellja e ish-partisë së tij se nuk mund të bëhet avokate e mburojë e elementëve të vet të kriminalizuar e korruptuar. Në 25 tetor 2017, kur drejtësia italiane prangosi grupin e Habilajve, kushërinj të tij për trafik ndërkombëtar droge, Kuvendi vendosi me 75 vota kundër dhe 60 pro heqjen e mandatit të tij. Megjithatë, socialistët e lëshuan Tahirin kur ai u shkarkua në 11 mars 2017 nga posti i Ministrit të Brendshëm. Tahiri u përball me 5 vite radhazi me drejtësinë për akuzat e grupit të strukturuar kriminal, trafikut ndërkombëtar të drogës dhe shpërdorimit të detyrës. Ai u dënua në 4 shkurt 2022 me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre. Pak muaj më parë, Tahirit iu dha e drejta ta kryente pjesën e mbetur të dënimit si “arrest shtëpie” për shkak se bashkëshortja e tij doli me probleme shëndetësore në pamundësi të kujdesej për fëmijët e saj, sipas një raporti mjekësor.


Te tjera

Lajme te tjera