E premte, 1 Maj, 2026

Gjukanoviç bie pas 30 viteve në pushtet, i riu “evropian me veshje ruse” drejt kurorëzimit si President i Malit të Zi, me fitoren e Milatoviç “çimentohet’ ideja e “botës serbe”

Share

Merr fund epoka e presidentit Milo Gjukanoviç. Sipas rezultateve primare nga raundi i dytë i zgjedhjeve në Mal të Zi, kandidati për president Jakov Milatoviç ka fituar ndjeshëm me 60% të votave, ndërsa Gjukanoviç me 39,2% të votave. Pjesëmarrja e malazezëve ka qenë e lartë. CDT njoftoi se në raundin e dytë të zgjedhjeve votuan 70.7 për qind e votuesve ose rreth 383.300 qytetarë. Sipas të dhënave të CDT-së, kjo është një pjesëmarrje 7.7 për qind më e lartë krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve të 19 marsit.

Kush është Milatoviç?

Me fitoren e Milatoviç, tani ngrihet frika nga politika se  do të ‘çimentohet’ ideja e “botës serbe”. Ekspertët e skenës politike malazeze paralajmërojnë se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse një student i Oksfordit dhe një intelektual me origjinë liberale, ai ishte një ministër në qeverinë pro-serbe, kryesuar nga patriarku i famshëm Amfilohi. Jakov Milatoviç e përdori me zgjuarsi fushatën: ai foli kundër ndarjeve në shoqëri midis mbështetësve  të politikës perëndimore dhe mbështetësve të Vuçiçit dhe Putinit, të cilët janë jashtëzakonisht të fuqishëm.Ai kujtoi se falë masave të tij, në kohën që ishte ministër, paga minimale dhe mesatare u rritën, që është fakt. Milatoviç ishte ministër i zhvillimit ekonomik në qeverinë e Zdravko Krivokapiçit, si dhe kandidat për kryetar të Podgoricës. Pas rënies së Qeverisë së Malit të Zi, e udhëhequr nga Krivokapiçi, Milatoviçi formoi projektin e tij politik, të quajtur sipas reformave politike që ai zbatoi. Programi që ai zbatoi quhej “Evropa tani”, pra rezulton se Milatoviç nuk do të ketë dyshime për integrimin evropian apo anëtarësimin e Malit të Zi në NATO? Por, e përsërisim, askush nuk është i sigurt për këtë, sepse Jakov Milatoviç e mbështeti Kishën Ortodokse Serbe në përpjekjet e saj për të vazhduar të jetë e paprekshme në Mal të Zi. Nëse Millatoviç ndjek udhëzimet nga Moska, ndikimi gjeopolitik i Rusisë në rajon do të forcohet më tej. Me zgjedhjen e Jakov Milatoviçit në krye të shtetit, vendi mund të çohet në Evropë ose krejt e kundërta, në gojën e ariut rus që po mbyt kombet liridashëse: ukrainasit, gjeorgjianët, moldavët…Dhe malazezët?

Kurti jep alarmin

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shfaqi dje alarmin e tij për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. “Në planin ndërkombëtar më së shumti më kanë shqetësuar zgjedhjet në Mal të Zi. Unë jam shumë i brengosur për ato zgjedhje,” ha Kurti në intervistë duke shtuar se uronte që kundërkandidati Jakov Millatoviç të humbiste. Kryeministri madje, nënkuptoi se kishte shumë indikacione e bile edhe fakte se Millatoviç mund të ishte pro-serb e pro-rus. “Nëse fiton kundërkandidati, unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez,” u shpreh kryeministri i Kosovës.

Millo Gjukanoviç

Gjatë tri dekadave në pushtet, ai ishte dy herë president dhe gjashtë herë kryeministër.  Gjukanoviç ishte udhëheqës i lëvizjes për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006. Nën udhëheqjen e tij, Mali i Zi u anëtarësua në NATO në vitin 2017 dhe hapi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2010. Periudha e qeverisjes së tij u karakterizua me skandale të shumta rreth llogarive personale, kredive, kompanive jashtë vendit, financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore të DPS-së dhe me akuza për shitje të burimeve shtetërore, krim dhe korrupsion. Për atë periudhë, si drejtues i grupit kriminal u dënua udhëheqësi i lartë i DPS-së, Svetozar Markoviç. Gjukanoviç ndërtoi marrëdhënie të mira me shumicën e vendeve të rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila u ftoh pasi Mali i Zi, kur ai ishte kryeministër, e njohu Kosovën në vitin 2008. Ai beson se marrëdhëniet e këqija midis Podgoricës dhe Beogradit janë pasojë e ringjalljes së aspiratave serbomadhe ndaj Malit të Zi dhe se ndikimi rus ka inkurajuar projekte nacionaliste në rajon. Gjukanoviç ka qenë në marrëdhënie të këqija me Kishën Ortodokse Serbe që nga miratimi i Ligjit për lirinë fetare në Mal të Zi, në fund të vitit 2019.

Te tjera

Lajme te tjera