Gjatë 32 viteve demokraci, në Shqipëri kanë ndodhur me dhjetëra masakra, vrasje dhe skandale që edhe sot janë pa autor. Që nga vjedhja me skemat piramidale, grushti i shtetit më 1998, vjedhja e floririt në Krrabë, vrasja e Azem Hajdarit, zhdukja e Remzi Hoxhës, shfarosja e fisit Haklaj në Tropojë, 21 Janari, Gërdeci, vjedhja e Rrugës Durrës-Kukës, videoja Meta-Prifti, skandali i CEZ-DIA, afera e ish-kompleksit Partizani, e shumë ngjarje të tjera kanë kaluar në heshtje dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Por ditët e fundit po jepen sinjale se mund të gjendet drita e zbardhjes për këto. Si për koincidencë, në të gjitha ngjarjet e përmendura më lart, protagonist i drejtpërdrejtë apo indirekt ka qenë Sali Berisha. Vendimi i Departamentit të Shtetit për ta shpallur të padëshiruar ka rritur rrezikun ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha nga drejtësia e re. Deri më tani, Berisha ka qenë i paprekshëm pasi çdo çështje kundër tij është mbyllur. Por situata ka ndryshuar pas vendimit të DASH dhe presioni ndaj drejtësisë është rritur ndjeshëm. Nëse shohim të gjithë zyrtarët e lartë në vend, Berisha është personi që ka më shumë kallëzime. Edhe pse ai është shprehur nëpër media se kurrë s’ka pasur akuza ndaj tij për korrupsion, në SPAK momentalisht kemi 3 dosje që nëse hetohen si duhen, lëkundin pozitat e ish-kryeministrit. Por tani Sali Berishës pritet t’i shtohet dhe një tjetër dosje. Djali i Remzi Hoxhës dhe familjarët e tjerë të tij, posaçërisht aktori i madh i hapësirave shqiptare, Xhevat Linani, kunati i Remzi Hoxhës, kanë pajisur avokatin e njohur Idajet Beqiri me një prokurë të përgjithshme për të bërë të mundur rihapjen e këtij procesi dhe vënien para përgjegjësisë ligjore para SPAK të Sali Berishës, si ideatori dhe urdhëruesi kryesor i vrasjes së Remzi Hoxhës. Beqiri paralajmëron zhvillime tronditëse për ish-kryeministrin. Për herë të parë, Z.Beqiri ka zbuluar pa “doreza” informacione tronditëse për fijet që lidhin Berishën si organizator i vrasjes së Remzi Hoxhës. Në një reagim për gazetën “SOT”, avokati ka treguar arsyen pse ish-kryeministri demokrat e eliminoi, vendin ku i çoi pjesët e trupit të masakruara nga SHIK i Bashkim Gazidedes dhe jep lajmin “bombë” se këto fakte që disponon do të shkojnë tek Prokuroria e Posaçme.“Remzi Hoxha ishte një veprimtar i rëndësishëm i çështjes kombëtare shqiptare, një njeri që ka kontribuar shumë për fuqizimin e krahut të armatosur të kësaj lëvizje për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ai ra në gjurmët e një takimi të fshehtë antishqiptar të ish Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha me Sllobodan Millosheviçin. Berisha, si agjenti potent me aktivitet të rëndësishëm kriminal në interes të Serbisë, kundër Shqipërisë dhe posaçërisht kundër Kosovës, vet, por edhe përmes ish kreut të SHIK Bashkim Gazidede, nuk ka lënë kriminelë serb pa takuar, duke marrë detyra dhe realizuar veprime kriminale antishqiptare, duke filluar me burgosjen e çdo veprimtari të Lëvizjes për çlirimin e Kosovës, deri me spiunimin e tyre në autoritetet e UDB së Serbisë dhe të policisë serbe, deri edhe në eliminimin fizik të tyre. Në këtë kuadër ai rrëmbeu dhe vrau në mënyrën më misterioze dhe çnjerëzore Remzi Hoxhën. Ishte pikërisht Sali Berisha që urdhëroi Bashkim Gazideden, kreun e SHIK, me bandën e tij kriminale, që e rrëmbyen, e torturuan, e bënë copa-copa me egërsi barbare Remzi Hoxhën dhe e hodhën thellë në det në Vahinë të Lezhës.
