Në Shqipëri debatet mbi të shkuarën komuniste vijojnë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rënia e diktaturës. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka paraqitur disa problematika që i ka hasur në punën e tij 6-vjeçare, të cilat përkthehen në propozime të mundshme për të bërë disa ndryshime apo shtesa në ligjin funksional nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo të ndonjë ligji tjetër, të cilët do të ndikonin në cilësinë e punës së Autoritetit. Gazeta “SOT” ka siguruar raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2022, i cili është prezantuar ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve nga kryetarja Gentiana Sula. Aty thuhet se disa funksionarë publikë, të cilët kishin certifikatën e pastërtisë së figurës, kanë rezultuar bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtarë të ish Sigurimi hetues apo gjyqtar. Pra skandali është se certifikatat e pastërtisë së figurës së tyre janë lëshuar mbi dokumente jo autentike dhe jo origjinale. Problematikat që rendit Autoriteti i Dosjeve zbulojnë dhe kleçkat që po bllokojnë hapjen e dosjes së I.M.
Certifikata false të spiunëve
Autoriteti ka hasur vështirësi në zbatimin e dispozitës të pikës 4, të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015, i cili, në disa raste, ka dalë me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt, ku në një procedurë Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga institucione kushtetuese apo autoritete publike dhe Vendimmarrja ka rezultuar që subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe në procedurën tjetër, ku Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga persona të prekur nga aktiviteti i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit dhe vendimi tjetër, në të cilin, i njëjti subjekt rezulton p.sh. si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtar i ish Sigurimit, hetues apo gjyqtar. Kjo pasi, dispozita e sipërcituar, pikë e nenit, ka sjellë pengesa dhe ka krijuar vështirësi. Dokumentacioni i trashëguar mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e këtyre komisioneve jo vetëm që nuk është autentik dhe original, nuk ka kaluar nëpër një proces të mirë dhe të bazuar në rregulla të qarta mbi administrimin e ruajtjes së dokumentacionit zyrtar, nuk ka një inventar të saktë dhe gjatë përpunimit dhe përdorimit të tij kanë rezultuar pasaktësi.
Disa dokumente janë asgjësuar
Një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit të ish-Sigurimit të Shtetit ndodhet nëpër arkivat e institucioneve si trashëgimi institucionale, e papërdorshme dhe ndoshta jo e njohur mirë nga administratoret e tij dhe kjo ka bërë të mundur apo ngritur shqetësimet dhe paqartësitë, mbi detyrimin e autoriteteve të tjera shtetërore të dorëzojnë dokumente që mund të mos (konsiderohen) të kenë lidhje me atë nocion të paqartë të ish-Sigurimit të Shtetit, pa marrë në konsideratë faktin se Autoritet është institucioni i krijuar me ligj dhe i specializuar për realizimin dhe kryerjen e një procesi të tillë. Gjithashtu, lidhja e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit me veprat penale politike has në vështirësi, duke qenë se një pjesë e madhe e dokumenteve janë të asgjësuara, gjë që sjell vështirësi teknike për stafet e institucioneve dorëzuese dhe institucioneve marrëse. Në këtë këndvështrim, ndryshimi i kësaj dispozite do të lehtësonte procesin e identifikimit dhe dorëzimit të dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit, pranë Autoritetit.
Janë dekoruar dhe spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit
Bazuar në praktikat e deritanishme të Autoritetit, ku pas verifikimeve lidhur me pastërtinë e figurës të kryera në dokumentacionin arkivor që administrojmë, ka rezultuar se ekzistojnë të dhëna dhe dokumente të krijuara nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit për bashkëpunimin me këto struktura (si bashkëpunëtorë, dëshmitarë në procese politike, denoncues etj.), në emër të personave, të cilët më pas janë propozuar për medalje ose tituj nderi në kuadër të harmonizimit ligjor të dispozitave të parashikuara në këtë drejtim, Autoriteti ka paraqitur propozime konkrete që në projektligjin për dhënien e dekoratave të parashikohet një dispozitë për detyrimin e institucioneve/autoritetiteve përgjegjëse për dhënien e dekoratave që të paraqesin kërkesë për verifikim të kandidatëve përpara dekorimit ose dhënies së titujve të nderit, me qëllim zhvillimin e procedurave të verifikimit të pastërtisë së figurës të shtetasve të propozuar, për periudhën kohore nga 29 nëntor 1944 deri në datën 02 korrik 1991, si fushë e veprimit të ligjit 45/2015 i ndryshuar, në funksion të zbatimit të detyrimeve ligjore që kanë institucionet shtetërore në Republikën e Shqipërisë.