Eliminimi i Xhevat Hanës
Ndarja nga jeta në 5 janar 2012 të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Xhevat Hana u shoqërua me një pikëpyetje të madhe për shkak se familjarët e tij ngritën menjëherë dyshimin se vdekja e të afërmit të tyre mund të kishte ndodhur si pasojë e një helmimi të mundshëm dhe jo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme siç është raportuar zyrtarisht. I pari që publikisht shprehu dyshimin se Xhevat Hana mund të ishte vrarë ishte djali tij, Rezarti, i cili në një prononcim për mediat vetëm 3 orë përpara vdekjes së babait, hodhi dyshimet e para të familjes, se mos babait i është injektuar sëmundja e rëndë nga faktorë të jashtëm për hir të procesit që po ndiqte, atë ndaj ish-funksionarëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen Remzi Hoxhës. Edhe avokati i njohur Idajet Beqiri ndan të njëjtën mendim. Madje ky i fundit ka folur me emra. Sipas tij ai po i shkonte drejt fundit zbardhjes së vrasjes së Remzi Hoxhës. “Prokurori Xhevat Hana që hetoi këtë çështje arriti të nxjerrë të vërtetën e përfshirjes direkte të Sali Berishës në vrasjen tragjike të Remzi Hoxhës. Por Berisha me bandën e tij, e helmuan Prokurorin Hana dhe pastaj në mënyrën më tinzare, i thyen zyrën, i morën dosjen, “e pastruan” dhe e gjykuan sa për sy e faqe me një prokurore të tyre!”, u shpreh Idajet Beqiri për gazetën “SOT.
Detajet nga dosja e Remzi Hoxhës
Në 21 tetor të vitit 1995, në Tiranë do të ndodhte një prej ngjarjeve më të rënda që u tentua të fshihej nga pushteti i kohës. Biznesmeni nga Kosova Remzi Hoxha, i njohur si aktivist i çështjes kombëtare, u rrëmbye nga Shërbimi Informativ Kombëtar, u torturua deri në vdekje dhe trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur kurrë. Ky është një skandal që e ka shoqëruar karrierën 30-vjeçare të Sali Berishës, edhe pse ai kurrë nuk ka pranuar të ketë pasur dijeni për këtë ngjarje. Në fakt, prokurorët që kanë zbuluar që në atë kohë autorësinë e SHIK-ut të Bashkim Gazidedes rrëfejnë se u penguan nga krerët e shtetit t’i shkonin deri në fund çështjes. “Unë e kam hetuar çështjen e Remzi Hoxhës, kemi grumbulluar prova dhe kemi arritur në përfundimin që Remzi Hoxha ishte rrëmbyer nga autoritetet e Shërbimit Sekret Shqiptar. Hetimet u bllokuan si pasojë e presionit politik. Mbrojtes së hapur që iu bë autorëve të krimit direkt dhe indirekt nga zyrtarët më të lartë të asaj kohe” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-Kryeprokuror i Apelit
Si e zbardhi ngjarjen Xhevat Hana dhe fijet që e lidhin me Ali Ukën
Ngjarja u zbardh vetëm pas disa vitesh nga prokurori Xhevat Hana. Ai, u sëmur krejt papritur teksa çështja po i afrohej fundit të gjykimit. Familjarët e Hanës kanë ngritur dyshime mbi vdekjen. Po e dyshimtë ishte edhe vdekja e Budjon Meçes, efektivit të SHIK që ishte i fundit që pa gjallë Remzi Hoxhën. “Është e provuar që autoritetet e shtetit shqiptar janë përfshirë në këtë ngjarje. Por se sa, qysh tek dhe nëse është përfshirë direkt Sali Berisha në këtë ngjarje duhen prova” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-Kryeprokuror i Apelit Me zhdukjen e Remzi Hoxhës ka fije që lidhet edhe vrasja e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ali Uka në Korrik të vitit 1997 në Tiranë. “Gjithashtu është enigmatike vrasja e Aliut sepse qëndroi deri në orët e vona me këshilltarë të Berishës dhe në mëngjes u gjet i vdekur nga një i afërm i tij që u akuzua në Tiranë por me urdhër të Berishës u lirua shumë shpejt nga burgu, drejt Zvucrës dhe sot e kësaj dite nuk është dënuar” u shpreh Hashim Thaçi, Ish-Komandant i UÇK-së Referuar një bisede me Ali Ukën, ish presidenti Thaçi ka deklaruar vite më parë se ka të dhëna për një takim mes ish kreut të SHIK Gazidede, dhe paramilitarit serb Arkan. “Ndërsa për të implementuar marrëveshjen mes Berishës e Millosheviçit për furnizimin me armatim, sipas Aliut e burimeve të tjera kishte qëndruar në Shqipëri edhe Arkani, në Fushë Krujë e Shkodër” u shpreh Hashim Thaçi, Ish-Komandant i UÇK-së
Misteri i zhdukjes së Remzi Hoxhës, përmes rrëfimit të djalit të tij
Ardian Hoxha ishte 14 vjeç në vitin 1995 kur nëna e tij e transferoi atë dhe katër vëllezërit e motrat e tij në Tiranë, Shqipëri, për t’u ribashkuar me babanë e tyre. Babai i tij, Remzi Hoxha, kishte qenë një biznesmen dhe një aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë, por ishte larguar për në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav. Por pastaj, më 21 tetor 1995, ndodhi tragjedia. “Pak ditë pasi filloi mësimi as një muaj e gjysmë ndodhi kjo më e keqja që ne si fëmijë as që e kishim menduar se mund të ndodhte një gjë e tillë”, kujton Hoxha. Babai i tij, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç, u zhduk në Tiranë dhe kështu filloi një kërkim shumë-vjeçar për gjetjen e tij. Hoxha tha se nëna e tij thirri kunetërit e saj në Kosovë të cilët “erdhën në Tiranë dhe filluan menjëherë kërkimet në institucione të ndryshme, por ai nuk gjendej askund”. Fëmijët nuk i linin të hynin në dhomë që të dëgjonin bisedat e të rriturve, por ata e kuptuan se kishte diçka që nuk shkonte. “Ato ditë u tha se e kishte marrë policia, e kishte marrë ushtria, ishte shumë kaotike situata”, tha Hoxha. Familjes fillimisht iu tha se ai ishte “marrë verifikim” dhe se ai do të mbahej për 24 ose 48 orë. Kaluan 48 orë dhe pastaj “një javë, një muaj, një vit dhe ai nuk gjendej askund”. Lajmi se Remzi Hoxha nuk ishte më gjallë iu dha përfundimisht atyre nga politikani dhe shkrimtari shqiptar i Kosovës Adem Demaçi. Por ishte vetëm në 25-vjetorin e vdekjes së tij para tre vitesh që familja njoftoi se do t’i jepte fund kërkimit për gjetjen e eshtrave të tij. “Ne si familje do e bëjmë një varr, një memorial që të paktën të kemi një vend ku mund të shkojmë ta vizitojmë”, tha Ardian Hoxha në një konferencë për shtyp.