Spiunë të ish-Sigurimit në politikë
Që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 45/2015, në zgjedhjet parlamentare dhe vendore të mbajtura, kanë marrë në konsideratë procesin e verifikimit, shumë pak subjekte politike të regjistruara në zgjedhjet përkatëse. Në lidhje me ekzistencën e informacioneve në dokumentet e ish–Sigurimit te Shtetit për kandidatet për deputetë apo kryetarë bashkie, në zbatim të nenit 30, të ligjit. Kjo mospërfshirje e subjekteve politike zgjedhorë për të sjellë kandidatët e tyre për t’u verifikuar, si një e drejtë që subjektet duhet ta ushtrojnë për qëllime të transparencës së figurës gjatë fushatave elektorale, është shoqëruar me pretendime nga persona të tretë për pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë
Proces i gjatë pune
Autoriteti gjatë ushtrimit të detyrave funksionale është ndeshur me vështirësi dhe vonesa gjatë procesit të deklasifikimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në fondet arkivore, për vënien në dispozicion të akteve të përdorshme subjekteve kërkuese, si rezultat i procesit të gjatë, të parashikuar nga ligji për informacionin e klasifikuar. Për këtë arsye, me qëllim përmirësimin e punës dhe eficiencës e efektivitetit në dhënien e shërbimeve subjekteve kërkuese, lind nevoja për lehtësimin e këtij procesi. Vendosja e një dispozite ligjore për deklasifikim tërësor të dokumentacionit që përfshihet në një nga katër nivelet e klasifikimit, duke përjashtuar ato dokumente që cënojnë sigurinë kombëtare, do të ishte zgjidhja e problemit.
Ngarkesa e madhe e institucionit
Problematikë në vijim është ngarkesa e madhe në sektorin e kërkesave për qëllime studimore/ mediatike, për shkak të volumit të dokumenteve objekt anonimizimi. Disa kërkesa shumëfishe dhe voluminoze në disa mijëra faqe, (400 dosje për kërkesë) ngadalësojnë punën për kërkesat e tjera 2020, 2021, për anonimizimin e dokumenteve të praktikave në fjalë. Për këtë lind nevoja e ndihmës në trajtimin e materialit arkivor që do të vihet në dispozicion të studiuesve, me qëllim përshpejtimin e procesit të anonimizimit, kryesisht për praktikat e mbartura pasi janë shumë voluminoze.
Ja pse nuk po hapet dosja I.M
Bazuar në praktikat e deritanishme, ku pas verifikimeve lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo është kërkuar nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve objekt i këtij ligji për t’u emëruar apo ngritur në detyrë, si dhe individëve në cilësinë e kërkuesit, është vërejtur pasaktësi, ose të dhëna jo të plota në dokumentacionin e administruar nga Autoriteti në gjeneralitetet e subjektit gjatë procesit të verifikimit të figurës së pastërtisë së tyre. Për këtë arsye lind nevoja që Autoriteti të përfshihet në një proces hetimi administrativ, ku t’i jepet mundësia që të hetojë, jo vetëm brenda dokumentacionit të krijuar nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit, apo të lidhura me to, apo institucioneve përkatëse të mbështetura në dispozitat e ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, por dhe të ketë mundësinë që të thellojë hetimin, duke përfshirë dhe marrjen e informacionit nga persona të tretë që rezultojnë në këta dokumente, në funksion të hedhjes dritë mbi të vërtetën, mbi saktësimin e gjeneraliteteve të shtetasit objekt verifikimi.