Të dyshuarit për vrasjen s’u burgosën kurrë
Familja pretendon se Remzi Hoxha u rrëmbye me urdhër të presidentit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha nga anëtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar të vendit, SHIK. Një raport nga organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International tha se ai ishte “larguar me makinë nga vendi i tij i punë në Tiranë nga burra që, sipas dëshmitarëve, ishin të veshur me rroba civile dhe ishin me një makinë e cila më vonë u raportua se u identifikua se i përkiste SHIK-ut”. Ardian Hoxha tha se nuk kishte asnjë qëllim për të vrarë babanë e tij, por se ai ishte torturuar aq keq, saqë nuk mund të mbijetonte. Pastaj, tha ai, autoritetet shqiptare “e fshehën trupin”, duke e lënë familjen të kërkonte eshtrat e tij për 25 vjet me radhë. “Kjo është ajo pjesa që neve sado që ishte dhimbje e madhe na ka zmadhuar për shumëfish sepse thoshim së paku trupin na jepnin”, tha ai. Ai pretendon se dy incidente bën që SHIK-u të merrte babanë e tij. I pari ishte që Remzi Hoxha mori informacione se Sali Berisha do të takohej me presidentin serb Sllobodan Millosheviç, gjë që do të shihej si një tradhti ndaj çështjes shqiptare. Incidenti i dytë ishte që Hoxha pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në qytetin shqiptar të Shkodrës – gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti. Me sa duket, Hoxha ia përmendi të dyja këto incidente Pjetër Arbnorit, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, dhe Ibrahim Rugovës, udhëheqësi i lëvizjes për pavarësi të Kosovës në anë kohë. Ardian Hoxha dyshon se Arbnori dhe Rugova i telefonuan Berishës për ato që u ishin thënë dhe se Berisha urdhëroi ndalimin e babait të tij nga frika e ekspozimit. “Ja shtojnë dhunën, torturën dhe prej torturave shumë të mëdha në bazë të rrëfimeve të njerëzve që kanë qenë aty, roja e kështu me radhë në baza sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës thuhet se prej torturave të mëdha ka vdekur. Dhe kjo është si ka rrjedh”, shtoi ai. Në nëntor 2012, një gjykatë e gjeti Ilir Kumbaron, një nga katër oficerët e SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin e Hoxhës dhe dy burrave të tjerë, fajtor për rrëmbimet dhe e dënoi atë në mungesë me 15 vjet burg. Por Kumbaro kishte kërkuar azil në Britani në vitin 1996 duke u hequr si refugjat nga Kosova dhe po jetonte atje me një identitet të rremë. Pasi identiteti i tij i vërtetë u zbulua dhe Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij, Kumbaro u zhduk. Prokurorët shqiptarë akuzuan gjithashtu Arben Sefgjinin, ish-shefin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, i cili më parë ka shërbyer si shef i zyrës së SHIK-ut në Tiranë, për torturimin dhe vrasje n e dyshuar të Hoxhës. Dy agjentë të tjerë të SHIK-ut, Budion Mece, Avni Kolladashi, u akuzuan gjithashtu në lidhje me çështjen. Megjithatë, të tre burrat u liruan sipas ligjit të amnistisë. “Asnjëri prej këtyre që ishin të implikuar nuk e vuan dënimin dhe si rrjedhojë as nuk tregojnë se ku janë eshtrat”, tha Ardian Hoxha. Në këto vite që kur babai i tij u zhduk, familja gradualisht e humbi shpresën se do t’i gjejë ndonjëherë eshtrat e tij. “Ne asnjëherë nuk jemi frikësu, kemi pasë takime të ndryshme e lloj lloj njerëz. Kemi pasë takime edhe me matrapazë të ndryshëm që kanë kërku para për me na dhënë eshtrat edhe kemi dhënë pare dhe na kanë dhënë eshtra të qenit”, tha Ardian Hoxha. Pasi vendosi të heqë dorë nga kërkimi, familja ka vendosur të bëjë një varr për Remzi Hoxhën. “Me qenë se i kemi shterrë gjitha mundësitë dhe u bënë 25 vite që nuk po e gjejmë të vërtetën, ne do e bëjmë një varr, një memorial që të paktën të kemi një vend ku mund të shkojmë ta vizitojmë”, tha djali i tij Ardiani. “Në rast se eshtrat gjenden…”
